Bardhi: Mali i Zi heq mburojën e korrupsionit, Rama i vendos pengesa drejtësisë

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot duke krahasuar mënyrën se si Mali i Zi dhe Shqipëria trajtojnë hetimin e korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson ndryshimin mes dy vendeve si një përballje mes “dy modeleve të sjelljes”, duke argumentuar se Mali i Zi po i jep më shumë hapësirë drejtësisë për të hetuar korrupsionin, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, qeveria vendos pengesa.
Sipas tij, përparimi i Malit të Zi në procesin e integrimit evropian nuk lidhet vetëm me negociatat, por edhe me mënyrën se si funksionon drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit.
“Dy shtete, dy modele sjellje: Mali i Zi heq mburojën e korrupsionit, Rama e forcon dhe e mbron. Dallimi mes Kryeministrit të Europës në Mal të Zi dhe Kryeministrit në Shqipëri është si dita me natën. Njëri i jep çdo liri drejtësisë për të hetuar korrupsionin, tjetri i vendos pengesa ligjore. Prandaj sot nuk ka rëndësi vetëm kush është më përpara në negociata, Mali i Zi apo Shqipëria. Ka rëndësi pse Mali i Zi është më përpara”, tha ai.
Bardhi tha se qeveria po e përdor imunitetin si “mburojë të korrupsionit”, ndërsa e vë theksin te nevoja që drejtësia të ketë mundësi të hetojë pa pengesa.
Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk duhet të kushtëzohet nga interesat personale të kryeministrit.
“Por Shqipëria nuk ka pse të mbahet më peng nga halli personal i Edi Ramës dhe nevoja e tij për t’u mbrojtur nga drejtësia. Shqipëria nuk ka pse të paguajë për hallin personal të Edi Ramës me të ardhmen e saj europiane. Sot, interesi i vendit është të ecë përpara. Dhe për këtë, Edi Rama duhet të largohet”, shkruan ai.
360grade.al


















