» OSBE rrëzon synimin e Ramës për shmangien e koalicioneve parazgjedhore

OSBE rrëzon synimin e Ramës për shmangien e koalicioneve parazgjedhore

“Nëse një shtet pjesëmarrës i OSBE-së vendos të ndryshojë sistemin zgjedhor, ne mund të ofrojmë

mbështetje për procesin nëpërmjet të cilit kryen këto ndryshime. Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”.

Kështu është shprehur përfaqësuesi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, këshilltari për Reformën Zgjedhore, Florian Hobdari, në mbledhjen e përbashkët të këshillit të legjislacionit e komisionit të ligjeve, për ndryshimet kushtetuese.

Ai ka deklaruar se Prezenca e OSBE-së është e gatshme të asistojë këtë proces, por duke theksuar se implementimi i ndryshimeve Kushtetuese, veçanërisht i sistemit zgjedhor, kërkon kohën e duhur, sipas tij 1 vit.

Fjalimi i plotë

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj, në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për ftesën në këtë tryezë diskutimi.

Shqyrtimi i nismave ligjore në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës përbën padyshim moment shumë të rëndësishëm, veçanërisht kur, siç është edhe rasti i sotëm, me anë të nismës kërkohet ndryshimi i disa elementëve të sistemit zgjedhor që parashikohen në ligjin themelor të vendit.

Duke e vlerësuar fazën e konsultimit publik të kësaj nisme si shumë të rëndësishme, Prezenca e OSBE-së i mirëpret këto seanca dëgjimore që po organizohen në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim grumbullimin e mendimeve të sa më shumë aktorëve të shoqërisë dhe, gjithashtu, e nxit këtë proces këshillimor, si një prej elementëve thelbësorë të transparencës parlamentare.

Së bashku me ftesën në këtë mbledhje, ne u njohëm edhe me projektligjin e depozituar zyrtarisht në Kuvend.

Për arsye të rëndësisë të veçantë që ka çështja e ndryshimit të sistemit zgjedhor, ne po i ndjekim me shumë vëmendje diskutimet në lidhje me të. Gjithashtu, po ndjekim nga afër edhe procesin në Kuvend, proces i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës, të bëhet në kohën e duhur dhe të bazohet mbi një analizë që shpjegon përse nevojitet ndryshimi.

Kur diskutohet tema e sistemit zgjedhor, është e shumë e rëndësishme të theksojmë, si gjithmonë, se OSBE-ja nuk ka qëndrim apo preferencë mbi përzgjedhjen e sistemit nga ana e një shteti pjesëmarrës. Kjo është arsyeja që ODIHR-i nuk nxjerr rekomandime në lidhje me ndryshimin apo modifikimin e sistemit. Përzgjedhja e sistemit zgjedhor përbën vendim sovran të çdo shteti, me kusht që sistemi të jetë në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare – duke garantuar, veçanërisht, respektimin e parimeve themelore të OSBE-së, si: vota universale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Nëse një shtet pjesëmarrës i OSBE-së vendos të ndryshojë sistemin zgjedhor, ne mund të ofrojmë mbështetje për procesin nëpërmjet të cilit kryen këto ndryshime. Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se në shtator të viti të shkuar, Prezenca organizoi një konferencë të gjerë, të nivelit të lartë, posaçërisht për këtë temë: për sistemin zgjedhor. Nëse ju do ta gjykoni me dobi për diskutimin tuaj, jemi të gatshëm t’ju vendosim në dispozicion të gjitha materialet e asaj konference – prezantimet nga ana e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe të gjitha diskutimet e zbardhura.

Gjithashtu, mund të ndajmë me ju disa botime të OSBE-së, kryesisht të ODIHR-it, të cilat mund të konsultohen lidhur me aspekte të ndryshme të sistemeve zgjedhore dhe praktikave mbi procesin e ndryshimit të ligjeve zgjedhore. Në këtë kuadër, ne mund të ofrojmë variantet në gjuhën shqipe të manualeve të ODIHR-it për “Angazhimet ekzistuese për zgjedhjet demokratike në Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së” dhe “Udhëzimet për rishikimin e kuadrit ligjor në lidhje me zgjedhjet”. Dokumentet përmbajnë, gjithashtu, informacione për disa elementë të caktuar të sistemeve, si për shembull për pragjet zgjedhorë.

Po kështu, ne mund të ofrojmë informacione rreth shteteve brenda hapësirës së OSBE-së që përdorin disa kombinime të caktuara, për shembull kombinimin e “listave të hapura” me mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.

Nga pikëpamja e rishikimit ligjor, Kuvendi është më se i mirëpritur t’i dërgojë ODIHR-it një kërkesë zyrtare me shkrim për dhënien e komenteve rreth projektligjit – kuptohet, duke marrë parasysh kohën që do t’i duhej ODIHR-it për të dhënë mendimin (kjo mund të luhatet nga pak ditë deri në një javë nga marrja e kërkesës).

Më lejoni ta mbyll fjalën duke theksuar se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e ODIHR-it në Varshavë, vijon të jetë e gatshme të ofrojë ekspertizë teknike për të gjitha temat që lidhen me zgjedhjet, si dhe për të ndihmuar autoritetet vendase me zbatimin e vendimeve që zgjedhin të marrin.

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera