» Historia tragjike e disidentit/ Rrëfimi i djalit: Babai im, student në Strasburg dhe ambasador në Paris, Enveri e burgosi pas goditjes së Bedri Spahiut, sepse…

Historia tragjike e disidentit/ Rrëfimi i djalit: Babai im, student në Strasburg dhe ambasador në Paris, Enveri e burgosi pas goditjes së Bedri Spahiut, sepse…

Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte historia e panjohur e Shemsi Totozanit me origjinë nga Delvina, i shkolluar fillimisht në Liceun Francez të Korçës dhe më pas në Universitetin e Strasburgut në Francë, ku ai studioi për disa vite për Letërsi, por pa mundur që t’i përfundonte dot ato, pasi u detyrua që të kthehej në Shqipëri, për arsye shëndetësore, dhe të fillonte punë si mësues në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Tregtaren e Vlorës. Aty ai pati nxënës Hysni Kapon dhe ra në kontakt për herë të parë me idetë komuniste, duke u aktivizuar me “Grupin e të Rinjëve” që kryesohej nga Sadik Premtja. 

E gjithë historia e Totozanit sipas autobiografisë që ai ka lënë të shkruar, si dhe dëshmive të djalit të tij, që nga: angazhimi në Lëvizjen Antifashiste si një nga kuadrot kryesorë të Luftës në Jugun e Shqipërisë, konfliktet me Miladrin Popoviçin, arrestimi nga italianët dhe mbajtja në burgun e Tiranës, misioni në Greqi i dërguar nga Partia Komuniste, caktimi pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës, emërimi pas mbarimit të Luftës, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, konfliktet dhe goditja nga Koci Xoxe, si “armik”, rehabilitimi dhe dërgimi  në vitin 1953 si ambasador i Shqipërisë në Paris, transferimi në Sofie dhe kthimi në Shqipëri, për shkak të goditjes dhe dënimit të baxhanakut të tij, Bedri Spahiut, emërimi dhe puna si Drejtor në Bibliotekën Kombëtare, ku survejohej nga Sigurimi me aparate përgjimi, bisedat me miqtë e tij të ngushtë kundër Enver Hoxhës, e deri tek arrestimi i tij dhe dënimi si “armik i popullit”, me dhjetë vite burg, e internimi më pas në Belsh të Elbasanit, nga ku ai u lirua vetëm në vitin 1990, kur dhe ndërroi jetë pa e parë shembjen e regjimit komunist.
“Në vitin 1956, kur u godit Bedri Spahiu, Enveri Hoxha thirri në Tiranë të gjithë ambasadorët e Shqipërisë, me qëllim që t’i sqaronte për shkarkimin e tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Në atë kohë babai ishte me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Paris dhe ndodhej në një mbledhje në Gjenevë. Kur Shemsiu erdhi në Tiranë, Enver Hoxha i komunikoi transferimin nga ambasada e Parisit për në ambasadën tonë në Sofie të Bullagarisë dhe shkaku kryesor i asaj lëvizje, ishte dënimi i Bedri Spahiut, bashkëshortja e të cilit ishte motra e nënës sonë. Ky transferim shënoi edhe goditjen e parë ndaj babait, sepse më pas atë e hoqën edhe nga Bullgaria dhe e kthyen në Shqipëri, ku e emëruan Drejtor të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Gjatë asaj kohe e deri sa doli në pension në vitin 1967, babanë e survejonin rregullisht, deri edhe me aparate përgjimi të cilat ia kishin vënë në ambientet e zyrës në Bibliotekën Kombëtare. Pas gjithë atyre survejimeve, në vitin 1968 Shemsiun e hoqën nga Tirana dhe e transferuan në qytetin e Elbasanit, ku dhe e arrestuan në 23 tetorin e vitit 1974, duke e akuzuar për agjitacion e propagandë dhe e dënuan me dhjetë vjet burg e më pas me internim”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Vojo Totozani me profesion Inxhinier Kimist, i cili rrëfen gjithë historinë e dhimbëshme të babait të tij, Shemsi Totozanit, që kishte studjuar për Letërsi në Universitetin e Strasburgut dhe një prej komunistëve të parë të rrethit të Gjirokastrës, që së bashku me Bedri Spahiun, drejtuan gjithë luftën partizane në Jugun e Shqipërisë. Po cila ishte e kaluara e Shemsi Totozanit, si u lidh ai për herë të parë me grupet komuniste në Francë e Shqipëri dhe cili ishte aktiviteti i tij gjatë periudhës së pushtimit fashist në Vlorë e Gjirokastër. Cilat ishin funksionet që mbajti Shemsi Totozani pas mbarimit të Luftës, çfarë thoshte ai për Enver Hoxhën kur ishte duke vuajtur për vite me rradhë në burgje e internime?

