I kërkoi një qytetari 50 mijë lekë për ta lehtësuar nga kallëzimi, AMP arreston oficerin e krimeve të Komisariatit nr.4 (EMRI)

TIRANË – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar një efektiv policie i dyshuar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.

Në pranga ka rënë efektivi Kastriot Palushi, me detyrë oficer krimesh në Komisariatin nr. 4 në Tiranë.

Efektivi është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se i ka kërkuar një qytetari 50 mijë lekë për ta lehtësuar këtë të fundit nga një kallëzim ndaj tij.

Qytetari ishte kallëzuar nga një grua për kanosje dhe efektivi Palushi i kishte kërkuar para që të shmangte hetimet dhe përgjegjësinë penale.

Ndërkohë janë sekuestruar shumë monetare prej 50 mijë lekësh të rinj, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.

‘Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.’, thuhet në njoftimin e AMP-së.

Njoftimi i plotë:

AMP Tiranë arreston në flagrancë një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksiinit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.

360grade.al

Vdekja! Kjo Zonjë madhështore!

Të tjera