» Enton Abilekaj: Ndalimi i koalicioneve për të përmbushur një marrëzi që s’njeh më kufij

Enton Abilekaj: Ndalimi i koalicioneve për të përmbushur një marrëzi që s’njeh më kufij

Nga Enton Abilekaj-

Nuk është çështje teknike, as listash të hapura, ajo që ndodhi sot. Edi Rama, me besnikët e verbër në Parlament dhe me llumin që mbeti pasi opozita iku nga Kuvendi, ka vendosur ta mbajë pushtetin me Kushtetutë.

Nuk do lejojë koalicionet, ngre pragun për partitë me 5 për qind, shfrytëzon votën e administratës publike që e gjeti me 110 mijë punonjës dhe e çoi me 172 mijë sot, blen sa mundet vota dhe del partia e parë në zgjedhje.

Kështu mund të marrë me ligj votat e gjitha aleatëve të PD-së që nuk arrijnë dot pragun vetëm, blen ndonjë deputet nëse i duhet, ose i ofron Lulzim Bashës një koalicion të madh.

Nëse dështon e bën me LSI.

Këto ishin fantazi të çmendura, që dukeshin si paranoja deri sot. Analizoheshin si një variant utopik i një njeriu të dëshpëruar që nuk do ta lëshojë karrigen nga frika e atyre që ka bërë 8 vjet dhe nga pangopësia për pushtet dhe para, por fjalë për fjalë u pranuan nga Edi Rama.

U duk si fantazi e çmendur që të hidhej poshtë marrëveshja e 5 qershorit që u arrit me shumë mund, por sot në Komisionin e Ligjeve, krejt papritur deputetët e PS dhe të asaj që nuk dihet pse, quhet opozitë parlamentare, u votua për shkeljen e saj.

Pas pak, Edi Rama doli për ta justifikuar në Konferencë shtypi. Shkelësi i marrëveshjes tha se nuk ka ndryshuar rregullat e lojës, ndërsa po ndryshonte Kushtetutën.

Madje tha se asgjë nuk do preket nga marrëveshja në Këshillin Politik, por i duhet marrëveshje edhe me opozitën Parlamentare.

Foli me argumentet e Myslym Murrizit, kur tha se koalicionet janë dëmi më i madh që i bëhet vendit, ndërkohë që në 2013 vetëm koalicioni e solli në pushtet. Tha se koalicionet tjetërsojnë vullnetin e votuesit, që voton për tjetërkënd dhe votën e merr tjetërkush dhe i minimizoi ndryshimet e tjera, për t’i fshehur me listat e hapura.

Le t’i marrim një nga një argumentet e Edi Ramës. E para është se nuk e ka prishur marrëveshjen, sepse çdo gjë që është në marrëveshje do votohet, por do ndryshojnë disa gjëra të tjera. Këto gjërat e tjera lidhen pikërisht me zgjedhjet, madje me organizimin e opozitës në zgjedhje.

Moslejimi i koalicioneve ndikon direkt mbi opozitën, por ai e quan që nuk ndryshon rregullat dhe nuk prish marrëveshjen. Po sikur në Kushtetutë të shtohet një nen që thotë “Edi Rama do të jetë kryeministër pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve”, a është prishje e marrëveshjes? Me logjikën e Ramës jo, sepse në marrëveshjen e 5 qershorit nuk shkruhet asgjë që ta ndalojë këtë.

E dyta, është që Rama pretendon se i duhet të bëjë 2 marrëveshje, edhe me opozitën jashtë parlamentit edhe me atë brenda. Formatimi i Këshillit politik e përgënjeshtron këtë.

Në përbërje të tij ishte edhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e asaj që quhet nga Rama, opozitë Parlamentare.

Ajo firmosi pro marrëveshjes, kështu që argumenti i dy marrëveshjeve bie. Për më tepër, që ishte maxhoranca që e hodhi poshtë propozimin e Rudina Hajdarit për rishikimin e sistemit në Këshillin Politik.

Pse e hodhi poshtë në Këshillin Politik dhe pse negocioi jashtë këshillit me “opozitën parlamentare”? Sepse propozimet nuk qenë të njëjta.

Rudina Hajdari kërkonte vetëm ndryshim të sistemit zgjedhor dhe lista të hapura, ndërsa propozimi i Murrizit dhe çfarë dolën pas Murrizit, kërkonte moslejimin e koalicioneve.

Pra Rama, nuk donte të negocionte me “opozitën parlamentare” të Murrizit, por me veten, me draftin e përgatitur nga Ilir Rusmajli për llogari të Gramoz Ruçit dhe të firmosur nga mbetjet e opozitës.

E treta është që koalicionet nuk e deformojnë vullnetin e votuesve, përkundrazi janë garanci që vota për partinë që do të mos shkojë në favor të një force që nuk ka asnjë lidhje me të.

Nëse dikush voton LZHK e Dashamir Shehit, për shembull, e di paraprakisht që vota e tij do t’i shkojë Shehit dhe koalicionit që ka zgjedhur ai. Nëse nuk lejohen koalicionet, vota për Shehin ndahet mes PS dhe PD dhe, në rastin më të mirë, në çdo 2 vota, 1 i shkon kundërshtarit të Shehit.

Në fund, pretendimi i Edi Ramës se po i shërben interesave të vendit, mbetet më qesharaku. SHBA dhe BE, njëzëri këtë herë kanë kërkuar kodifikimin e shpejtë të marrëveshjes dhe kanë paralajmëruar reagim kundër ndryshimeve të njëanshme.

Ambasadori gjerman, Zingraf, dje në Deutch Welle, i përmendi 3 kushtet për të marrë datën e takimit të parë për Kornizën e Negociatave. I pari ishte votimi i marrëveshjes së 5 qershorit, i dyti hetimi i akuzave për blerjen e votave dhe i treti, fillimi i punës së Gjykatave Kushrtetuese dhe të Lartë.

Edi Rama e ktheu në pikën zero, vendosi ta izolojë vendin, të krijojë një problem me SHBA dhe BE, për të nisur kursin e pushtetit të pakufijshëm që e varfëron vendin më shumë dhe i largon shqiptarët përgjithmonë. Prandaj, përtej teknikaliteteve, ky vendim është shkatërrimtar për vendin.

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera