» Prokuroria e Serbisë ngre akt-akuzë kundër një shqiptari për krime lufte

Prokuroria e Serbisë ngre akt-akuzë kundër një shqiptari për krime lufte

Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë për krime lufte, kundër shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, vëllai i të akuzuarit, Valon Mehmetaj.

“Jemi në dijeni për aktakuzë, por nuk e dimë përmbajtjen e aktakuzës. Nesër apo pasnesër pritet të marrin dokumentin e plotë”, tha Valon Mehmetaj për REL, duke shtuar se lidhur me këtë familja është informuar nga avokati mbrojtës Sead Spahoviq.

“Rastin e kemi përjetuar rëndë sepse kemi pritur që ai të lirohet tani, pas gjashtë muajsh paraburgimi. Fatkeqësisht aktakuza u ngrit dhe iu vazhdua paraburgimi”, shtoi Valon Mehmetaj.

Prokuroria për krime lufte në Beograd, më herët ka konfirmuar për REL se ka ngritur aktakuzë ndaj N.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999.

Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Prokuroria në Beograd.

Së bashku me aktakuzën është edhe kërkesa për zgjatje të paraburgimit të të pandehurit N.M, i cili më 3 janar është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe që atëherë është në paraburgim.

Zëdhënësi i Prokurorisë për krime lufte në Serbi, Vasillje Seratiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 9 janar se shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj i ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, nën dyshimet për krime lufte në fshatin Rudicë.

Në përgjigjen me shkrim nga Prokuroria e Beogradit dhënë për Radion Evropa e Lirë, nuk përmenden detajet se për cilin krim bëhet fjalë dhe për çka konkretisht akuzohet Mehmetaj.

Avokati i Mehmetaj, Sead Spahoviq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Mehmetaj po akuzohet për vepra të kryera pas qershorit, 1999, kur lufta kishte mbaruar dhe se akuzat ndaj tij nuk mund të lidhen me krime lufte.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë dëshmi në shkresat e prokurorisë ndaj lëndës për Mehmetajn se klienti i tij ka qenë i përfshirë në ndonjë vepër që përbën krime lufte.

Pas ndalimit të Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, Prishtina zyrtare kishte kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera