» Greqi, nis projekti “Hellinikon”, rezorti më i madh në Mesdhe pritet të përfundojë për 25 vite

Greqi, nis projekti “Hellinikon”, rezorti më i madh në Mesdhe pritet të përfundojë për 25 vite

Aeroporti i “Helinikonit” në Athinë mbetet i pashfrytëzuar prej njëzet vjetësh por një projekt ambicioz urbanistik pritet t’i shndërrojë ambientet e tij në një prej rezorteve kyç të Mesdheut dhe Evropës.

Autoritetet në Greqi kanë nisur zbatimin e projektit që do kthejë një nga aeroportet e braktisura të Athinës në një prej rezorteve më të mëdha turistike në Evropë.

Projekti urbanistik që ngrihet mbi 400 hektarë sipërfaqe në truallin e aeroportit “Hellinikon” në jug të kryeqytetit, parashikon ndërtimin e një parku metropolitan me shtëpi luksoze, hotele, kazino, dyqane e zyra, dhe porte jahtesh.

Aerodromet dhe ambientet e ndërtesës u përdorën për lojërat olimpike të 2004-ës por mbeten tashmë të pashfrytëzuara prej dy dekadash.

Ndërtimi i rezortit ishte planifikuar të niste në 2008-n por kriza financiare globale e kohës dhe më tej burokracia dhe rezistenca e opozitës politike, i shtynë planet.

“Sot ndahemi me të shkuarën për të nisur një të ardhme më shpresëdhënëse. Është shumë inkurajuese që në këtë mjedis vështirësish ekonomike, sot investimi më emblematik në vend, Helinikoni, bëhet realitet,” – u shpreh kryeministri grek, Qirjako Micotaqis.

Ndërtimi i kompleksit turistik për 25 vitet e ardhshme i është besuar kompanisë greke “Lamda Development”.

Ndërsa projekti në total pritet të kushtojë rreth 8 miliardë euro, drejtuesit thonë se në 5 vite do të shpenzohen 2 miliardë për ndërtimin e dy grataçelave, parkut, hotelit dhe afro 800 banesave.

“Objektivi dhe vizioni ynë kërkon qetësi për t’u bërë realitet. Është një maratonë dhe na duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Natyra e vizioneve është se janë afatgjata, shpeshherë me risqe që nuk parashikohen. Shembull klasik është koronavirusi.”

Rreth 900 struktura të ngritura në truallin e aeroportit pritet të shemben gjatë muajve në vijim për të vijuar me ndërtimet urbanistike në gjysmën e parë të vitit tjetër.

Helinikoni pritet të jetë rezorti më i madh bregdetar në Mesdhe me përmasa tri herë më të mëdha se ai i Monakos, dhe synon të kthehet në atraksion për turistët dhe investitorët e huaj.

/Ora News.tv/

 

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera