» Më të rrezikuar, fëmijët dhe familjet e mëdha/ Shqiptarët në kurthin e zyrtarëve, të vetmit në Europë pa minimum jetik

Më të rrezikuar, fëmijët dhe familjet e mëdha/ Shqiptarët në kurthin e zyrtarëve, të vetmit në Europë pa minimum jetik

Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që ende nuk ka zyrtarisht një minimum jetik të popullsisë dhe pas kësaj duket se ka ca aryse të forta që nuk vendoset. Gjithçka lidhet me dozën e detyrime financiare që ka shteti dhe biznesi ndaj punëtorëve.

Sipas raportit të Standardit të Minimumit Jetik në Shqipëri, megjithëse varfëria relative është ulur, rënia është e pakonsiderueshme dhe përqindja e popullatës në rrezik varfërie ose që jetojnë me të ardhura shumë të ulëta është 49%. Gati gjysma e popullsisë jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike.

Sipas Gentian Sejrani, përfaqësuesi i “Drejtësi Sociale” është urgjente që të miratohet një ligj i posaçëm apo ndryshime në ligjin aktual “Për asistencën sociale”. Sejrani e sheh të lidhur mungesën e përcaktimit të minimumit jetik me rritjen e kriminalitetit tek anëtarët e grupeve të margjinalizuara, që si burim të vetëm kanë ndihmën ekonomike.

“Miratimi i minimumit jetik është çështje sa urgjente po aq e nevojshme, pasi të jetuarit me dinjitet është e drejtë e cila garantohet me kushtetutë. Për këtë arsye duhet të sanksionohet koncepti i minimumit jetik si dhe fakti, se paprekshmëria e një minimum të tillë është e domosdoshme” shprehet ai.

Mjeti i vetëm i matjes së varfërisë sot në Shqipëri është pëdorur nga Banka Botërore e cila vlerëson se minimum jetik është afro 3 dollarë në ditë për frymë ose 100 dollarë në muaj.Në Raportin e Minimumit Jetik të 2020-ës theksohet se “Edhe pse koncepti i minimumit jetik është i parashikuar prej më tepër se 2 dekadash si një normë kufizuese për mbrojtjen e burimit të të ardhurave, kryesisht të punëmarrësve, mungojnë aktet nënligjore që përcaktojnë masën e minimumit jetik dhe përshtatjen e kësaj mase në planin kohor.”

Ekspertët thonë se kjo mangësi shërben si një premisë për standarde të dyfishta në mbrojtjen e të drejtave themelore të shtetasve në lidhje me garancitë që mund të të ofrojë legjislacioni nëse përcakohet minimum jetik.

Fusha praktike ku haset më së shumti kjo mangësi është kur duhet të ekzekutohen detyrimet monetare mbi pagat e punëmarrësve me të ardhura të ulta.

“Proceset ekzekutive mund të shkaktojnë rënien e kategorive të tilla të punëmarrësve në varfëri të skajshme nëse paga e tyre nuk mbrohet nga një minimum i paprekshëm”-thonë ekspertët.

“Megjithë përpjekjet e lavdërueshme të qeverisë shqiptare për të reformuar sistemin e mbrojtjes sociale, mungon përkufizimi i minimumit jetik në legjislacionin për mbrojtjen sociale,gjë që ndikon në hartimin e politikave për mbrojtjen sociale, sidomos në përcaktimin e qartë të qëllimit të tyre” vijohet në raport, ndërsa bëhet me dije se masa e ndihmës ekonomike që jepet në vendin tonë nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për ushqimin, por edhe për aktivitete të tjera të zhvillimit njerëzor për individët dhe familjet kur ata kanë nevojë.

Më të rrezikuar, fëmijët dhe familjet e mëdha

Sipas raportit, fëmijët dhe familjet e mëdha janë më të varfërat dhe grupet më të rrezikuara për të rënë në varfëri.

“Megjithë vëmendjen e rritur dhe ndryshimin e masës së ndihmës ekonomik ër këto grupe, ky ndryshim ka qënë minimal dhe pa ndikim për daljen e tyre nga varfëria. Kategorizimi, që bëhet për individët dhe familjet që mund të përfitojnë ndihmë , në legjislacionin për ndihmën eknomike dhe përfitimin e saj është shumë i detajuar dhe i komplikuar, duke krijuar mundësi që individë apo familje të caktuara të mos përfitojnë nga skema”, vijon raporti.

Investimi në politika të tjera, si politika e arsimimit, shëndetit apo punësimit që konsiderohen si politikat që ndikojnë më shumë në zbutjen e varfërisë dhe daljen nga varfëria, nuk ka ardhur në rritje, përkundrazi është më i ulëti në rajon.

Bazuar në analizën e kryer në interes të këtij raporti, vlera e minimumit jetik për vitin 2019 në Shqiperi ishte përafërsisht 17, 875 Lekë.

“Vlera e përllogaritur në këtë studim e minimumit jetik në Shqipëri është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale”, theksohet më tej.

Nga specialistët rekomandohet që të vendoset sa më parë një standard normativ me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe të sigurohen garancitë e qytetarëve në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës.

“Minimumi Jetik duhet të sigurojë jetesë dinjitoze me shërbimet bazike dhe duhet t’u mundësojë njerëzve që të marrin pjesë aktive në shoqëri, pavarësisht nga aftësia e tyre për të punuar”-thuhet në raport.

Marrë nga GazetaSI

360grade.al

Rama dhe OpenBallkan gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit!”

Të tjera