Ministrja Koçiu: Dhuruesit vullnetar të gjakut janë aset për një komb

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu falënderoi sot dhuruesit vullnetarë të gjakut duke i cilësuar aset për një komb.

Koçiu tha se “janë me mijëra jetë të shpëtuara prej dhuruesve të gjakut që nga të aksidentuarit deri tek pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo 2 javë për gjatë gjithë jetës të tyre”.

“Dhurimi i gjakut çdo 6 muaj, mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%. Fushatës së pandërprerë të MSHMS-së për dhurim vullnetar të gjakut, i janë bashkuar punonjës të institucioneve qendrore, vendore, pedagogë, studentë si dhe përfaqësues të medieve”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen që u bënë pjesë e zinxhirit dhurues të gjakut në këtë fushatë ndërgjegjësuese, të cilën do ta vijojmë gjatë gjithë vitit.

Çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas: Gjak komplet, Transaminazat ALT, Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh, Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz, Glicemia, Kreatinemia, Proteinemia, Kolesterolemia, Trigliceridemia dhe Feritinemia.

Fushata sensibilizuese e dhurimit të gjakut synon të ndërgjegjësojë për rolin e rëndësishëm që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.

Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut në mënyrë të rregullt për të krijuar një rezervë të vazhdueshme gjaku, në mënyrë që pacientët në nevojë, të mund ta marrin atëherë kur do të kenë nevojë.

360grade.al

Hapet kanali në YouTube: “360 gradë by Artur Zheji”

Të tjera