» Nuk i pashë në fushatë kundër Ramës, sot të gjithë në fushatë kundër Lulit… (Pse?!)

Nuk i pashë në fushatë kundër Ramës, sot të gjithë në fushatë kundër Lulit… (Pse?!)

Nga Artur ZHEJI

Marshalli tani me të drejtë e ka rradhën të shkrythet ngeshëm, të hedhë vështrimin mbi Pashallëkun Arnautistan e të shplodhet dhe pse jo, edhe të argëtohet disi lezetshëm mbas lodhjes jo të vogël që përjetoi.
Mirëpo; kush të le të rrish rehatinë tënde, brenda tutave të gjera e pa kokëçarje?! Marshalli nuk ka kohë të argëtohet as ca orë, me laptopin në prehërin hallemadh, dhe me kalkulatriçen ndezur.
Sepse ndërkohë, pa mbaruar raportimi final i Njuz 24, me kollonat e përqindjeve, ka filluar një betejë paralele dhe e pritshme.
Jo kundër Marshallit dhe “fitores” së diskutueshme të Partisë Socialiste, por pikërisht në oborrin e Partisë Demokratike. Që është tashmë, duhet nënvizuar kjo, Partia më e “rrezikshme”, kundër pushtetit të tij të pafund prej Marshalli dhe më shumë…
Është e habitshme kjo luftë, sepse topat e zhurmshëm që filluan të zbrazen kundër Lulëzim Bashës këto orë, ishin ca topa fare të heshtur në betejën e Lulit kundër Marshallit.
Si nuk i pamë, qoftë edhe rastësisht në ndonjë cep publik fushate, këta topçinjtë me topa anti-Basha, të gjuanin ndonjë gjyle kundër Ramës?
Ue, ue, ue! Të gjitha gjylet në topat e tyre, këta topçinjtë e këtyre orëve, kundër Lulit, Kryetar i Partisë Demokratike, i paskëshin ruajtur dhe u paskëshin ndezur fitilat?
Diçka e rëndësishme nuk shkon në këtë mes.
Padyshim që duhet të kishte dhe të ketë një debat të fortë brenda Partisë Demokratike. Klasi do e donte me dyer të mbyllura dhe pa media. Por sidoqoftë debat dhe jo sulm!
Sepse Partia Demokratike, në këtë betejë, kundër kësaj makinerie elektorale plot me super të pasur, nuk kishte as media, as mjete dhe as miell e euro për fushatë, por vetëm një Ftesë dhe një Kontratë Morale!

E çfarë duan sot këta?
Ikjen e Lulëzim Bashës apo mandatin e katërt të Edi Ramës?
Sepse si mund të farkëtohet një lider i ri dhe garantues i fitores së ardhshme në kaq pak kohë?
Vërtet në vitin 2005, Rama konkuroi kundër Fatos Nanos, porse Rama (sot Marshalli), ishte dikushi që asokohe, nuk kish nevojë të qëndronte për vite për tu kolauduar në kantierin politik… E megjithatë, humbi jo pak zgjedhje, në vitin 2009 dhe në vitin 2011.

Nuk dua të paragjykoj askënd, ndoshta duhen edhe zgjedhje të brendëshme në PD, ndoshta.
Por nuk më hiqet mendja që, në këtë luftë edhe me aromë baruti, me pistoleta dhe thika jo metaforike por reale nën brez, nuk i pashë në fushatë kundër Ramës, asnjë nga këta, që sot janë në fushatë kundër Lulit… (Pse?!)

360grade.al

50 milionë mesazhe për të “vrarë” Lulzim Bashën! Por…

Të tjera