Autori i vrasjes së efektivit në Fier ende në arrati/ Disa persona të shoqëruar në polici për ngjarjen, çfarë dihet deri tani

FNSH, RENEA dhe forcat policore të Fierit vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të vrasjes së efektivit 28-vjeçar, Novruz Cenalia në Fier. Pasi qëlloi me një plumb në kokë efektivin që po shkonte të merrte shërbimin, 23-vjeçari Azgan alias Asllan Mërnica u largua nga vendi i ngjarjes me makinë, të cilin e la tek një nga të afërmit e tij dhe më pas dyshohet se është larguar në këmbë.

Sipas raportimeve, deri më tani janë shoqëruar në polici 12 persona për ngjarjen, familjarë të autorit të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për vendndodhjen e 23-vjeçarit. Pak orë pas ngjarjes ditën e djeshme, policia njoftoi se ofron 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje të vetëdorëzohet.

Ka dyshimet se viktima dhe autori mund të jenë njohur më parë. Sipas informacioneve vëllai i Azgan Mërnicës, Kiri Mërnica, aktualisht ndodhet në burg për tentativë vrasje. Ai u arrestua më 17 prill 2021 pasi bashkë me 3 të tjerë u përfshinë në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj. Kiri Mërnica në kohën kur ndodhi plagosja ndodhej në ‘arrest shtëpie’ Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, ku u vra me armë zjarri 23 vjeçari Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues po në fshatin Sulaj. Ai u akuzua si një nga autorët e kësaj ngjarje, akuza që i mohoi.

Deri më tani sipas policisë, pista kryesore e hetimit është një konflikt çasti, ndërsa është përjashtuar pista e gjakmarrjes.  Dyshohet se fillimisht viktima ka debatuar me autorin Azgan Mërnica për një kalim rruge me makinë. Ata kanë qenë duke kaluar të dy me automjet në rrugët e fshatit, kur janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas konflikti ka degraduar në përdorimin e armëve. Raportohet se efektivi ishte duke shkuar në punë, pasi ishte turni i dytë, ndërsa u qëllua me plumb në kokë nga autori i cili vijon të jetë në arrati.

360grade.al

Flauti magjik i Sali Berishës!

Të tjera