» MENDIMET NEGATIVE DHE POZITIVE

MENDIMET NEGATIVE DHE POZITIVE

Nga Zana Tako

MENDIMET NEGATIVE DHE POZITIVE

Fjala negativ dhe pozitiv përfolet shumë sot në shoqëri. Janë fjalë që kanë kuptim të madh mes tyre. Dallojnë e nuk ngatërrohen me njera-tjetrën.
Njeriu anon gjithmonë për nga pozitivja, por nuk e kupton që shkon drejt udhës së gabuar. Në udhë të gabuar nuk mund të mendosh pozitivisht, e në udhën e duhur nuk mund të mendosh negativisht. Jemi përballë dy të vërtetave, ku kuptojmë çdo të thotë vepër e mirë dhe vepër e ligë.
Njeriu nuk kënaqet me veten e tij, ndaj kërkon shumë e më shumë, punon, krijon, duke shpalosur dijen e vetvetes por jo atë të Zotit.
Zhvillimet e deritanishme janë mbështetur mbi dijen e vetvetes, fakt ky i pakundërshtueshëm nga mendja njerëzore.
Nëse Zoti thotë: “Mos vrit!”, ne e vrasim çdo ditë njeri-tjetrin. Konsultat më nuk vlejnë. Quhemi qenie në zhvillim, por ky zhvillim na ka lënë pas në kohë. Jemi mbarsur me qëllimin e vetvetes, e nuk lindim dot pjellën e saj, dhe të mbarsur fryjmë e ç’fryjmë për të gjetur fajtorin, për të ngarkuar fajin në shpinën e tjetërkujt, kur jemi vetë ne, që mbarsemi duke gabuar, që nuk lirohemi dot nga mbarsja pa kuptuar.
Të lindësh qëllimin nuk është e lehtë. Fara e ngjizjes së tij është arsyeja, e cila dështon në qëllimin e saj, kur nuk mbështetet fort në ligjin e krijimit. Arsyeja nuk lind, por arsyeja është nyje ndërlidhëse që bashkon ose ndan njeriun nga vepra. Vepra e njeriut nuk është qëllim në vetvete, por është domosdoshmëri jetike për të realizuar dëshirën në ndjenjë.
Dëshira është pasqyra ku njeriu shihet çdo ditë. Ndjenja është krehëri që të zbukuron ose të shëmton. Nëse thyhet kjo pasqyrë, njeriu quhet dështak, e nëse humbet krehëri, njeriu quhet dembel. Pozitiv apo negativ janë dy botë krejt të ndryshme. Secila prodhon, por njeriu në shije dallon.
Shija është epiqendra ku njeriu ndalon për të reflektuar, e kjo ndalesë nuk është rrugë kalimi, por është udhëkryq mendimi. Në këtë udhëkryq nuk çlodhesh, por bëhesh gati të nisesh në atë drejtim, ku ndjenja dhe arsyeja mbështeten fort në energjitë e njeriut, të cilat nuk janë bateri për t’u karrikuar, sepse njeriu nuk është send, por është krijesë me gjak dhe shpirt.
Kur të kuptoni dhe të ndani të mirën nga e keqja, do analizoni çdo fjalë që riprodhohet në sofrën e dijes, e cila të ngop në kohë urie.
Uria e ditëve të sotme nuk mposhtet me frikën. Frika prodhohet nga mendje të sëmura, të cilat nuk ushqehen nga mendimi pozitiv. Nëse kemi frikë, i jemi nënshtruar dijes negative. Frika është çarku i mendimit, i cili të shtrëngon e nuk të liron, e të mos kesh frikë, do të thotë se e njeh dashurinë, se je mbështetur fort në boshtin e saj, dhe me të askurrë nuk humbet, por del gjithmonë i fituar. Amen!

ZANA TAKO

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera