» Çështjet që po pengojnë palët drejt konsensusit/ Ja cilat janë rekomandimet e OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore

Çështjet që po pengojnë palët drejt konsensusit/ Ja cilat janë rekomandimet e OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore

Identifikimi biometrik, administrata zgjedhore dhe kolegji zgjedhor janë tri nga çështjet që po pengojnë partitë politike të arrijnë një konsensus për të mbyllur draftin konsensual të ligjit të ri zgjedhor.

Pas 31 majit janë angazhuar edhe ambasadorët kryesorë në vend për të gjetur një pikë të përbashkët, ku takohen të gjitha palët për Reformën Zgjedhore. Ditën e djeshme, tri ambasadorët, Yuri Kim e SHBA, Luigi Soreca i BE-së dhe Duncan Norman i UK, mblodhën Këshillin Politik të Reformës në Ambasadën Amerikane ku punuan për 9 orë, por pa mundur të gjejnë një dakordësi. Në përfundim të takimit, ambasadorja Kim u shpreh se ata do të negociojnë vetëm për të përmbushur rekomandimet e ODIHR, nëse palët duan të arrijnë përmes konsensusit diçka që tejkalon rekomandimet e ODIHR, selitë diplomatike do ta pranojnë, në të kundërt partitë duhet të tërhiqen. Por çfarë ka rekomanduar OSBE/ODIHR në raportin e fundit pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

REKOMANDIMET E ODHIR 

Në draftin final të raportit të ODIHR, përpos zgjedhjeve të 30 qershorit, janë listuar 20 rekomandime, por do të përmendim vetëm disa prej tyre, që lidhen me tri çështjet që mbajnë pezull draftin konsensual të reformës.

VOTA E FSHEHTË 

Pasi evidenton problematikat në lidhje me procesin e votimit, ODIHR rekomandon që të gjendet një formulë për të garantuar fshehtësinë e votës dhe presionin. “Autoritetet duhet të garantojnë të drejtën e zgjedhësve për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të fshehtë. Procedurat e votimit duhet të rishikohen për të garantuar fshehtësinë e votës dhe mbrojtjen nga çdo ndikim i papërshtatshëm ndaj zgjedhësve. Rëndësia e fshehtësisë së votës duhet të theksohet gjatë trajnimit të komisioneve zgjedhore dhe në materialet e edukimit të zgjedhësve”, thuhet në pikën e tretë në raportin e fundit të ODHIR.

ADMINISTRATA ZGJEDHORE

Po ashtu, në rekomandimet kryesore, ODIHR sugjeron që të gjendet një formulë tjetër për përzgjedhjen e komisionerëve zgjedhorë si dhe të jenë të pavarur. “Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it, për të rritur besimin e publikut te procesi zgjedhor, duhet parë mundësia e gjetjes së formulave alternative për propozimin e anëtarëve në administratën zgjedhore, mbështetur me garanci procedurale për pavarësinë e tyre”, rekomandon ODIHR. Po në sugjerimet kryesore, teksa evidenton presionin e bërë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 për administratën shtetërore, ODIHR rekomandon gjithashtu që të depolitizohet shërbimi civil. “Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për eliminimin e problemit të hershëm të shpërdorimit të burimeve administrative në zgjedhje dhe në periudhat midis zgjedhjeve. Autoritetet duhet të nxjerrin rregulla të sakta që përcaktojnë se si mund dhe nuk mund të përdoren burimet publike për qëllime zgjedhore. Hapa të mëtejshëm duhet të merren për arritjen e depolitizimit të shërbimit civil dhe për të garantuar mosushtrimin e presionit ndaj zgjedhësve me qëllim pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të fushatave zgjedhore apo votimin në një mënyrë të caktuar”, shkruhet në pikën dy të rekomandimeve.

GJYKATAT 

Në raportin final të zgjedhjeve të vitit të kaluar, ODIHR evidentonte se gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor u vunë në presion përmes vetingut. Ndërkohë, në lidhje me këtë shqetësim, rekomandon që të jenë të gjitha gjykatat funksionale. “Të gjitha gjykatat që kanë kompetencë në fushën e zgjedhjeve, duhet të jenë plotësisht funksionale gjatë periudhave zgjedhore. Duhet të garantohen pavarësia dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e Gjyqësorit”, thekson ODIHR në pikën 5 të rekomandimeve.

360grade.al

farma
Presioni i ambasadorëve, apo “topi te Luli Basha”…

Të tjera