Kush ishte Shemsi Totozani?

Shemsi Totozani u lind në 30 dhjetor të vitit 1911 në qytezën e vogël të Delvinës, ku asokohe babai i tij Xhemali, shërbente si nëpunës në organet gjyqësore të administratës lokale. Origjina e familjes Totozani është nga qyteti i Gjirokastrës dhe të parët e saj kanë banuar në lagjen Dunavat, që përpara se babai i Shemsiut, Xhemali, të shkonte për studime në Turqi ku dhe u diplomua në Jurisprudencë. Pas kthimit nga studimet e deri sa vdiq në maj të vitit 1924, Xhemal Totozani shërbeu për disa vjet si hetues, komisar policie dhe nënprefekt në disa rrethe të vëndit. Djali i tij, Shemsiu, pasi mbaroi arsimin fillor në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, shkoi në qytetin e Korçës ku ndoqi Liceun Francez, të cilin e përfundoi me rezultate të larta në vitin 1931. Lidhur me periudhën që Shemsiu ishte në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Liceun e Korçës, në kujtimet e tija midis të tjerash ai ka shkruar: “Më 1928-ën bashkë me disa shokë kundërshtuam që të merrnim pjesë në Entin Kombëtar në Gjirokastër dhe u mundova që ta sabotoj. Për këtë u rrezikova që të dilja përpara gjyqit. Në vitin 1931 u arrestova për tre javë për disa shkrime të Fan Nolit dhe Halim Xhelos. Po kështu në vitin 1932, u arrestova për pak ditë i akuzuar si antizogist dhe ajo gjë kishte lidhje me organizatën e Vlorës”. Pas mbarimit të liceut francez të Korçës, nisur dhe nga rezultatet e larta që arriti në mësime, Shemsiu përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta në Francë.

Student i Letërsisë në Strasburg

Pas marrjes së bursës nga qeveria e Mbretit Zog, Shemsi Totozani së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sulo Klosin (i pushkatur nga komunistët në vitin 1946) shkoi në Francë dhe filloi studimet pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Strasburgut, të cilin nuk arriti që ta përfundonte, pasi e ndërpreu dy herë në vitin 1935 dhe në vitin 1937. Arsyeja e ndërprerjes së studimeve në Fakultetin e Strasburgut, ishte për shkak të një operacioni tepër të vështirë që ai kreu në syrin e djathtë. Gjatë asaj kohe që Shemsiu i ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri, ai punoi si mësues në qytetin e Gjirokastrës ku banonte familja e tij. Lidhur me periudhën e studimeve në Francë, kontaktet me grupet komuniste franceze dhe kthimet në Shqipëri për shkak të gjendjes shëndetësore, në kujtimet e tij midis të tjerash Shemsi Totozani ka shkruar: “Gjatë periudhës që isha në Francë, kam qenë shumë i entuziasmuar për krijimin e Frontit Popullor dhe kam qenë vazhdimisht një sipatizonjës i i mirë i komunistave. Po vetëm kaq. Ditët që m’u dha mundësia që të njihesha me një grup komunistësh t’organizuar, m’u desht të kthehesha në Shqipëri. Në vitin 1935, kam marrë pjesë aktive në “Lëvizjen e Fierit” dhe kam qenë një nga organizatorët kryesor për përgatitjen e kryengritjes në qytetin e Gjirokastrës”, ka shkruar Shemsiu lidhur me periudhën e studimeve në Francë dhe ndjekjet nga qeveria zogiste.

