Rrezikohet konflikti Rusi~Angli! Kërcënon Moska!| Lufta dhe Paqja

Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide thotë se Rusia po e ndjen presionin e madh që vjen nga ndihma e madhe ushtarake që po merr Ukraina. Këtë koment ai e bëri në studion e emisionit “Lufta dhe Paqja” në ABC News, teksa po diskutohej për kërcënimet e mundshme të Rusisë ndaj Londrës.
“Nga pikëpamja e deklaratës së Medvedev dhe arritjes së objektivit të kësaj deklarate, mesa duket Rusia është duke e ndjerë presionin e madh të ndihmës ushtarake që po vjen duke u grumbulluar pavarësisht goditjeve që ka dhënë dhe presionin e një kundërsulmi të mundshëm nga Ukraina.
Fakti që drejtohet në këtë moment me ato fjalë, konfirmon edhe njëherë se është një dordolec që ka humbur çfarë do lloj vlere strategjike në këtë betejë sepse ka përdorur të gjithë llojet e kërcënimeve. Ai nuk përfaqëson asnjë gjë nga pikëpamja strategjike në rusinë e këtij momenti.
Të gjithë kërcënimet që ka bërë, ia ka ulur aftësinë reale.”, tha Hide
Eksperti Enri Hide dhe kapiteni Artur Meçollari theksuan se Franca nuk mund ta luajë dot rolin e negociatorit në tryezën e diskutimeve mes Ukrainës dhe Rusisë. Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, ku u diskutua përpjekja e presidentit francez për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Kemi të bëjmë me një ndryshim të fortë të pozitës së Francës në raport me shtetet e tjera sidomos me SHBA. Franca është e humbura e madhe sepse tentoi të luante një rol gjeopolitik që nuk i përshtatej, nuk i vishej dot ai lloj kostumi pozitës së saj relative në sistemin ndërkombëtar. Duket se tashmë e ka kuptuar edhe vetë Macron, i cili po përpiqet për protagonizëm, është rrekur gjithë kohës për protagonizëm edhe gjeopolitik. Një shtet si Franca mund të shkojë deri aty ku ia lejon fuqia e saj, për këtë arsye dhe Kina patën një lloj tërheqje nga ai lloj pranimi i Francës si komponent i vetëm negociator në tryezën e diskutimeve.”, tha Hide.
Ndërkaq, për kapitenin Meçollari, Macron e ka kuptuar vonë se nuk mund të luante rolin e negociuesit.
“Në konflikte të tilla të arrish të negociosh janë kredenciale të mëdha ndërkombëtare. Po të shikojmë poicizionin e Kinës, për shkak të kredencialeve që mund t’i japë një negociatë e mundshme që ajo pretendon, nënkupton që ka marrë një pozicion të distancuar nga palët. Por Macron ndoshta e kuptoi vonë që nuk mund ta luante dot këtë rol sepse politikisht nuk është palë neutrale“, tha Meçollari.
Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji, tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka filluar të tërhiqet nga veprimet në veri të vendit pas ndëshkimit ndërkombëtar dhe ka lënë hapësirë për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme.
“Besoj se ka filluar të tërhiqet. Kurti ka lënë hapësirë për zgjedhjet e parakohshme. Së dyti kryetarët janë tërhequr dhe me siguri ka ndodhur edhe një lloj reduktimi i pranisë policore. Por Kosova nuk është duke i bërë këto lëshime kaq të hapur duke u përpjekur për të ruajtur dinjitetin apo për të treguar një koherencë në raport me sjelljen e pandryshueshme që ka demonstruar.“, tha ai.
Sipas tij, Kurti duhet të vlerësojë se çfarë fitoi dhe humbi me veprimet e fundit në veri.
“U desh Blinken, numri dy i shtetit më të fuqishëm të botës, që të reagonte në mënyrë dënuese për zinxhirin e akteve që pasoi përpjekjet e Kosovës për të çuar kryetarët në komuna. Ishte akti fillestar që shënoi përshkallëzimin e tensionit në veri. Ajo që po thotë Perëndimi njëzëri është që zinxhiri i ngjarjeve dramatike filloi me këtë vendim të pakonsultuar të Kosovës. Kosova duhet të vlerësojë se çfarë fitoi dhe çfarë humbi me këtë veprim që shkaktoi këtë zinxhir ngjarjesh.”, shtoi Nazarko.
Nazarko komentoi edhe vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani duke shmangur Kurtin. I pyetur nga gazetari Zheji nëse po tentohet për të “ndarë” Osmanin me Kurtin, analisti tha se Macron kërkon t’i tregojë shqiptarëve të Kosovës se po ndëshkojnë Kurtin.
“Qëndrimet e Osmanit kanë qenë paksa më të matura në raportet me atë që u zhvilluan në perëndim. Ajo ka rekomanduar koordinim me faktorin perëndimor. Së dyti, në kushtetutën e Kosovës presidentja ka më shumë fuqi në politikën e jashtme sesa kryeministri. Me këtë veprim, Macron do t’i tregojë popullit të Kosovës se nuk është se Perëndimi e ka me krejt Kosovën por me një njeri që nuk po tregohet bashkëpunues me Perëndimin.”, tha Nazarko.
360grade.al