» “Java e parë e shkollës dështoi! Mbi 50 mësues të infektuar, s’ka higjienë”

“Java e parë e shkollës dështoi! Mbi 50 mësues të infektuar, s’ka higjienë”

“Java e parë e vitit të ri shkollor dëshmoi që qeveria ishte e papërgatitur për pritjen e nxënësve dhe të mësuesve në kushte pandemie”.

Është kjo deklarata e bërë këtë të shtunë nga ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, e cila thotë se Edi Rama mashtroi me premtimin për rindërtimin dhe hapjen e shkollave të dëmtuara nga tërmeti në këtë shtator.

Sipas saj, asnjë nga 103 shkollat e shembura dhe dhjetëra të dëmtuara rëndë nuk ishin gati për rreth 23 mijë nxënës dhe mësues.

Vokshi deklaroi se në javën e parë të vitit të ri shkollor doli në pah shqetësimi kryesor i opozitës dhe i prindërve se në rreth 80% e shkollave nuk ka kushte higjienike dhe infrastruktura e dobët shkollore nuk krijon kushtet për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

“Kjo ka ndodhur sepse në 8 vjet, investimet e kësaj qeverie në arsim kanë shkuar vetëm për fasadën, asgjë për kushtet reale që ndihmojnë nxënësit dhe mësuesit. 25 milonë euro ka mbledhur Erion Veliaj taksë për infrastrukturën shkollore në Tiranë, por këto para nuk kanë shkuar për përmirësimin e kushteve të shkollave në Tiranë. Me 25 milionë euro duhet të ishin ndërtuar të paktën 10 shkolla supermoderne ose të ishin transformuar dukshëm të gjitha shkollat e kryeqytetit. Këta na rrisin taksat dhe pastaj taksat zhduken pa dhënë askush llogari ku shkojnë. Qeveria nuk shtoi asnjë qindarkë për të rritur sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve”, u shpreh Vokshi.

Më tej tha se vetëm nga të dhënat e opozitës, në të gjithë vendin kanë rezultuar të infektuar që javën e parë më shumë se 50 mësues, edukatorë dhe sanitarë.

Në mënyrë të detajuar tha se në Tiranë janë dy shkolla të mëdha me mësues të infektuar, gjimnazi “Ismail Qemali”, ku nëndrejtoresha ka rezultuar me Covid, duke infektuar edhe dy mësuese të tjera.

Në vijim akuzoi se gjithçka është mbajtur e fshehur deri në denoncimin e një mësueseje, ndërkohë që janë testuar një numër i kufizuar mësuesish.

Ish-deputetja demokrate tha se tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” ka më shumë se 5 mësues të infektuar, por situata kritike mbahet e fshehtë, tek shkolla “Jerodim De Rada”, 10 mësues janë të infektuar dhe 12 të tjerë të karantinuar; Në Delvinë janë 3 të infektuar: 1 mësuese, 1 edukatore kopshti dhe 1 sanitare; Në Sarandë janë 9 mësues, edukatorë dhe sanitarë të infektuar; Në Ersekë janë 12 mësues të infektuar.

“Edhe në Bulqizë janë 4 mësues me Covid, por nuk është urdhëruar pezullimi i mësimit siç parashikonte edhe vetë udhëzuesi i qeverisë.

Kushtet janë skandaloze në të gjithë vendin. Në dhjetëra shkolla mungojnë termometrat, si masa më elementare anticovid. Qeveria e Shqipërisë është shumë mbrapa asaj të Kosovës, e cila ka certifikuar të gjitha shkollat e saj. Në Kosovë e dinë se cila shkollë i përmbush kushtet higjeno-sanitare dhe cila jo. Vetë Ministri i Arsimit ka dalë në inspektime që përpara vitit të ri shkollor. Ndërsa tek ne, bëhet vetëm propagandë pa marrë asnjë masë konkrete”, deklaroi ndër të tjera Vokshi.

Ajo shtoi se për mësuesit dhe edukatorët duhet pa vonesë testim masiv dhe se nuk është një investim i madh në para, janë më pak se 2 milionë dollarë, të cilat sigurojnë testim kombëtar për Covid -9 dhe testim serologjik, nëse mësuesit e kanë kaluar apo jo virusin.

Vokshi kërkon testim për mësuesit dhe stafin në shkolla, ujë të rrjedhshëm ne shkolla, termometrat dhe dezinfektantët, maskat falas në shkolla, marrjen e masave për të shmangur grumbullimet e familjarëve, transporti brenda kushteve të sigurisë janë vetëm disa nga masat më elementare që qeveria duhet të marrë me urgjencë përpara se të jetë shumë vonë.

“Mungesa e kushteve të sigurisë për shëndetin ka krijuar që tani gropa të mëdha në arsim. Orët e shkurtuara dhe mbingarkesa torturuese për mësuesit janë 2 tregues të rëndësishëm se dijet e fëmijëve në shkolla do të jenë të cunguara”, tha në mbyllje ish-deputetja demokrate. /

360grade.al

farma
Do të vijë Dita që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por …

Të tjera