» Liderët ushtarakë të SHBA-së kanë favorizuar mbajtjen e trupave në Afganistan

Liderët ushtarakë të SHBA-së kanë favorizuar mbajtjen e trupave në Afganistan

Zyrtarë të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, i kanë thënë Kongresit se kanë mbivlerësuar fuqinë e ushtrisë së Afganistanit dhe kanë besuar se SHBA-ja duhet të mbajë të paktën disa mijëra trupa në këtë shtet, për të paranadaluar marrjen e shpejtë të pushtetit nga militantët talibanë.

Në një seancë të shumëpritur më 28 shtator, Gjenerali, Mark Milley, i ka thënë Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, se ka qenë mendimi i tij personal se të paktën 2,500 trupa amerikane është dashur të jenë atje si roje kundër rënies së shpejtë të Qeverisë në Kabul. Gjenerali Frank McKenzie, i cili ka mbikëqyrur muajt final të përpjekjeve amerikane në Afganistan, ka thënë se është pajtuar me vlerësimin e Milleyt.

Të dy nuk kanë treguar se çka i kanë rekomanduar presidentit amerikan, Joe Biden, i cili është kritikuar nga republikanët për mënyrën si janë tërhequr forcat amerikane nga Afganistani në fund të muajit gusht. Biden fillimisht u ka kërkuar të gjitha trupave që të tërhiqen deri më 11 shtator, njëherësh përvjetorin e 20-të të sulmeve terroriste të Al-Kaidës në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë nxitur pushtimin e SHBA-së në Afganistan.

Ai më pas ka ndërruar datën, duke caktuar 31 gushtin si afat të fundit. Gjatë seancës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka mbrojtur largimin e ushtrisë nga Kabuli, që ka rezultuar me 13 ushtarë amerikanë të vdekur, si pasojë e një sulmi afër aeroportit të Kabulit. Austin ka thënë se do të jetë “e vështirë po absolutisht e mundshme” që të ndalen kërcënimet në të ardhmen nga Afganistani, pa trupa ushtarake atje.

 

 

Milley ka cituar “mundësi shumë reale” që Al-Kaida apo Shteti Islamik i Afganistanit të mund të rikthehen në Afganistan gjatë regjimit të talibanëve dhe të përbëjnë kërcënim terrorist për Shtetet e Bashkuara në 12 apo 36 muajt e ardhshëm. Al-Kaida ka përdorur Afganistanin e udhëhequr nga talibanët, si bazë për të planifikuar dhe ekzekutuar sulmet kundër SHBA-së më 11 shtator të vitit 2001.

Austin ka thënë se liderët e ushtrisë amerikane kanë besuar gabimisht se ushtria afgane që kanë ndërtuar dhe trajnuar për dy dekada, do të mund të luftonte kundër talibanëve. “Ne kemi ndihmuar në ndërtimin e shtetit, mirëpo nuk kemi mundur të krijojmë një komb”, ka thënë ai para Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura. “Fakti se ushtria afgane, të cilën e kemi trajnuar ne dhe partnerët tanë, ka rënë menjëherë – në disa raste edhe pa të shtëna – na ka zënë në befasi. Do të kishte qenë e pasinqertë nëse do të deklaroja ndryshe”.

Milley ka thënë se sipas gjykimit të tij, ushtria amerikane ka humbur aftësinë për të parë dhe për të kuptuar gjendjen e vërtetë të forcave afgane kur ka përfunduar praktikën e dërgimit të këshilltarëve sa afganët kanë qenë në fushëbetejë. “Nuk mund të matet zemra e njeriut me pajisje, duhet të jeni aty”, ka thënë Milley.

360grade.al

Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Të tjera