Kur Putin do urdherojë vrasjen e Prigozhin?! | Lufta dhe Paqja

Eksperti Enri Hide, i ftuar në emisionin “Lufta dhe Paqja” duke komentuar zhvillimet më të fundit në Ukrainë, tha se Rusia ka treguar një aftësi të dobët për të ripërtërirë arsenalin e saj.
“Rusia ka edhe një aftësi të dobët të ripërtëritjes së arsenalit të saj strategjik. Po nxjerr nga arkiva armë që nuk janë aq të reja. Sigurisht që Rusia është një superfuqi. Një shtet që ka kaluar nëpërmjet disa fazave të caktuara pas Luftës së ftohtë por pa dëmtuar rëndë arsenalin e dikurshëm. Ka pasuruar në kohë arsenalin e ri. Ajo që mund të vërejmë është se ka një aftësi të vogël të ripërtëritjes të arsenalit të saj. Po konsumon raketa më shumë se çfarë po prodhon.”, tha Hide.
Ndërsa Artur Meçollari shtoi se Kievi është më i mbrojtur se kurrë pasi ka një mbrojtje kundër ajrore të fuqishme.
“Ukraina ka një sistem mbrojtjeje me disa elementë, ku dy sisteme janë gjermane, një raketor dhe një mitroloz dhe sistemet e tjera vendase. Po presin edhe një sistem tjetër italian“, tha Meçollari.
Sipas kolonel Dritan Demiraj Rusia ka ndryshuar strategjinë.
“Në këtë moment, kemi një përmirësim të ndjeshëm me disa shtresa të mbrojtjes kundërajrore ukrainase, në sasi, cilësi edhe eksperiencë. Nga ana tjetër, sa më shumë zgjatet konflikti dhe sa më shumë stërviten ukrainasit, aq më shumë rritet edhe niveli dhe eksperienca në drejtim të mbrojtjes kundërajrore. Kemi ndryshim të strategjisë ruse në shtimin e sasisë të sulmeve me avionë bombardues dhe me helikopterë kundërtank. Sa më shumë që përmirësohet mbrojtja ajrore, aq më tepër rritet mundësia për rrëzimin e tyre.”, tha ai
Kreu i grupit rus të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin hodhi poshtë raportimet e mediave amerikane se kishte ofruar që të tradhtonte pozicionet ruse. The Washington Post duke cituar informacione nga inteligjenca amerikane, tha se Prigozhin i kishte ofruar inteligjencës ukrainase zbulimin e lokacioneve të trupave ruse në këmbim që Ukraina të tërhiqte trupat e saj nga Bakhmuti.
Duke folur për këto raportime, kolonel Dritan Demiraj tha në një lidhje live për emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji se kishte informacione se Prigozhin ka shkëmbyer informacione për drejtorin e agjensisë së inteligjencës ushtarake ukrainase dhe se madje ai vetë ka pranuar se kanë bashkëpunuar. Ai shtoi më tej se është çështje kohe asgjesimi i tij nga ana e Moskës.
“Kam disa informacione që Yevgeny Prigozhin ka shkëmbyer informacione me drejtorin e agjensisë së inteligjencës ushtarake ukrainase, që është numri tre në Ukrainë. Edhe vetë Prigozhin ka pranuar se në disa raste ka bashkëpunuar dhe është interesant fakti se tha kemi bashkëpunuar edhe në Afrikë me Budanov.“, tha Demiraj.
Sipas ekspertit Artur Meçollari Prigozhin po kërkon që të gjejë një rrugë dalje.
“Besoj se Prigozhin po gjen një rrugëdalje por jo në drejtim të Moskës por në atë të Kievit. ëagner ka pasur kontakte me Ukrainën sidomos për shkëmbimin e robërve të luftës. E dyta, fakti që nuk lëviz nga territori i luftës do të thotë se është i izoluar dhe nuk ka ku të shkojë mesa duket. Kjo të bën të besosh se Prigozhin është duke gjetur një rrugëdalje. Duket se situata në Moskë për të është e pafavorshme.“, tha Meçollari.
Ndërkohë sipas ekspertit Enri Hide, nëse do të eliminohej kreu i Wagnerit, Rusia do të dobësohej në disa fronte.
“Kjo është lëvizje më shumë taktike se do të sillte më shumë ujë në “mullirin” e tij duke i forcuar pozitat dhe nevojën që mund të ketë për të në stablishmentin ushtarak rus. Nuk përjashtohet ky lloj komunikimi por e habitshme që informacione të tilla rrjedhin në shtyp. Këto informacione mund të ndryshojnë fatin e një lufte se nëse Prigozhin eliminohet nga ekuacioni, dobësohet Rusia në disa operacione ku kanë fokusuar vëmendjen e tyre.“, shtoi Hide.
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC Neës u komentua edhe mbështetja e vazhdueshme e Britanisë ndaj Ukrainës. Eksperti Artur Meçollari tha se Britania e Madhe ka qenë gjithmonë në krah të SHBA sa i përket qëndrimit që kanë mbajtur për luftën në Ukrainë.
Të njëjtin mendim ndau edhe eksperti Endri Hide, i cili shtoi: “Britania sapo ka dalë nga Brexit dhe ka pasur për një rivlerësim të pozites së saj si një fuqi e madhe më vete dhe për këtë ka shërbyer SHBA. Britania ka nevojë që në këtë lojë të madhe që po ndodh sot për rishpërndarjen e fuqisë së madhe në sistemin ndërkombëtar, Britania ka nevojë që të dalë si një fuqi. Dhe këto lëvizje si edhe mbështetja që po i jep Ukrainës, edhe ushtarake, politike, ekonomike, kanë treguar se është gati për të marrë pozitën e saj relative në shpërndarjen e fuqisë në sistemin ndërkombëtar.”
Ndërkohë, kolonel Dritan Demiraj shtoi se Britania e Madhe po tenton që të rivitalizojë pocizionin e vet në rendin e ri botëror
“Britania po përpiqet të rivitalizojë pocizionin e vet në rendin e ri botëror. Së dyti, ka interesa të mëdha në Ukrainë dhe së treti, nëse e njihni historinë që nga 1917, edhe në vazhdimësi, dy janë ato të cilët konsiderohen nga politika e jashtme ruse si kundërshtari i madh janë SHBA dhe Britania e Madhe. Nëse e analizojmë më kujdes Britania konsiderohet shumë më armiqësore sesa SHBA në raport me Federatën Ruse.“, tha Demiraj.
360grade.al