» Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Nga Artur ZHEJI

Rama me sa duket e ha dhe e shijon shumë shalqirin. Aq shumë sa, edhe kur duhet të bëjë nënvizime të rëndësishme gjeopolitike, ai, nuk ndahet dot nga shalqiri. Edhe sot, në Prishtinë, ndonëse u përpoq të mos merrej me shalqirin e Konispolit që zbukuron pemëtoret e Beogradit, si ilustrim pse duhet Open Ballkani, ai përsëri nuk ja doli. Me studentët në Prishtinë, ai, në zjarrminë e shpegimeve gjeopolitike, për ti dhënë kuptimin e thellë ekonomik të domosdoshmërisë së Open Ballkanit, përmendi përsëri shalqirin e Konispolit. Freskinë që ai shalqi duhet të ketë për të mbërritur, në pemëtoret e Beogradit, pa pengesa kufitare dhe doganore ndërballkanike. Mirëpo arroganca e Vuçiçit, për ca targa makinash, rrëfeu se sedra serbe nuk pranon as edhe një gërvishtje. Ndërkohë që “reciprociteti” e acaron pa masë. Sepse Beogradi ndjehet i fyer, vetëm nëse e trajtojnë si të barabartë, edhe për ca targa makinash, që shqiptarët nuk paskan të drejtë të kërkojnë në territorin e tyre. Sepse qartazi sipas serbit, shqiptarët, nuk janë në territorin ne tyre, por në tokë serbe.
Tani është e kuptueshme që në këtë gjëndje, kur kërcasin zinxhirët e tankeve, të rikujtosh gjeopolitikën e “shalqirit të Konispolit”, si “levë shtytëse” apo argument shpjegues të Openballkanërisë, bëhet qesharake. Dhe e dhimbshme, në të njejtën kohë, sepse rrëfehet kësisoj se si, kryeministri ynë, kryeministri i Kullave me shumë kate, mbetet në katin përdhes të gjeo-politikës.
Prandaj dhe me sa duket, studentja kosovare, në takimin që kryeministri ynë i kullave të larta që po mbysin Tiranën, bëri me të rinjtë në Prishtinë, ajo, i foli ëmbël po krejt pa lidhje, me temat e mprehta. Studentja gjeniale, me emrin Elvira apo diçka e tillë, e stigmatizoi thelbin e Ramës: “desha me thanë se, sa herë që del në Tv, je ikonë e modës… Pyetje nuk kam!”
Në të vërtetë që pyetjet për Ramën, duken se kanë mbaruar në Kosovën martire. Sepse, kur kërcasin zinxhirët e tankeve serbe, në Kosovë, nanat sytë i kanë drejt djemve dhe çikave të tyre, që mund të përballen me një konflikt të ri. Të tjerat janë fjalë, të cilat kryeministri i kullave të larta, po i ujdis gjithmonë e më përtueshëm dhe gjithmonë e më “sajueshëm”…

360grade.al

Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Të tjera