» Mbrojtja e Juves, më e mira pas Covid-19. Tani De Ligt është i frikshëm

Mbrojtja e Juves, më e mira pas Covid-19. Tani De Ligt është i frikshëm

Kontaktet me Matthijs de Ligt këto ditë janë teste të përplasjes pa “airbag”. Tonny Sanabria u përpoq të martën në mbrëmje, por u neutralizua dy metra larg. Prapavija bardhezi, pas rikthimit në veprim, është përsëri në përputhje me traditën.

Para ndeshjes kundër Interit, ajo pati pësuar 24 gola në 25 ndeshje. Shumë. Që nga rifillimi, pas pandemisë së Covid-19, mbrojtja e Juventusit ka qenë e pamposhtur me Milanin, Napolin, Bologna dhe Lecce; 360 minuta. Golin e vetëm të kësaj periudhe për të cilën po flasim e pësoi në Genoa, por shënoi tre të tillë. Matematika? Juve kanë mbrojtjen më të mirë pas Covid-19 midis ekipeve që kanë luajtur më shumë se tri ndeshje.

Skuadra e Sarrit pëson 0.2 gola për ndeshje dhe i paraprin Villarrealit, Real Madridit, Napolit, Manchester City dhe Manchester United. Me disa përjashtime, më të mirët e Europës janë në pozicionet kryesore, një shenjë se futbolli i qershorit dhe korrikut të këtij viti është më pak i çmendur sesa duket.

Jo vetëm kaq, edhe nëse doni të përfshini në këtë llogari ekipet që kanë luajtur vetëm tri ndeshje, pas rikthimit, do të gjenit vetëm një të pamposhtur: Wolverhampton. Përtej numrave, përshtypjet. Juve në Kupën e Italisë nuk la përshtypje të shkëlqyeshme. Milani qe i kufizuar nga dëbimi me të kuqe i Rebic, ndërsa Napoli vazhdimisht dha përshtypjen se është i rrezikshëm.

Kjo, sa i përket gjysmëfinales dhe finales së Kupës së Italisë. Sidoqoftë, me Bologna, Lecce dhe Genoa, Szczesny kaloi minuta të gjata si soditës. Vlera e kundërshtarëve, e kufizuar, ka një peshë, por edhe Matthijs de Ligt e Leonardo Bonucci, gjithashtu. Numrat 4 dhe 19 për momentin janë një nga duetet më të mira qendrore në botë. Derbi i nesërm do të jetë një moment i veçantë për të dy. Bonucci do të luajë kundër skuadrës së zemrës së djalit të tij, Lorenzo, gjithnjë i dashuruar me Belotti, ndërsa MDL (Mathjis de Ligt) do të festojë një përvjetor.

Në fillimet e veta në Serie A, holandezi u kritikua shumë. Për fatin e tij të keq, shkatoi disa penallti dhe nuk ishte i saktë. Tetë muaj më vonë, De Ligt po rivalizon me të gjithë sojin e vet. Në krye të listës janë De Vrij dhe Acerbi, si dhe Bonucci, për çmimin e qendërmbrojtësit më të mirë të Serie A. Performanca e tij nuk është befasuese për këdo që e ka parë tek Ajax, por mund të jetë më i çuditshëm fakti që Matthijs, pas karantinës, është kthyer më solid se kurrë.

“Tani ndjehem shumë më mirë dhe gjithashtu jam më i qetë”, – tha ai dje për “Sky Sport”. – Kjo është e rëndësishme. Derbi i parë i Torinos mbetet një kujtim i bukur për mua. Unë shënova golin e parë me Juven, në një moment të vështirë. Po kritikohesha shumë dhe isha në telashe. Ky gol më dha një lehtësim, më lumturoi”.

Tani është e natyrshme pyetja: çfarë do të ndodhë kur Chiellini, kur të kthehet? Ka kohë për të menduar për këtë. “Chiello” e ka mendjen posaçërisht te Liga e Kampionëve, e cila do të fillojë më 7 gusht. Natyrisht, do të duhet të luajë më parë, por korriku i tij nuk do të jetë shumë intensiv. Ne do ta shohim atë në disa mbrëmje, mbase për herë të parë së bashku me De Ligt.

Po Rugani, për të cilën askush nuk flet kurrë? Kur do të luajë ai? Jo në derbi, mbase me Milanin, sigurisht jo me Atalantën. Kjo periudhë është paralajmëruar si “lufta e botëve”: Mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mirë. Bëhuni gati për emocione dhe spektakël, blini kokoshka dhe “gozhdohuni” para ekranit të televizorit…

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera