» MALI I KALVARIT

MALI I KALVARIT

Nga Muçi Xhepa

MALI I KALVARIT

Autobusi ndaloi pranë kafenesë në qendrën e qytetit. Ylli Mehja, mësuesi i fizikës e quante “stacioni i xhamisë”. Ndërtesa kishte qenë shtëpia e Zotit; vendi ku njeriu i lutej krijuesit ta bënte më të mirë, por “Çlirimtarët” e kishin kthyer ne kafene, pijetore … Aty fillonin thashethemet, intrigat, kurthet, spiunllëqet dhe plot të zeza të tjera.
Njeriu i Ri e kishte nisur prishjen e shtëpive të Zotit në Durrës. Kishte bërë edhe një foto me Hoxhën e Alinë. Në Elbasan i riu që kishte hedhur kazmën e parë kishte vdekur në vend; kazma i ishte kthyer mbrapsht dhe e kishte goditur në kokë.
– E kapën peng në Lushnje, e torturuan, – më tha Ylli shumë vite më vonë, kur sapo isha kthyer nga larg.
– Ish-ministrin tënd, atë të jashtmin, të fotografisë. Ndëshkimi i erdhi nga qielli.
Ylli ishte mësues shkence, por kishte besim të thellë në Zot.
– Ka një balancë në jetë, – thoshte gjithnjë Ylli, – nuk ikën nga kjo botë pa i larë gjynahet. Ndëshkimi të vjen andej nga nuk e pret.
Kaluam në anën tjetër të rrugës, për te lokali i Nues. Nuk kishim ngrënë mëngjes dhe vendosëm të shkonim te miku ynë që kishte vite në punë atje; prandaj edhe emri i kishte mbetur lokali i Nues. Jeta ishte sjellë rëndë me Nuen; kishte kaluar vite në Gulagun shqiptar. Njeri i heshtur, karakter serioz, e njihnin të gjithë, por shoqërohej me fare pak njerëz; te ne kishte krijuar besim. Lokali mbështetej në murin e kalasë. Gjatë verës tryezat jashtë, nën hijen e portokallave, mbusheshin plot. Ishte si një park i madh pushimi. Brenda gjetëm Nuen, vetëm. I kishte rënë hije e rëndë vendit që rrallë mund të gjeje tryezë të pazënë. Kur po mbaronim së ngrëni, hyri një djalë i ri. Kaloi banakun, ia bëri me shenjë Nues dhe të dy u futën në kthinën ku përgatitej ushqimi.
– Sot e keni nga unë, – tha, kur doli nga kthina.
– Do t’i marrësh!- nguli këmbë Ylli dhe i zgjati paratë.
Nues po i mbetej qejfi.
– Jeni miq të mirë prej vitesh, do të më falni që ju lashë vetëm, por një gjë e rëndë ka ndodhur sot në Peqin.
Arriti t’i fusë paratë me forcë te xhepi i Yllit.
– Kanë kapur në kufi një djalë të ri. Familje e këputur me shumë fëmijë. Iku i ngrati për të ndihmuar familjen. Të gjente punë. – Nues i fliste shpirti, kishte përçmim të madh për Ramiz Alin.
– I gjithë populli e priti me shpresë, por harroi se është këlyshi i “Panterës”. I lig dhe i rafinuar.
– Ka ndryshuar terminologjia, por jo përmbajtja. E quajnë kalim të paligjshëm dhe vrasin njerëzit në kufi. Ushtarit i japin leje pushimi për çdo jetë që merr, – e mbylli bisedën Ylli.
Jashtë kishte filluar një shi i imët, me erë. Nëna natyrë derdhte lot për birin e saj. Nxituam për te shkolla ime, tetëvjeçarja në hyrje të qytetit. Asnjë këmbë njeriu në bulevard. Qyteti ishte mbyllur brenda i terrorizuar.
Kështu kishin bërë edhe kur erdhën si “Çlirimtarë” në vitet e para. Tmerronin njerëzinë me forma mesjetare. Në Elbasan nxirrnin me forcë, me polic, Qamil Çiften, njeri i nderuar dhe i respektuar. Nga familje e lashtë e me traditë. E vinin të kulloste derrat. Polici e detyronte të kalonte përmes qytetit që ta shikonin të gjithë. Qamili e mbante kokën lart. E dinte mirë se atë që po i bënin atij do t’ia bënin vetes një ditë; ashtu kishin terrorizuar njerzinë edhe në parajsën e proletariatit botëror. Stalini i kishte zhveshur gratë rrugëve. Më zi akoma.
Kur derrat i ishin afruar Komitetit të Partisë, Qamili i kishte lënë të lirë. Derrat kishin vrapuar te dera e godinës. Bënte ftohtë jashtë. Ngrohtësia e godinës së partisë i joshte të mësynin brenda. Kërcënimi i policit nuk e kishte trembur Qamilin. Përgjigjia proverbiale e tij: “Po shkojnë në mbledhjen e partisë”. E kishte lënë pa gojë policin.
Në krye të bulevardit, kur vjen nga Elbasani, ecte ngadalë duke tërhequr këmbën e djathtë me këpucë të çarë djali i ri. E kishin lidhur me pranga. Pas tij polici. Në qafë i kishin varur një pllakë dërrase të rëndë. Ia perkulte trupin e thatë, kockë e lëkurë. Jakën e këmishës e kishte të grisur nga të rrahurat. Dorën e djathtë të shqyer nga “kafsha ushtare” e poezisë së poetit të madh. Gjaku i saj përzihej me lotët e natyrës dhe linte gjurmë dhimbjeje gjatë udhës për te “Mali i Kalvarit, Pallati i Kulturës”. E lanë të ekspozuar tërë ditën, aty, te pallati i kulturës së “Çlirimtarëve”. Pritën njerëzinë ta godiste me gurë, por qyteti i lashtë vajtonte birin e shenjtëruar, që ngjitej lart në qiell për t’i hapur udhën lirisë së shumëpritur.

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

“Perëndesha e Demokracisë”, vendi ku nderohen heronjtë që luftuan kuçedrën e kuqe – Komunizmin.
Washington, DC

L'immagine può contenere: 3 persone, persone in piedi, albero, fiore, scarpe, bambino e spazio all'aperto

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera