» Shembulli i Tiranës dhe rasti i Potenzas në Itali, ku 40 vjet pas tërmetit, 350 familje jetojnë ende në gërmadha

Shembulli i Tiranës dhe rasti i Potenzas në Itali, ku 40 vjet pas tërmetit, 350 familje jetojnë ende në gërmadha

Gati një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, shumica e familjeve të Tiranës që pësuan dëme të rënda në banesat e tyre individuale, po futen në banesat e tyre të reja, të rindërtuara, ndërkohë që qindra familje të tjera me dëme më të lehta, i kanë marrë tashmë pagesat. Por, jo shumë larg kryeqytetit shqiptar, në provincën e Potenzas në Itali, koha duket se ka ndaluar.
Në 23 Nëntor të vitit 1980, një tërmet i fuqishëm shkatërroi gjithë zonën, duke shkaktuar 2.900 viktima. E teksa kanë kaluar 40 vite nga tragjedia, 350 familje në Bucaletto të Potenza-s jetojnë ende në ndërtesa parafabrikate, të cilat asokohe u ndërtuan për të strehuar provizorisht ata që mbetën pa një çati mbi kokë. Corriere della Sera shkruan se pavarësisht kohës që ka kaluar dhe parave të alokuara për dëmet e tërmetit, banorët jetojnë ende në gërmadha.
2020 dukej një vit shpresëdhënës për banorët e Potenza-s, por pandemia botërore e Covid 19 bëri që çdo gjë të bllokohet sërish.

Qëllime pozitive
Sipas planit urbanistic, provinca e Bucaletto-s do të shndërrohej në një kampus universitar, një qytet model i rilindur. Njëkohësisht, po mendohej për ata që panë shtëpitë e tyre të rrëzoheshin para syve, kur tërmeti 6.9 ballë goditi zonën. Kështu që, mes viteve ’81 dhe ’82, u ndërtuan shtëpi prej druri dhe betoni në periferi të zonës.
“Po flasim për shtëpi 40-70 metër katror”, thotë Rocco Quaratino, Presidenti i shoqatës “Città bella”, që në atë kohë, kur tërmeti goditi vendin, ishte 13 vjeç, ndërsa tani është 53. Ai vijoi duke thënë se shtëpitë asokohe u përdorën për t’u dhënë një strehim të përkohshëm familjeve që mbetën në rrugë. “Edhe familja ime ka jetuar në një shtëpi të tillë, por për një kohë të shkurtër”, theksoi ai.

Veteranët dhe të ardhurit
Jo të gjitha familjet e Bucaletto-s kanë pasur të njëjtin fat; vetëm 350 prej tyre janë ende në ndërtesat e parafabrikuara, pavarësisht 66 miliardë eurove të alokuara gjatë gjithë vitit 2010.
“Jo të gjithë banorët e zonës janë veteranë të vërtetë të tërmetit të vitit 1980, por 10-15% e tyre po”, tha presidenti i “Città Bella”.

Një pritje 40-vjeçare
Është ende mistër pse ende pas 40 vjetësh, askush nuk ka qenë në gjendje të heqë ndërtesat e parafabrikuara dhe t’i zëvendësonte ato me ndërtesa të reja. Paratë nuk ishin problem: ato që duhej të shpenzoheshin për rindërtim, kohët e fundit iu shtuan edhe 38 milion, të vendosura në dispozicion të Basilicata-s nga ligji për rizhvillimin e periferive. Rajoni gjithashtu, ka ndarë 15 milion për të ndërtuar 150 banesa. Dukej koha e duhur, por nuk kishte asnjë studim gjeologjik mbi tokën në të cilën do të ngriheshin themelet, raporti i teknikëve pritej në mars, përfshirë edhe izolimin nga Covid-19, e sërish pritja për banorët e ndërtesave parafabrikate është shtyrë akoma.

“Sigurisht që, nuk është çështje parash, por vullneti politik. Të gjitha administratat që morën drejtimin e qytetit, të djathta apo të majta, e përdorën këtë zonë për premtimet e tyre elektorale, por lanë gjithçka ashtu siç ishte. Ne nuk dorëzohemi, jemi të zemëruar, por në të njëjtën kohë jemi të vëmendshëm ndaj asaj që mund të ndodhë”, përfundoi Rocco Quaratino.
Burimi : https://www.corriere.it/cronache/20_settembre_16/potenza-quartiere-bucaletto-40-anni-terremoto-350-vivono-prefabbricati-6d568426-f73f-11ea-93fd-0a842553a1d8.shtml

360grade.al

farma
Do të vijë Dita që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por …

Të tjera