» Spanjë, covidi në ujërat e zeza, mostrat tregojnë prezencë të virusit që në 12 mars 2019

Spanjë, covidi në ujërat e zeza, mostrat tregojnë prezencë të virusit që në 12 mars 2019

Analizimi i mostrave të ujërave të zeza në Spanjë ka treguar për prani të koronavirusit që në muajin mars të vitit të kaluar. OBSH-ja thotë se numri i rasteve në botë mund të jetë 10-fishi i atyre të konfirmuar tani, ndërkohë në SHBA ka frikë se virusi mund të ketë pësuar ndryshime gjenetike që e lejojnë të transmetohet më lehtë.

Monitorimi i ujërave të zeza po rezulton një metodë e dobishme për gjurmimin e vatrave të reja të kovidit-19.

Shkencëtarët e Universitetit të Barcelonës, një nga institucionet më prestigjoze të Spanjës, mendojnë se kanë zbuluar mbetje të koronavirusit në kanalet e trajtimit të ujërave të ndotur që datojnë nga 12 marsi i vitit të shkuar.

Kjo tregon se virusi ka qarkulluar në Barcelonë plot nëntë muaj para shfaqjes zyrtare në Kinë.

“Kishim disa mostra uji të grira nga viti i kaluar, dhe në njërën dolën rezultate që përputheshin me prezencën e virusit, pra është një zbulim që kërkon të konfirmohet në mënyrë të pavarur.”

Në Spanjë epidemia e kovidit shkaktoi një prej tragjedive më të mëdha në nivel kontinenti, duke vrarë më shumë se 28 mijë njerëz, bilanci më i rëndë ky pas Britanisë së Madhe dhe Italisë.

Në botë, betejën me sëmundjen e kanë humbur deri tani gjysmë milionë persona dhe afro 11 milionë të tjerë janë bartës të infeksionit.

Numri real i rasteve të konfirmuara mund të jetë deri 100 milionë sipas shkencëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Studimet për frekuencën e antitrupave në popullatë kanë nxjerrë se shpesh numri i personave të infektuar është 10 herë më i madh se numri i rasteve të diagnostikuara. Kjo mbetet e panjohur por ne dimë vetëm që personat e testuar deri tani kanë qenë realisht të sëmurë.”

Ekspertja e parë e OBSH-së adresoi edhe shqetësimin se sëmundja mund të transmetohet nga kafshët shtëpiake te njeriu, duke thënë se ky rrezik është i ulët.

Më parë janë raportuar raste të infektimit nga njeriu të gjitarëve si macet dhe tigrat, por për agjencinë globale të shëndetit ka pak prova për të kundërtën apo për jetëgjatësinë e virusit në gëzofin e kafshëve.

Sipas kryeekspertit për sëmundjet infektive në Uashington, koronavirusin me kalimin e muajve mund të ketë pësuar mutacione që e lejojnë atë të përhapet më lehtësisht në popullatë, prandaj edhe po vërehet sëmundje një shpërthim i patogjenit nga Amerika në Azi./oranews

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera