Ministrja Krifca: Peshkimi, ndër sektorët më vitalë të ekonomisë shqiptare, po mbrojmë flotën detare nga çmimi naftës

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë sot, në sesionin e 45-të të Komisionit të Përgjithshëm për Peshkimin të Vendeve të Mesdheut, presidencën aktuale të së cilës e mban Shqipëria. Ministrja përshëndeti në emër të Qeverisë Shqiptare delegatët e Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun, teksa vuri në dukje se, “se Shqipëria është anëtare e GFCM, që nga viti 1991”.
“Ne jemi shumë krenarë që kryetari i GFCM është Shqiptar dhe Shqipëria është krenare që pret këtë sesion historik të GFCM në Tiranë – duke festuar sot 70 vjet nga krijimi i Marrëveshjes GFCM”, tha Krifca.
Duke u ndalur në situatën e inflacionit të rritur që ndikoi në sektorin e peshkimit dhe rriti kostot e prodhimit, ministrja tha se “në peshkim, karburanti përbën pothuajse 80% të kostove të prodhimit. Për këtë arsye, qeveria shqiptare vendosi të zbatojë një masë shtesë mbështetëse për sektorin, në formën e subvencionimit të drejtpërdrejtë për flotën detare”.
“Peshkimi është një nga sektorët më vitalë të ekonomisë shqiptare, me një rritje të qëndrueshme që nga viti 2014 dhe produktet tona të peshkimit, zënë një vend të rëndësishëm në tregjet e huaja. Ky sektor performon në përputhje me standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian, duke u kthyer në një sektor modern dhe fitimprurës”, deklaroi ministrja.
Krifca vuri në dukje se po punohet për përmirësimin e infrastrukturës së porteve, me mbështetjen e Projektit Blu Economy, me qëllim rritjen e kapaciteteve të Portit të Durrësit; për ndërtimin e tregjeve të peshkimit në Durrës dhe Sarandë dhe 7 vende zbarkimi në mbështetje të peshkimit në shkallë të vogël përgjatë vijës bregdetare dhe në liqenet kryesore.
“Tashmë kemi nisur bashkëpunimin me partnerët tanë evropianë për të ndërtuar vendet e zbarkimit, prodhimit dhe ankorimit përgjatë vijës bregdetare, që do të shërbejnë si mbështetje për peshkimin në shkallë të vogël, në mënyrë që të vazhdojmë të formalizojmë sektorin dhe të rrisim standardet e sigurisë ushqimore”, tha ministrja.
Sipas saj, një vit pas miratimit të “Strategjisë GFCM 2030 për peshkimin dhe akuakulturën e qëndrueshme në Mesdhe dhe Detin e Zi”, peshkimi në Shqipëri ka shënuar arritje të rëndësishme në menaxhimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës.
“Jam krenare të pohoj se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha objektivat e vendosura, në veçanti falë bashkëpunimit të saj me GFCM. Provat shkencore kanë treguar një mbishfrytëzim të vazhdueshëm të rezervave kryesore të Adriatikut dhe prania ime këtu, sinjalizon rëndësinë që ne si vend i kushtojmë zhvillimit të shëndoshë të peshkimit dhe akuakulturës në rajonin tonë dhe angazhimit të fortë politik të qeverisë sonë për nje mjedis të qëndrueshëm ekonomik dhe sociale. Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e Planeve të Menaxhimit të GFCM për pjesën e poshtme dhe për rezervat e vogla pelagjike në Adriatik”, u shpreh ministrja Krifca.
Ministrja theksoi se, Shqipëria i jep një rëndësi të madhe pjesëmarrjes së saj në Komisionin e Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun dhe është e përkushtuar të forcojë bashkëpunimin me anëtarët e tjerë dhe të zbatojë aktivitetet kryesore sipas strategjisë së re.
Ajo falënderoi Sekretariatin e GFCM për mbështetjen teknike në drejtim të përmirësimit të legjislacionit, VMS, monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së akuakulturës.
Për të ardhmen, sipas strategjisë së re, Shqipëria pret të forcohet mbledhja e të dhënave për stoqet kryesore, në përputhje me planet e menaxhimit të miratuara; të kryhen sondazhet shkencore në det me mbështetjen e GFCM; pjesëmarrje në trajnime, monitorime, pjesëmarrje në një studim rajonal mbi aksesin e peshkatarëve të shkallës së vogël në programet e mbrojtjes sociale.

360grade.al

Në 6 Dhjetor çfarë do bëjë opozita? Protestë apo shëtitje në Bulevard? Lubonja vs Zheji

Të tjera