» Misioni i jetës

Misioni i jetës

Nga Zana Tako

Udhëtarë të këtij Misioni! Të panginjur e të etur për një copë rehati, për një copë tokë tek e cila as nuk mbillni e as nuk korrni, të dëshiruarit e vetvetes ngecur në çarkun e të pabesit, të shterrur mendimit të varfërisë, a nuk e ndjeni praninë e Zotit tuaj tek ju vështron pa i mbyllur sytë? E keni harruar o ju të shkretuar udhës së mundimit të fitimit të vetvetes? A nuk e ndjeni lodhjen shterpë që ua ka t’kurrur muskujt e mendjes?
Filiza të këputur ende pa mbirë. Çirrni e bërtisni ju o fajtorë të fajit të patreguar, të fitores suaj të dështuar. Fajtori luan e zdërhallet, i ndershmi punon edhe tallet! Fajtori luan kumar deri në agim, të ndershmit i mbetet pak kohë për pushim!
Nazemadhe moj tradhëti, luan si e ndershme në njerëzi. Fatin tënd mos e pastë kurrë njeri, se e ardhmja jote është pus i zi.
Endesh rrugëve plot pluhur duke thurrur rrengje pa kuptim, se nuk i duhen kujt si trashëgim.
Loja e fatit tënd nuk është e ardhmja, sepse shterpësia nuk prodhon. Kërkon më shumë, kur nuk ke bërë asnjë ditë punë. Duarthatë, e thua se je duarplot!
Tradhëti, tokë e shkretuar, sa bij e bija ke lënduar? Sa ke vrarë e nuk ke treguar? Sa pusi ke ngritur, a thua i ke harruar?
Mendjetinzare e gjuhëlajkatare. Qëndron e fshehur si përditë, a thua se të ndershmit i kanë plasur sytë?
Misioni i njeriut nuk është tradhëtia, as lakmia, as fëlligështia.
Të mbetesh në mes të rrugës nga paqartësia, do të thotë se lakun e ka gati mbrapështia, e ky lak nuk ta kursen jetën.
Njeriu i sotëm rrotullohet rreth padijes. Fjala nuk i del e pastër, se mendimi i është mjergulluar. Kërkon fatin e tij ta ketë në duar, por mjergulla nuk të lejon të shohësh dritën, e njeriu pa dritë quhet i pashpresë.
Misioni i Jetës është dashuria, por dashuria nuk është mëkatare si njeriu. Kjo kundërshti favorizon shejtanin të depërtojë në mendjen e njeriut, për të fikur shpresën tek liria duke e zëvendësuar me robërinë, e cila është dështim ndaj Misionit të Jetës.
Lufta mes së mirës dhe së keqes për të shpallur të vërtetën e këtij Misioni ka kohë që ka filluar. Kjo luftë do dëshmojë, se ky Mision është fituar nga Zoti i këtij krijimi. Gjithçka tjetër, është provë dhe dëshmi e dhurimit në vetmohim të të drejtit, i cili nuk e ka fikur askurrë dritën për të parë dhe dëgjuar, për të ndjerë e shijuar, por mbi të gjitha për të vërtetuar, se Misioni i Jetës është dashuria e Atit dhe e Birit për të fituar çdo krijesë në jetën e pasosur!

 

360grade.al

farma
Ulërima e Xhunglës shqiptare, kafshime dhe kurthe dhe…

Të tjera