Drafti për Asociacionin, Konjufca: Rama gaboi me draftin, s’u ul të fliste me Kurtin

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Siç u shpreh ai, pas manifestimit të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

I pyetur nëse kanë kërkuar nga Rama që ta kenë draftin e Asociacionit, Konjufca tha jo, pasi nuk kanë interes.

“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasUR efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai.

Sa i përket paralajmërimeve të ShBA-së dhe BE-së për sanksionet nëse Kosova nuk i plotëson kërkesat për tejkalim të situatës në veri të vendit, ai tha se institucionet e vendit janë duke punuar ngushtë me aleatët që kjo situatë të tejkalohet.

“Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, tha ai.

Kryeministri Rama prezantoi pak ditë më parë drafin-statutin për Asociacionin të komunave në veri të Kosovës duke përmendur si pikë kryesore ribërjen e zgjedhjeve. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë pikë e draftit dhe siç bëri me dije Rama, i është dërguar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Ky propozim i bërë nga Rama është kundërshtuar nga opozita, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm që mund të acarojë më shumë situatën.

Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është i nevojshëm një propozim alternativ për Asociacionin. Nga ana tjetër, zyrtarë të Vetëvendosjes në Kosovë e kanë cilësuar si një veprim për të cilin Rama duhet të ishte konsultuar më së pari me Kurtin. Gjithashtu edhe një prej deputetëve të PDK, Hisen Berisha gjatë mbrëmjes së djeshme në lidhje ’skype’ për Report TV tha se për drafte të tilla duhet të ishte diskutuar në mbledhjet e përbashkëta të qeverive.

Bashkimi Evropian sot në një reagim zyrtar, e vlerësoi draftin e paraqitur nga Rama duke e cilësuar si tekst të shkruar me seriozitet dhe cilësi të lartë.

360grade.al

Vdekja! Kjo Zonjë madhështore!

Të tjera