Zbardhjen procesverbalet e mbledhjeve sekrete në 1984 kur u sëmur Enver Hoxha, Ramizi: Nuk e lëvizte dot as këmbën, as dorën, mjekët e huaj s’i pranonte

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zemra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.

Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE, 17 SHKURT 1984, MBI SËMUNDJEN E ENVERIT

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.

Kjo mbledhje u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia, me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30 ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë. Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë.

Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, iu përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër. Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim pas ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj tani të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.

RAMIZ ALIA: Ajli Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ajli Alushani. Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver, të gjitha shërbimet e nevojshme.

Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit. Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese. Synimi i dytë është, që mundësisht të shmangen konsekuencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër e, të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër, shoku Enver nuk ka.

Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit mund të shkaktojë konsekuenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver, që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese.

Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht apo ka diçka tjetër.

Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh.

Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëri-tjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Po ja për shembull, kur të marrim njërit-tjetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Bile nuk lënë shenja as në moshat e mëdha.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mirë, vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi për këto lloj sëmundjesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët, mbi këtë çështje.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm që mund t’u duhet mjekëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet e sjellim nga jashtë për këtë rast.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz, se pa qenë gjë, kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë, ç’ka ngjarë.

Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e Komitetit Qendror, sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri, të psikologjis.

SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.

SHOKU SIMON STEFANI: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në qëndrimet tona.

SHOKU SIMON STEFANI: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror, u munduam të mos e japim veten.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi”? Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit, kur nuk je në humorin e zakonshëm.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Ata të pyetën se, nuk të panë në humorin e zakonshëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver të dilte në ndonjë mbledhje publike, që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dëshira jonë e madhe është që shoku Enver, ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nexhmija më tregoi se Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pesimist, se gjendja e shokut Enver mu duk më e rëndë. Edhe Nexhmija, sa më mori dje në telefon që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë.

Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot kur e pashë vetë me sy, nuk mu duk shqetësuese gjendja, përkundrazi mu duk e mirë. Kuptohet vetvetiu që edhe shoku Enver pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Rëndësi ka çështja që ka filluar kthesa për mbarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.

SHOKU RAMIZ ALIA: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe në marrjen e masave.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Tani duhen porositur mjekët që po punojnë atje për këto që thamë, se ata e të tjerë hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 nëntor 1984

Këtë mbledhje të Byrosë Politike, e thirri Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së partisë, mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.

Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz u stenografua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendova të bisedoja me të gjithë ju, shokë për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Të gjithë e keni ndjekur dhe në përgjithësi jeni në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore.

Tani dëshiroj t’ju bëj të njohur, që të keni parasysh edhe si qëndron kjo çështje ditët e fundit, pse siç e patë dhe vetë, në mbledhjen e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror, në 27 shtator, gjendja e tij është rënduar ca.

Shëndeti i shokut Enver karakterizohet nga një dobësi e përgjithshme e organizmit. Rezistenca e tij fizike ka rënë mjaft, gjë që siç e patë, shprehet deri në të folurin e tij me vështirësi.

Këtë gjendje ai na e ka vënë edhe vetë në dukje, kur erdhi herën e fundit në aparat dhe midis të tjerash na tha se ka dëshirë të na flasë për shumë gjëra, por nuk flet dot. Kohët e fundit shokut Enver, i janë vështirësuar edhe lëvizjet e gjymtyrëve.

E vërteta është se gjatë këtyre ditëve, ai pati edhe njëfarë gripi, që natyrisht ka ndikuar jo për mirë në rëndimin e kësaj gjendjeje. Për të gjitha këto arsye, mendova t’ju vija në dijeni juve shokë të Byrosë, për të pasur një tablo të plotë mbi këtë gjendje.

Burimi kryesor i rënies shëndetësore të shokut Enver, është sëmundja e diabetit. Sikurse e dini të gjithë, ai vuan prej një kohe të gjatë, që nga viti 1948, nga diabeti.

Kjo sëmundje në përgjithësi i ka prekur enët e gjakut, duke ia pakësuar mundësinë e qarkullimit, gjë që i dobësuar organizmin. Mjekimet kundër kësaj sëmundjeje i janë bërë vazhdimisht me rigorozitet.

Po ato i janë bërë në rregull edhe në sajë të rigorozitetit dhe të vullnetit e kujdesit të vazhdueshëm të vetë shokut Enver, i cili u është përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të mjekëve dhe i ka zbatuar këshillat e tyre me një disiplinë shembullore.

Kjo ka bërë të mundur, të shmangeshin për një kohë të gjatë ato efekte negative që mund të vërtetoheshin shumë më shpejt, po të lihej pas dore terapia e caktuar.

Sidoqoftë, këtu te diabeti qëndron burimi kryesor i gjendjes së vështirë, që po kalon tani shoku Enver. Si rrjedhim i sëmundjes së diabetit, shoku Enver ka kaluar një infarkt të miokardit, 11 vjet më parë, në tetor 1973. Shumë nga shokët këtë ngjarje nuk e dinë, po një pjesë e mirë, si Adili, Manushi, etj., kanë dijeni për këtë sëmundje, nga e cila u prek ai në atë kohë.

Edhe në këtë rast, shoku Enver u mjekua me shumë kujdes dhe përsëri duhet vënë në dukje, se ka qenë gjithashtu shumë i disiplinuar në zbatimin e kurave. Mund të them madje, se atëherë u trajtua me aq efektivitet kundër infarktit, saqë më vonë nuk ka pasur më asnjë shqetësim dhe ka vazhduar të punojë normalisht.

Duhet përmendur se përpara tre vjetëve, aty nga viti 1980-1981, kanë filluar t’i duken disa fenomene të tjera të quajtura ‘edema pulmonare’, që s’janë gjë tjetër, veçse grumbullim ujërash në mushkri, që i shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje.

Për këtë arsye mjekët tanë, kanë qenë të detyruar të merrnin herë pas here masa, për shkarkimin e ujërave të tepërta nga mushkëritë, që të lehtësohej dhe të rikthehej në gjendje normale.

Shkaku i ‘edemave pulmonare’ vjen nga dobësimi i muskulit të zemrës, që nuk ka fuqinë e duhur për të thithur ujërat e tepërta që i krijohen në mushkëri dhe i shkaktojnë vështirësitë në të marrit frymë.

Nga fillimi i këtij viti, pati një periudhë që këto fenomene iu bënë më të shpeshta dhe e rënduan gjendjen e tij shëndetësore, por ky fenomen tani nuk po vihet re më. Siç jeni në dijeni, në shkurtin e këtij viti, shoku Enver pati edhe një ishemi cerebrale.

Pali me Muhon nuk ishin, kur ne u mblodhëm të nesërmen me këtë rast. Megjithatë, edhe ata mësuan për atë moment tepër të rrezikshëm, për jetën e shokut Enver, por gjendja u dominua mirë, në sajë të ndërhyrjes shumë të shpejtë e shumë efektive të mjekëve tanë.

Pas kësaj goditjeje, shoku Enver u përmirësua, por duhet pranuar se në përgjithësi gjendja e tij shëndetësore, erdhi duke u keqësuar, pasi ishemia i krijoi vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të këmbës dhe të dorës, që iu prekën, dhe i është krijuar një lodhje e përgjithshme.

Për këtë arsye, disa herë i kishim propozuar shokut Enver, të sillnin nga jashtë mjekë për ta vizituar. Kam biseduar unë vetë veçanërisht me të, ka biseduar veçanërisht gjithashtu Nexhmija, në të njëjtën kohë kemi biseduar një herë tjetër të dy bashkë me Nexhmijen, po ai nuk e ka pranuar kurrsesi, propozimin tonë. Ai e argumenton me dy arsye.

Së pari, me besimin e plotë që ka te mjekët tanë, në diagnozën që i kanë bërë ata dhe në mjekimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Së dyti, është pastaj aspekti politik i këtij hapi, që ai mendon se duhet parë me kujdes para se të veprohet.

Edhe pa marrë mjekë nga jashtë, të gjithë kemi parë çfarë shkruan shtypi në botë, rreth gjendjes së personit të tij, madje një gazetë greke, aty një muaj më parë, shkruante sikur kishte vdekur. Edhe televizioni italian ka folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver.

Pra, pa sjellë mjekë dhe bëhet zhurmë jashtë, prandaj merret me mend çfarë mund të flitet e të shkruhet pastaj në opinionin botëror, sikur të thërritet ndonjë. Duhet pasur parasysh pastaj, në radhë të parë, shqetësimi që do të shkaktohej në popullin tonë.

Dy-tri javë përpara, biseduam përsëri me shokun Enver, e më së fundi ai pranoi të bëhet diçka në këtë drejtim, po jo të vinin këtu mjekë të huaj për ta vizituar, por të dërgoheshin jashtë, në Francë, mjekët tanë për të bërë një konsultë me specialistët francezë.

