Brezi që nuk mban mend radhën e qumështit…ca gjëra është më mirë ti harrosh!

Shkruar nga Elton Dusha
Marrë nga expatathome.substack

Kur filluan protestat, në ato kohëra të largëta të qershorit, qeveria filloi të kërkonte armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, si në kohën e qoftëlargut. Ishin Iranianët, rusët, pastaj opozita dhe idhtarët e saj. Sa më qesharake bëhej akuza, aq më të dëshpëruar bëheshin pinjollët e qeverisë që të gjenin një përgjigje se pse po ndodhte protesta. Kërkonin çdo përgjigje, përveç asaj të saktës: që shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës, brrylit dhe veshit me një qeveri mercenarësh, njerëz që nuk e gjejnë dot interesin kombëtar edhe sikur t’ua varin në qafë me zinxhir anije. Në kërkim të një përgjigjeje që shfajësonte regjimin kryekëput të korruptuar të PS-së, grupi i PR-it të qeverisë zbuloi pritshmërinë. Ndonjë tip i shkathët në radhët e qeverisë, me siguri mjeshtër i marketingut, i tha kryeministrit se protestat po ndodhnin se Shqiptarët ishin aq të kënaqur me ecurinë e vendit, sa që tani kërkonin edhe më shumë. Pra brezi i ri, i larë në argjend deri më sot, kërkonte ar se argjendi nuk i bënte më punë.
Në territorin Shqiptar u dëgjua një ncuq kolektiv. Ndërsa rrugët mbusheshin me qytetarë të të gjitha moshave që kërkonin një Shqipëri të re, kryeministri, me siguri me shërbim në ndonjë planet tjetër, u tregonte atyre se si fajin për protestat e kishte mirëqenia që u kishte sjellë vetë ai. Po a ka të drejtë kryeministri? Po sikur ta marrim justifikimin e tij seriozisht? Në pamje të parë, justifikimi dukej i ngrënshëm; po, Shqipëria është më mirë se 30 vjet më parë. Këta të rinj thjesht nuk duan të mjaftohen me kaq, duan dhe më shumë.
Argumenti i kryeministrit bazohet në një krahasim që nuk thuhet dot haptazi: Shqipëria është më mirë se në 1991-shin. Po të bësh këtë krahasim, çdo gjë duket si përparim. Një rrugë që kushton katërfishin e të njëjtës rrugë në Europë është përparim, se më përpara aty nuk kishte rrugë. Njerëzit që akoma mbajnë mend radhën e qumështit e pranojnë këtë si përparim. Kjo ishte kontrata e brezit tim me qeverinë: e dimë që po vjedhin, po të paktën po ndërtojnë rrugë.
Po aritmetika është e ftohtë. Nga 91-shi deri më sot kanë kaluar 35 vite. Nga 44-a në 79-ën gjithashtu. Në 1979-ën qeveria komuniste bënte të njëjtin argument: shih sa mirë jemi në krahasim me Shqipërinë e Zogut. Sot e kuptojmë që ishte propagandë, sepse qeveria nuk krahasonte dot arritjet e saj me fqinjët. Edhe sot ndodh e njëjta gjë. Një shtet që rritet mbas një kolapsi total nuk ka bërë mrekulli; ka bërë minimumin.
Shqipëria, të paktën ekonomikisht, është rritur shumë. Por gjithmonë, kur bën krahasimin vetëm me vetveten në kohë dhe jo me vendet që ke përreth, çdo gjë të duket si përparim. Shqipëria doli nga komunizmi si vendi i dytë më i varfër në Ballkanin perëndimor, po t’i marrim republikat e ish-Jugosllavisë si vende të pavarura, përfshi këtu dhe Kosovën. Sot, Shqipëria është vendi i tretë më i varfër në Ballkanin perëndimor, mbi Bosnjën. Pra në tre dekadat e fundit, kemi arritur t’ia kalojmë vetëm Bosnjës, një vendi që doli nga një luftë e përgjakur dhe një gjenocid, dhe që sot gjendet në një krizë politike. Kjo është arritja e 3 dekadave të fundit. Kur të vijnë të të thonë që jemi rritur një mijë përqind, thuaju që dikush që është duke vdekur për bukë dyfishohet në peshë edhe sikur vetëm çorbë me miell të djegur të hajë çdo ditë. Ne jemi rritur mjaftueshëm sa për të ngelur në vend numëro me vendet e tjera të Ballkanit. Kaq.
Ky brezi i ri, që ja hongsha zemrën xhaxhi ja hongsha, nuk e pranon më kontratën e brezit tim, vidh po ndërto diçka. Nuk munden më. E dinë ç’do të thotë të jetosh i ndarë nga prindërit, e kanë provuar vetminë e shtëpive ku kanë mbetur vetëm gjyshërit. E dinë ç’do të thotë të kesh në krye njerëz që kurrë nuk mendojnë për të mirën e vendit. Nuk e krahasojnë veten me 91-shin, por me Europën. Dhe këtë standard nuk e shpikën ata, ua dha vetë kryeministri, që prej dhjetë vjetësh u thotë se Shqipëria po shkon në Europë. Kanë dalë, kanë parë, kanë udhëtuar dhe nuk e kuptojnë dot përse Shqipëria nuk mund të jetë njësoj si Europa. Kanë lindur në vitet 2000, për ta 91-shi është thjesht faqe librash, histori, dhe jo kut me të cilin matet progresi Shqiptar. Nuk kanë më në qafë trastat e brezit tim, nuk i kanë më këmbët të lidhura me zinxhirët e radhës se qumështit. Kjo thyerje demografike është baza e revolucionit shqiptar, jo krahasimi me 91-shin, por krahasimi me një Shqipëri që mund të bëhet, me një Shqipëri me të vërtetë të lirë, sovrane, ligjore. Ku nuk duhet të marrësh rrugët porsa mbaron universitetin, ku Rinasi nuk është më epiqendra e tragjedisë Shqiptare, ku nipçet e mbesat i flasin gjyshit shqip, rreth së njëjtës tryezë, e jo nga ekrani i një celulari. Kjo Shqipëri do të vijë, por vetëm kur të çrrënjoset ky makth që e ka kapur vendin për fyti dhe nuk e lëshon.
360grade.al


















