» Tryeza mbi bashkëpunimin kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore/ Lindita Nikolla: Duhen dënime më të ashpra për dhunuesit

Tryeza mbi bashkëpunimin kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore/ Lindita Nikolla: Duhen dënime më të ashpra për dhunuesit

Lindita Nikolla e konsideroi si prioritetin e saj si kryetare e Kuvendit, luftën kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Ajo theksoi se institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese, duhet të tregohen më efektive dhe më të ashpra në dënimet ndaj dhunuesve.

Kryetarja e Kuvendit mbajti fjalën në Tryezën e dytë mbi Bashkëpunimin kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe OPDAT. Në Tryezë mori pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm,  Olsian Çela, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, Këshilltarja Ligjore e programit OPDAT, Michelle Lakomy,

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka,  anëtarja e këtij komisioni Dhurata Çupi, drejtues e punonjës të sistemit të drejtësisë etj.

Tryeza u organizua në kuadrin e fushatës globale 16-ditore të ndërgjegjësimit kundër dhunës me bazë gjinore, 25 nëntor-10 dhjetor, e udhëhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe UN Women.

Pasi përgëzoi organizatorët për organizimin e Tryezës së Dytë mbi Bashkëpunimin Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Lufta kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës ndaj fëmijëve është një prioritet i imi, si Kryetare e Kuvendit, por edhe e Kuvendit, dhe ne veçanti e dy grupimeve të tij mbipartiake:  Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve dhe Aleancës së Grave Deputete. Unë, personalisht, por edhe Kuvendi i Shqipërisë,  iu bashkuam fushatave kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe kundër dhunës me bazë gjinore, për të dëshmuar se lufta kundër dhunës nuk është as vetëm një kauzë e shoqërisë civile, dhe as një betejë e shoqërisë civile me institucionet, por një kauzë e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Bashkëpunimi midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe OPDAT-it tregon se kjo luftë jo vetëm përbën një prioritet të Prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese, por edhe një prioritet të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë strategjik”.

Nikolla theksoi se në raportin e fundit të OKB-së janë botuar të dhëna mjaft shqetësuese për intensifikimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje gjatë dy viteve të pandemisë. Shqetësuese janë edhe shifrat për Shqipërinë. “Këto të dhëna duhet të përbëjnë një arsye më shumë, që të gjithë ne, por në radhë të parë institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese, të tregohen më të vëmendshme, më efektive, pse jo, edhe më të ashpra në dënimet ndaj dhunuesve. Edhe pse kemi një legjislacion të mjaftueshëm e të dobishëm dhe gjithashtu një kuadër instiutucional përgjithësisht të plotë, kundërqëndrimi institucional ndaj dhunës në familje nuk ka efektin e pritur. Ka një hendek të dukshëm midis përmbajtjes së legjislacionit dhe zbatimit të tij. Këtë hendek duhet ta evitojnë organet e sistemit të drejtësisë si edhe agjencitë ligjzbatuese.”

360grade.al

Mirë Doktori, po Rama përse e urren Lulzim Bashën?

Të tjera