Për këtë arsye, dërguam në Paris tre nga mjekët tanë, që merren me kurimin e shokut Enver, mjekun e tij personal, Isuf Kalon, mjekun kardiolog, Ylli Popën dhe Bajram Prezën, si neurologu, që ka ndjekur kurat kundër ishemisë cerebrale.

Mjekët tanë morën të gjitha të dhënat e nevojshme dhe me anën e ambasadës sonë në Paris, organizuan një konsultë me kryetarin e Shoqatës Francë-Shqipëri, mjekun profesor Pol Miliezin në krye, të cilit i folën hapur dhe natyrisht në mënyrë konfidenciale, se fjala ishte për shokun Enver.

Kjo u bë që ai me ekipin e tij, të kuptonin se duhej ruajtur sekreti i çështjes, prandaj i’u theksua se vetëm ata e dinin këtë gjë.

S’ka dyshim se qeverisë së tyre, specialistët francezë do t’i kenë folur, po të paktën në shtyp, ata nuk mund të thonë gjë, se një gjë e tillë do të ishte shumë negative për ta. Kështu pra, specialistëve francezë, iu paraqit gjithë dokumentacioni, duke filluar që nga historiku i sëmundjes, elektro-kardiogramet që i janë bërë gjatë kësaj kohe, etj.

Dihet se në mjekësinë modern, nuk ecet më me metodat e vjetra, duke i vënë veshin ose prekur trupin e të sëmurit; sot bëhen më parë analizat e nevojshme dhe mbi bazën e tyre organizohen konsulta.

Kështu u veprua atje edhe për rastin e shokut Enver, dhe kjo konsultë ishte shumë efektive. Ç’doli prej saj? Të gjithë specialistët francezë në konsultë, ishin plotësisht të një mendimi me diagnozën e mjekëve tanë, nga fillimi e deri në fund.

E dyta, të tërë ishin dakord me mënyrën e mjekimit, me terapinë që është ndjekur, qoftë kundër diabetit, ashtu edhe me atë për forcimin e zemrës, kundër edemave, etj…!

Madje specialistët francezë, thanë se, edhe sikur vetë ta kishin ndjekur pacientin, vështirë se mund të bënin më tepër nga këto që kanë bërë mjekët tanë, të cilët kanë përdorur teknikën moderne të mjekimit dhe ilaçet e fundit që kanë siguruar, i kanë dhënë në dozat e përshtatshme me efikasitet.

Jo se ne kishim ndonjë dyshim në trajtimin e mjekëve tanë ndaj shokut Enver, sepse kurdoherë kemi qenë të bindur që efektiviteti i mjekimeve nga ana e tyre, ka qenë i mirë, po fakti që edhe specialistët francezë, kishin të njëjtin mendim me tanët, na qetësoi dhe na bindi, se nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjë tjetër.

Për sa i përket zemrës, si mendimi i specialistëve francezë, ashtu edhe i tanëve është i njëllojtë. Ky organ ka arritur në fazën e një insuficience të theksuar, muskuli i zemrës është dobësuar së tepërmi dhe është pikërisht ky burimi i pafuqisë së përgjithshme, që ka deri tani shoku Enver.

Pra faktori kryesor në këtë gjendje që shkakton edhe fenomenet e tjera negative të shokut Enver, është zemra. Madje kur u diskutua për diagnozën, francezët thanë se ishemia cerebrale që goditi disa muaj përpara shokun Enver, aty e ka burimin, nuk kemi të bëjmë me stenozë të arteries karotide, siç kishin menduar mjekët tanë. Memorie.al

SHOKU RAMIZ ALIA: Francezët anojnë më shumë në pikëpamjen që kjo gjendje, është pasojë e një embolie kardiake. Nga pikëpamja objektive, kjo nuk luan ndonjë rol, po specialistët francezë janë të bindur se të gjitha këto fenomene, kanë ardhur nga zemra. Vetëm në këtë çështje u bënë diskutime midis specialistëve francezë dhe tanëve, nuk pati ndonjë problem tjetër.

Mjekët tanë edhe për sa i përket fenomenit të heqjes zvarrë të këmbës dhe dredhjes së dorës, kanë menduar se mos kemi të bëjmë me ndonjë fenomen të sëmundjes së Parkinsonit. Edhe në këtë çështje, tanët nuk kon-kordonin me francezët.

Këta janë të mendimit se te shoku Enver, nuk kemi të bëjmë me këtë sëmundje. Heqja zvarrë e këmbës dhe dridhja e dorës, janë pasojë e dobësimit të organeve kardiovaskulare, sidomos dobësimit të zemrës.

Specialisti francez që foli për Parkinsonin, shprehu mendimin se e tillë është pikëpamja e tij, duke u bazuar në të dhënat që u paraqitën, se për të dhënë një mendim të saktë, ai kërkoi që ta shikonte vetë pacientin.

“Megjithëse nuk kemi të bëjmë me sëmundjen e Parkinsonit, – tha ai, – mendoj se kura kundër kësaj sëmundjeje, po të vërtetohet, është bërë mirë”.

Nga pikëpamja e terapisë, francezët rekomandojnë pra të njëjtat ilaçe të dhëna nga mjekët tanë, me ndonjë ndryshim fare të vogël, në dhënien e ndonjë ilaçi të së njëjtës familje.

Për shembull, ata e dinë se shoku Enver, e ka qejf përdorimin e kripës në ushqime, ndërsa mjekët tanë, e kanë këshilluar të mos e hajë.

Mirëpo, duke i dhënë ushqime pa kripë, ai nuk i ha. Mjekët francezë thonë se në kushtet e tij, sidomos neve, na intereson që pacienti ta hajë të tërë ushqimin e nevojshëm, prandaj le të marrë edhe ca kripë, se pas buke, i japim ilaç që ta shkarkojë.

Mirëpo ilaçi që iu tha për shkarkimin e kripës, atë e lodhte shumë. Kur tanët ua vunë këtë në dukje francezëve, ata e rekomanduan të përdorej një diuretic, me efekt të vonuar.

Këtu qëndronin ndryshimet në terapinë midis specialistëve francezë dhe mjekëve tanë. Asnjë gjë tjetër esenciale nuk ka midis tyre, dhe kjo është shumë pozitive, se tregon që trajtimi nga mjekët tanë, ka qenë dhe është shumë korrekt.

Megjithëse mjekimet edhe kundër Parkinsonit, shoku Enver i janë bërë në rregull, për të hequr merakun pardje biseduam me shokun Enver, që ta thërrisnin profesorin specialist për këtë sëmundje, por ai nuk ishte dakord, madje siç më tregoi Nexhmija, një ditë më parë, kishte biseduar edhe ajo vetë për këtë çështje me të.

“Përse të vijë”?!- na tha ai. Po ne i shprehëm mendimin se, nuk humbasim ndonjë gjë sikur të vinte, se francezët tani i dinë të gjitha këto që dinë mjekët tanë dhe ne do të marrim masa, që asnjeri të mos e marrë vesh një gjë të tillë, duke e sjellë mjekun francez si turist.

Sidoqoftë, me ca zor, por e bindëm. Kjo as shton as pakëson gjë, se mjekimet i janë bërë në rregull edhe kundër Parkinsonit, madje francezët thanë se keni bërë shumë mirë, që ia keni filluar edhe këtë kurë, mbasi ilaçi i përdorur, nuk sjell asnjë dëm edhe sikur mos ta ketë këtë sëmundje.

Të gjitha këto që jua thashë, shoku Enver i di, po jo në këtë shkallë shqetësuese që ju tregova. Kështu, për specialistin francez, që është thirrur të vijë, nuk i kemi thënë se do ta vizitojë për Parkinsonin, po për të parë mënyrën e dhënies së kurave.

Edhe për insuficiencë e theksuar kardiake, gjithashtu nuk i kemi folur me atë seriozitet që është gjendja e tij, dhe duhet njohur se kjo gjendje është shumë serioze, prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të ndërgjegjshëm, megjithëse shokut Enver, ia kemi treguar në mënyrë të moderuar gjendjen e tij.

Terapia e re që është filluar, t’i bëhet, mund të sjellë ndonjë përmirësim, dhe ne urojmë që shoku Enver ta marrë veten. Po këtë do ta shikojmë. Në këto kushte, natyrisht edhe gjendja e tij shpirtërore ka ndryshuar. Shoku Enver është bërë i ndjeshëm. Ja, kur vajta pardje dhe po i flisja për pusin e ri fontanë, që është hapur, filloi të ngashërehet dhe u prek shumë.

Gjithashtu, sa sheh diçka në TV, preket. E tillë është edhe sëmundja. Në këtë gjendje ne kemi ndjekur e do të ndjekim rrugën, që të mos e rëndojmë me punë shokun Enver, mbi mundësitë e tij fizike të tanishme; do ta ngarkojmë me aq sa mund ta përballojë, për të mos i sjellë asnjë vështirësi.

