» Dritan Shano: Të zhytur në borxhe! Nuk ka më kohë, Rilindjes i duhet shkulur dora nga xhepi i shqiptarëve.

Dritan Shano: Të zhytur në borxhe! Nuk ka më kohë, Rilindjes i duhet shkulur dora nga xhepi i shqiptarëve.

 

Qeveria raporton se borxhi publik ne Qershor 2020 arriti 10.2 miliard Euro ose 80% e PBB. Është niveli më i lartë i borxhit në rajon. Në 7 vjet qeveria e Rilindjes pranon se ka marrë rreth 4 miliard Euro borxh ose 30% të PBB. Në fakt, edhe drurët e Shqipërisë e dine se borxhi është akoma dhe më i lartë sepse Rilindja refuzon të njohë borxhet e PPP-ve dhe detyrimeve të prapambetura – këto e çojnë borxhin publik në mbi 90% të PBB. Sot, çdo shqiptar sapo lind ka 4500 Euro borxh, ose 1800 Euro më shumë se në vitin 2013, kur Rilindja morri pushtetin.

Të gjitha Qeveritë marrin borxh për të mbështetur rritjen ekonomike, për të ulur taksat, për ta bërë ekonominë më produktive, për të krijuar një klimë të mirë biznesi që tërheq investimet e huaja, për të rritur punësimin dhe prosperitetin aftagjatë.

Dhe qeveria e Rilindjes borxh ka marrë. Në emër tonë! Në këto 7 vjet, ajo ka qeverisur me dorën në xhepin tonë dhe të brezave që do vijnë, si asnjë qeveri tjetër para saj. Atëhere pse nuk i kemi punët mirë? Pse jemi më të varfërit? Pse ekonomia nuk prodhon të ardhura e punësim?

Pse në këto 7 vjet qeveria e rilindjes ka rritur borxhin më shumë se ekonominë, pa qenë në gjendje të prodhojë mirëqenie dhe punësim, përkundrazi ka shtuar emigrimin në nivele të një vendi në luftë. Pse, shqiptarët vazhdojnë të jenë më të varfërit e Ballkanit dhe numri i të varfërve sipas UNDP pritet të shtohet me disa qindra mijë?

Pse borxhi i marrë gjatë kësaj kohe nuk ka shërbyer si mjet që qeveria e Rilindjes të mos rriste taksat për më shumë të ardhura në buxhet, kur përkundrazi ajo i rriti taksat dhe barra fiskale që rëndon mbi bizneset dhe qytetarët është me 36.5%, nga më të larta në rajon?

Pse, borxhi i marrë nga Rilindja nuk ka shërbyer për një arsim apo për një shëndetësi më cilësor, përkundrazi, pagesat vjetore të borxhit në kufijtë 3 4% e PBB kanë ulur seriozisht mundësinë për të investuar në këta sektorë, alokimi buxhetor për të cilët është respektivisht vetëm 2.5% dhe 2.9% e PBB-se?

Pse Rilindja ka marrë gati 1 miliard Euro borxh nga Janari deri në Qershor 2020, dhe nga këto vetëm 120 milionë euro kanë shkuar që shqiptarët të mbanin vetëm frymën gjallë me 5.5 euro në ditë në këto muaj të vështirë? Ku kanë shkuar paratë tjera të marra borxh? A do zhyten ato në humnerën e vjedhjes së pastër në rrugën Milot-Fier? Apo do përdoren për të paguar ushtrinë e vet elektorale me rroga dhe pensione tash e mbrapa?

Pse Rilindja e cila ka notuar në para në këto 7 vjet – 2 miliard Euro i vijnë vetëm nga rritja e taksave, dhe më shumë se 5 miliard Euro nga rritja e borxhit publik – e ka ulur sot Shqipërinë në gjunjë? Pse shqiptari, i madh e i vogël, do të marrë arratinë prej saj?

Por ka edhe më! Rilindja nuk është ngopur ende. Pse Rilindja parashikon të marrë akoma dhe më tepër borxh në vitin 2021, duke e rritur borxhin publik me 30% më shumë?

Ka vetëm 2 përgjigjë për të gjitha këto pse. Paratë e marra borxh nga qeveria e Rilindjes janë para të harxhuara keq. Ato para nuk kanë hyrë në shtëpitë e shqiptarëve. Kjo mënyrë të harxhuari e parasë publike nga qeveria e Rilindjes e ka futur ekonominë në gropë, ka rritur taksat, ka asfiksuar biznesin dhe punësimin, dhe ka shtuar emigracionin si kurrë ndonjëherë.

Përgjigjet janë: në rastin më të mirë nga paaftësia e qeverisë, në rastin më të keq me qëllim për të financuar trillet urbane të liderit të vet suprem, dhe sidomos e veçanërisht, për të pasuruar në mënyrë selektive, hapur, pa frikë nga ndëshkimi i ligjit, grupin e vet të strukturuar të oligarkëve.

Në të dyja rastet qeveria e Rilindjes duhet rrëzuar nga pushteti pa vonesë dhe asnjë hezitim. Ajo nuk ka frikë nga ndëshkimi i ligjit, se ligjin e ka bërë kaps. I vetmi mjet që kemi në dorë është ndëshkimi i popullit. T’ja japim një orë e më parë.

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera