» Pirlo debuton si trajner, Juve nis misionin për titullin e 10 radhazi

Pirlo debuton si trajner, Juve nis misionin për titullin e 10 radhazi

uventusi fillon mbrojtjen e titullit në Serinë A të dielën në mbrëmje, teksa do të presë në Torino skuadrën e Sampdorias. Edicioni i 119 i kampionatit italian i shikon përsëri bardhezinjtë tepër favoritë për të koleksionuar titullin e radhës në Apenine. Vitet kalojnë, kohët ndryshojnë e megjithatë “zonja e vjetër” është duke regjistruar shifra të çmendura, që vetëm sa e shkëpusin akoma më shumë ekipin e famshëm piemontez nga klubet e tjerë ndjekës.

Tani duket sikur gjithçka është zbutur dhe mllefi për titujt e hequr nga kampionatet e fituar në vitet 2005 e 2006 ka rënë ndjeshëm, madje bardhezinjtë janë duke bërë kërdinë dhe statistika të tilla nuk i ka as Bajerni i Mynihut në Bundesligë, Paris SG në Le Championnat apo Barcelona në Primera Division. I vetmi klub që po dominon në po të njëjtën mënyrë është Celtic në Scottish Premier, sidoqoftë nuk mund të ketë kurrfarë krahasimi mes 9 titujve të fituar nga “the hoops” në Skoci dhe 9 “scudetto”-ve që ka siguruar radhazi Juventusi në Itali.

Para këtij mijëvjecari të ri Serie A përfaqësonte me diferencë kampionatin më të vështirë, më të fortë, më të bukur apo dhe më spektakolar në rruzull dhe ishte vitrina ku shfaqeshin pikërisht futbollistët më të talentuar në glob, e në mënyrë të kuptueshme rivaliteti ishte në nivele të jashtëzakonshme. Kështu në vitin 1985 titulli u fitua nga Verona e Osvaldo Banjolit, ndërsa në vitin 1991 në kampionat triumfoi Sampdoria e drejtuar nga Vujadin Boshkov. Tani, shumë vite më pas “zebrat” po dominojnë Serinë A si kurrë më parë, deri në atë pikë sa drejtuesit ndryshojnë trajnerët, lëvizin lojtarët e përsëri përfundimi është po i njëjtë.

Të vetmin trofe në Itali Maurizio Sarri e kishte fituar në Kategorinë e Katërt, me një klub krejtësisht të panjohur si Sansovino, gjithsesi tani 61-vjecari napolitan krenohet pikërisht me trofeun më të lakmuar në gadishull. 3 tituj Antonio Conte, më pas radhën e pati Massimiliano Allegri me plot 5 “scudetto” të fituar rresht, ndërsa kampionati i fundit u fitua pikërisht me Sarri-n në timon. Krerët e klubit vendosën të ndryshojnë sërish dhe stafetën e mori Andrea Pirlo, që si futbollist me fanellën e Juves ka fituar 4 kampionate, si dhe 1 herë Kupën e Italisë dhe 2 herë Superkupën e vendit.

Titulli i fituar në sezonin 2019-20 ndoshta është më i vuajturi për klubin bardhezi dhe pavarësisht gabimeve të shumta apo dhe rivalitetit që shoqëroi kohë pas kohe Serinë A, përsëri bardhezinjtë ia dolën për të mbajtur në distancë sigurie Interin, Lacion apo dhe Atalantën. Natyrisht Andrea Pirlo në detyrën e tij të parë si trajner i gjen të gjitha gati, për më tepër 41-vjeçari lombard e njeh vërtet shumë mirë frymën e klubit dhe ka njohje të thellë gjithashtu edhe me drejtuesit më të lartë, prandaj është e qartë që ish-mesfushori i mrekullueshëm, një ndër më të mëdhenjtë e këtij sporti, i famshëm për vizionin e tij të lojës, kontrollin e topit, pasimet, krijimtarinë e tij në fushë si dhe gjuajtjen e tij tepër të veçantë në goditjet e dënimit, nuk do të ketë atë ndjenjën e kuptueshme të presionit, ndjenjë që vjen natyrshëm në rrethana të tilla.

Në takimin e parë Andrea Pirlo nuk do të ketë në dispozicion emra të tillë si Dybala, De Ligt, Alex Sandro dhe Bernardeschi, sidoqoftë në gjirin e skuadrës janë afruar tre mesfushorë si Arthur, McKennie dhe Kulusevski, ndërkohë janë larguar nga ekipi Miralem Pjanic, Blaise Matuidi, Gonzalo Higuain dhe Marko Pjaca.

Ndeshja do të luhet në “Allianz Stadium” në orën 20:45 dhe skuadra gjenoveze duket e pashpresë, duke patur parasysh faktin që pavarësisht vështirësive të theksuara dhe luhatjeve të shumta të edicionit të kaluar, në sezonin e shkuar Juventusi mori plot 50 nga 57 pikët e mundshme në sfidat në shtëpi. Në Torino “zonja e vjetër” ka fituar 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre dhe bardhezinjtë do të bëjnë çmos për ta nisur me këmbën e mbarë, duke patur parasysh që kalendari i ofron menjëherë në dy sfidat e radhës Romën dhe Napolin.

Megjithatë emocionet e Serisë A do të fillojnë që në orën 12:30, kur në ekranin e Supersport do të transmetohet sfida mes Parmës dhe Napolit, për të vijuar më pas në orën 15:00 me përballjen Genoa-Crotone dhe në orën 18:00 me ndeshjen Sassuolo-Cagliari./supersport

360grade.al

farma
Do të vijë Dita që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por …

Të tjera