Unë jam përpjekur për ta mbajtur në korrent të punëve, natyrisht shumë shkurt dhe pa e futur në hollësi. I shkoj vazhdimisht në shtëpi dhe ai vetë më merr ndonjëherë në telefon. Edhe shokun Adil, e merr në telefon, dhe ky gjithashtu i dërgon vetëm ndonjë material të domosdoshëm.

Pra duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver, jam përpjekur të mos e ngarkoj, por ta vë në dijeni për problemet e aspektit politik, pa e futur në detaje.

Këtë praktikë do ta ndjekim edhe në të ardhmen, që të mos e rëndojmë. Madje tani na del problemi i Spartakiadës, që do të bëhet me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit, ku është e domosdoshme që ai të marrë pjesë, pasi me daljen e tij në publik, e kërkon interesi i Partisë.

Në këtë manifestim të madh fizkulturor, do të jetë tërë populli dhe rinia e Tiranës, që ka dëshirë të shikojë Komandantin. Për këto arsye u detyrova ta shtroj para jush këtë çështje, mbasi jemi përpara situatave të reja.

Ne i kemi marrë të gjitha masat, për të siguruar daljen e tij para publikut të kryeqytetit, pa i krijuar asnjë vështirësi, se ecjen në tribunën e stadiumit, ia kemi siguruar ta bëjë në rrugë fare të shkurtër dhe horizontale, vetëm 6-7 hapa, derisa të zërë vend në kolltukun ku do të ulet dhe andej nuk do të lëvizë më, deri në mbarim të manifestimit.

Ndonjë shok mund të ketë mendimin që të shtyhet edhe ca ditë më tutje Spartakiada, por duhet kuptuar mirë, se këtu nuk kemi të bëjmë me një sëmundje gripi, fjala vjen që zgjat ca ditë, i sëmuri përmirësohet dhe del përsëri në punë.

Gjendja e shokut Enver është ndryshe. Ai po kalon tani disa vështirësi më të mëdha, nga sa kishte përpara, gjë që e vutë re të gjithë në seancën e parë të Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror të Partisë, megjithëse atë ditë ai erdhi në mbledhje me këmbët e veta, kurse tani e ka më të vështirë të ecë.

Sidoqoftë, çështjen e daljes së tij në manifestim, do ta shohim, vetëm dua të them se kjo ka rëndësi të madhe, mbasi të gjithë dëshirojnë ta shohin atje, dhe jo vetëm populli i Tiranës, po i tërë Shqipërisë.

Në stadium ne do të vendosim për këtë qëllim aparaturat e televizionit, si në të gjitha rastet e këtij lloji. Prandaj do të përpiqemi ta rregullojmë daljen e tij, me qëllim që populli të gëzohet.

Megjithatë, çështjen do ta shohim ditët e ardhshme. Unë mendoj që edhe sikur ta shoqërojë njeri për krahu, nuk ka gjë. Pastaj e marrin të gjithë me mend, që si mosha edhe sëmundja, i kanë këto fenomene.

Sidoqoftë, për pjesëmarrjen e tij në Spartakiadë, kemi akoma edhe shumë ditë kohë për të vendosur, prandaj të mos shpejtohemi.

Të them të drejtën, nuk mundja ta mbaja vetë këtë shqetësim, prandaj ju mblodha t’jua thosha të gjitha këto që ta dijë, Byroja Politike.

Megjithatë, mjekët tanë janë në krye të detyrës dhe vetë shoku Enver, me shumë rigorozitet zbaton të tëra kurat që i japin ata. Të gjitha këto që thashë, duhet t’i mbajmë për vete.

Tani të vëmë të tëra forcat, për të kryer në këto kushte detyrat. Ky do të jetë edhe lehtësimi më i madh për gjendjen e tij, që të mos e shqetësojmë për problemet e mëdha që kemi përpara dhe që na shqetësojnë të gjithëve, por ca më shumë atë.

Prandaj, sa më shumë suksese të kemi në punët e Partisë dhe të shtetit, aq më tepër do të ndikohet pozitivisht dhe në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe fizike të shokut Enver.

Kjo do të jetë e mirë për të dhe kjo është tani detyra jonë kryesore. Të gjitha shërbimet ne po ia bëjmë e do t’ia bëjmë, dhe shpresoj që shoku Enver, ta kapërcejë këtë vështirësi në sajë të kujdesit që po tregohet dhe të ilaçeve që i janë siguruar, dhe për ta marrë veten, gjë që do të jetë me shumë rëndësi për Partinë. Memorie. al

360grade.al

Hapet kanali në YouTube: “360 gradë by Artur Zheji”

Të tjera