» Zhbllokoi 7 ton ushqime të skaduara, gjyqtari Elidon Papazisi ia mbath nga drejtësia pasi u njoh me dosjen e Vetingut

Zhbllokoi 7 ton ushqime të skaduara, gjyqtari Elidon Papazisi ia mbath nga drejtësia pasi u njoh me dosjen e Vetingut

Elidon Papazisi, gjyqtar pranë Gjykatës së Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, nuk do të jetë më pjesë e drejtësisë shqiptare. Në 3 nëntor të vitit 2021, gjyqtari Elidon Papazisi i ka kërkuar Komisionit të Vetingut ndërprerjen e procesit të Vetingut ndaj tij, pasi kishte paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Shqiptarja.com mëson se gjyqtari ka paraqitur dorëheqjen pasi Komisioni i Vetingut e ka njohur atë me dosjen e hetimit ndaj tij për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Në 19 tetor 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka njohur gjyqtarin Elidon Papazisi me dosjen e verifikimit, duke i lënë afat deri në 3 nëntor 2021, datë në të cilën gjyqtari ka njoftuar se kishte dhënë dorëheqjen. Në këto kushte, ditën e sotme, Komisioni i Vetingut ka vendosur përjashtimin e gjyqtarit Elidon Papazisi për 15 vite nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.

Në gusht të vitit 2019, Erion Braçe, në atë kohë zëvendëskryeministër, denoncoi gjyqtarin Elidon Papazisi për zhbllokimin e 7 ton ushqime të bllokuara nga AKU për shkak se ishin jashtë afatit të skandencës. Braçe e referoi denoncimin e tij në Komisionin e Vetingut. Sot mbeten ende të paqarta rrethanat se si gjyqtari zhbllokoi ushqimet e skaduara dhe ku përfunduan më pas ato.

Në qershor të vitit 2021, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e denoncoi gjyqtarin Elidon Papazisi në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, pasi sipas ministrit gjyqtari po pengonte aksionin e IKMT dhe Policisë së Shtetit për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet. Sipas Çuçit, gjyqtari Papazisi kishte dhënë disa vendime të dyshimta në mbrojte të ndërtimeve të paligjshme.

Shqiptarja.com ka verifikuar pasurinë e deklaruar të gjyqtarit Elidon Papazisi, ku bien në sy vetëm shit-blerja e një numri të lartë makinash.

Ndërkaq, po gjatë ditës së sotme, Komisioni i Vetingut ka përjashtuar me 15 vjet nga drejtësia prokuroren e Elbasanit, Ermira Tafani, e cila dha dorëheqjen disa ditë më parë. Ditën e djeshme, Komisioni i Vetingut ka përjashtuar nga drejtësia prokuroren tjetër të Elbasanit, Armanda Xhaferri, e cila gjithashtu ka dhënë dorëheqjen. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut, ka shkuar në 80.(Shqiptarja.com)

360grade.al

Mirë Doktori, po Rama përse e urren Lulzim Bashën?

Të tjera