» Shpirti rebel i Diegos/ “Shit çatitë me flori miku im dhe bëj diçka për fëmijët e varfër”, kur Maradona bënte sherr me Papën në Vatikan

Shpirti rebel i Diegos/ “Shit çatitë me flori miku im dhe bëj diçka për fëmijët e varfër”, kur Maradona bënte sherr me Papën në Vatikan

Diego Armando Maradona është ndarë nga jeta e përditshme fizikisht, por ai do të mbetet përjetë gjallë, më prezent se kurrë, jo vetëm për magjitë në fushën e lojës, por edhe për personazhin që ishte.

Shpesh herë, për të mos thënë gjithmonë kundër rrymës, Diego largohet në moshën 60-vjeçare, për më shumë në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të një tjetër legjende, si irlandezo-veriori Xhorxh Best, apo akoma më shumë në 4-vjetorin e Fidel Kastros, diktatorit të Kubës, por një prej miqve më të mirë të tij, duke lënë pas edhe shumë fraza emblematike.

Ja disa prej tyre:

– Penalltitë i gabon vetëm ai që ka kurajon t’i godasë.

– Nëse do të isha i veshur me një kostum të bardhë në dasmën time dhe do të më vinte përballë një top me baltë, do ta stopoja me gjoks pa u menduar dy herë.

– Nuk mund të jesh fenomen çdo ditë të vitit. Edhe Maradona jo gjithmonë luante prej Maradone.

– Kam dy ëndrra: E para të luaj një Botëror dhe e dyta ta fitoj atë (qershor 1978).

– Dua të shndërrohen në idhullin e djemve të varfër të Napolit, sepse ata janë siç isha unë në Buenos Aires.

– Po, kam bërë sherr me Papën. U grinda me të sepse isha për vizitë në Vatikan dhe pashë çatitë e tij plot ar dhe më pas dëgjova Papën të thoshte në kishë, se shqetësohej për fatet e fëmijëve të varfër. Atëherë iu ktheva dhe i thashë: “Shit çatitë me flori miku im, bëj diçka”. (9 nëntor 1985, pasi asistoi në Vatikan në meshën e Papa Gjonpalit II).

– Në fushë nuk luftohet me armë, por me top. Gjithsesi jo, nuk di të flas anglisht, por edhe sikur ta njihja këtë gjuhë nuk do ta flisja. (22 qershor 1986, përpara sfidës me Anglinë, në Botërorin e Meksikës).

– Goli i parë? Pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit. Goli i dytë një mrekulli? Më falni, e vetmja mrekulli që njoh është Rakel Velsh. (29 qershor 1986, qyteti i Meksikës, pas dopietës historike kundër Anglisë, gol me dorë dhe golin e shekullit)

– Nuk e preka unë atë top, ishte dora e Zotit. (29 qershor 1986, qyteti i Meksikës, pas dopietës historike kundër Anglisë)

– Të luash pa publik është njësoj sikur të luash brenda një varreze. (16 shtator 1987, pas Real Madrid-Napoli me dyer të mbyllura)

– Trofeu më i bukur? I fundit, sepse është më i freskëti. (17 maj 1989, duke hyrë në “San Paolo” me Kupën UEFA të sapofituar.

– E di që i kam bërë keq pikësëpari vetes, familjes dhe vajzave të mia. Besoj se në të ardhmen do të mësoj që ta dua më shumë veten, të mendoj më tepër për të. Gjithsesi, nuk më vjen turp aspak, sepse fundja s’i kam bërë keq askush, përveçse vetes time dhe të dashurve të mia. Më vjen keq, ndien një malinkoni të thellë, vetëm këtë… Nuk dua më të jem i detyruar të luaj edhe kur nuk jam në gjendje, të vazhdoj të lejoj që të më infiltrojnë kortizon, sepse duhet të jem në fushë me detyrim për abonimet, arkëtimet, apo sepse duhet fituar një ndeshje qoftë për titullin, ashtu sikurse për mbijetesën. Në çdo ndeshje duket sikur luhet për jetën, jo për pasionin. Mua psikologët po mundohem të më heqin vesin e kokainës, jo atë të të jetuarit. (15 gusht 1992, pas pozitivitetit ndaj kokainës).

– Nëse Napoli nuk më lë të lirë do të jem një kufomë futbollistike. (16 korrik 1992, Maradona kërkon të mbyllë aventurën në Itali).

– Dua të luaj edhe kur e kam meniskun copash. Ai që është i kujdesshëm nuk arrin kurrë i pari. Unë kam ndërmend të luaj dhe të fitoj. Kjo është çmenduri? Atëherë do bëj të çmendurin gjatë gjithë jetës sime. (12 dhjetor 1992, te Sevija).

– Nuk do të luaj më. Nuk dua t’u jap mundësinë njerëzve si Havelanzh apo Blaterit të më plagosin, të më bëjnë keq. (5 janar 1995, në Paris, pas dorëzimit të “Topit të Artë” në duart e Zhorzh Ueahsë).

– Arbitrat tanë do të ishin shumë të zotë në stadiumet pa publik. Por sapo shohim 50 mijë spektatorë dhe kamerat televizive duan të transformohen në yjet e këtij spektakli. (2 shkurt 1995).

– Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë një i droguar. (4 janar 1996)

– Janë të shumtë që duan të më japin një pistoletë që të vetëvritem. Por mjaft m’u lutet. (3 shtator 1997)

– Në klinikën ku ndodhem është ka disa njerëz që mendojnë se janë Napoleoni, apo ndonjë tjetër Robinson Kruzoja. Askush nuk më beson kur them se jam Maradona. (viti 2004)

– Jam 45 vjeç dhe nuk mendoj të luaj sërish. Nuk kam kurajo që të mos e respektoj më dot topin. (28 dhjetor 2009, pasi mori ofertën që të rikthehej në fushë, me një skuadër të kategorisë së tretë argjentinase)

– Flet ai që e ka humbur virgjërinë me një mashkull. (27 mars 2009, Diego i përgjigjet Pelesë, pasi ky i fundit e akuzoi se nuk është një shembull për të rinjtë).

– Ndoshta, nëse do kisha përfunduar te Juventusi, do të kisha pasur një karrierë më të madhe, më të qetë dhe më fituese. Nuk kam asnjë peng, por për atë klub kam pasur gjithmonë admirim dhe respekt. (2 dhjetor 2009)

– Nuk bëj kurrë konferenca për shtyp me lojtarë përkrah meje. Jam mësuar që ta kem skenën të gjithën për vete. (3 mars 2010, në Mynih, Maradona nuk pranon që të ndajë konferencën për shtyp me Mylerin e Gjermanisë).

– Të shohësh Mesin të luash është më mirë sesa të bësh seks.

– Havier Pastore është një i paedukatë i botës së futbollit, një i çmendur që luan një futboll hyjnor.

– Kristiano Ronaldo është një markë e regjistruar, një fenomen i jashtëzakonshëm. Do ta lejoja që të luante edhe në natën e vonë, sepse ai nuk fshihet kurrë. Nuk pranon kurrë të mungojë edhe nëse ka një dhimbje në kavilje. Çfarë karizme! Shkon në fushë, njësoj sikur të shkonte në tualete. Me të njëjtin normalitet.

– I vetmi më i çmendur se unë ishte Xhorxh Best.

– E vetmja Maradona femër është Ornela Muti.

– Unë jam i majtë, i gjithi i majtë, me këmbë, me fe, me tru./PANORAMASPORT.AL

360grade.al

Do të vijë Dita që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por …

Të tjera