Njohja me Qemal Stafën e idetë komuniste

Pas ndërprerjes së parë të studimeve në Francë në vitin 1935, Shemsiu u kthye në Gjirokastër dhe menjëherë filloi të krijonte lidhjet me komunistët e pakët që ishin asokohe në Shqipëri. Këto lidhje ai i krjoi kryesisht në Institutin Tregtar të Vlorës, ku u caktua si pedagog që në vitin 1937. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij midis të tjerash Shemsiu ka shkruar: “Kur u ktheva në Shqipëri, fillova t’interesohesha për çështjet komuniste dhe kontaktin e parë e kam pasur me Aristidh Qëndron në vitin 1938, nëpërmjet shokut tim Shemso Çelo, i cili më premtoi se do të më lidhte me shokët e tjerë në Vlorë. Nga dëshira për punë m’u duk sikur një botë e tërë hapej para meje, aq sa nuk ua vura veshin fjalëve të Qemal Stafës, i cili u përpoq të më tërhiqte në grupin e tij. Kjo kuptohet për shkak të konspiracionit të kalbët që ekzistonte atëhere. Meqënse nuk më erdhi asnjë lidhje nga Aristidhi, i’a nisa punës vetë, me dy nxënësit e mij të Institutit Tregtar, Hysni Kapo dhe Sinan Gjonin, gjersa më në fund u lidha në Vlorë me “Grupin e të Rinjve” që drejtohesh nga Sadik Premtja. Në atë grup ku gjeta një punë të shëndoshë, bashkëpunova ngushtë me Sadik Premten e Sinan Gjoni dhe gjatë gjithë asaj kohe, unë diskutoja dhe isha për bashkimin e grupeve komuniste, por s’ma vuri veshin njeri nga shokët e Vlorës. Në pragun e formimit të Partisë Komuniste, përveç punës politike që bëja në shkollë, bashkë me nxënësit e mij, mora pjesë dhe në demostratën e madhe të 28 nëntorit të vitit 1941. Me formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, unë u shkëputa nga Grupi i Vlorës dhe ditën e organizimit të Partisë në Vlorë, konstatova se po i hynim një punë me të vërtetë serioze. Nuk e di sepse atëhere Dushani (Mugosha) dhe një shok tjetër që ishte në krye të Partisë, nuk i shihnin me sy të mirë intelektualët në Parti. Një gjë të tillë ata ma kanë shprehur gojarisht kur ishim në Gjirokastër”, ka shkruar Shemsiu në kujtimet e tija, lidhur me kontaktet e para që ai ndërmori me lëvizjen komuniste dhe Qemal Stafën, një ndër krerët kryesor të saj. Lidhur me periudhën që Shemsiu ishte në Vlorë, një nga njerzit e afërm të tij, shkrimtari e kritiku i njohur Dalan Shapllo, dëshmonte: “Në vitin 1941, pasi Shemsiu u martua me Sido Puton, e mori atë nga Gjirokastra në Vlorë dhe të dy banonin në një shtëpi me qera ku unë veja shpesh për t’i takuar. Në atë kohë Shemsiu njihesh me pseudonimin “Profesori” dhe atë shtëpi ai e ktheu në një bazë kryesore të Lëvizjes Antifashiste, ku mblidheshin të gjithë krerët komunistë të Qarkorit të Vlorës si: Hysni Kapo, Sadik Premtja, Fejzo Gjomema, Sinan Gjoni, Mynir Xhindi etj., të cilëve Sido i’u bënte për të ngrënë dhe i’u lante rrobat. Kur ata kishin ndonjë mbledhje, unë së bashku me Vlash Arapin, dilnim nga shtëpia dhe bënim xhiro në bregun e detit”, kujtonte shkrimtari dhe kritiki i njohur letrar, Dalan Shapllo, atë kohë kur ai shkonte në Vlorë tek kushëriri i tij Totozani.

Drejtues i Qarkorit të Gjirokastrës

Aty nga fillimi i vitit 1942, sipas udhëzimeve të krerëve të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Shemsi Totozani iku nga Vlora dhe u vendos në qytetin e tij Gjirokastrës. Lidhur me aktivitetin e tij gjatë asaj periudhe, në kujtimet e tija midis të tjerash ai ka shkruar: “Si rrjedhim i demostratës së 28-nëntorit, më 26 shkurt të vitit 1942, më arrestuan dhe më mbajtën një javë në burgun e Tiranës, ku me shokët Fejzo Gjomema, Gaqo Nasto etj., formuam kolektivin e parë dhe organizuam konferenca. Me inisiativën e tij, drejtori italian i Institutit Tregtar të Vlorës, Gennaro Lionetti (që mua dhe shokëve na ishte dukur si element antifashist) u interesua dhe më nxorri nga burgu. Më 9 mars, kur u ktheva në Vlorë, po përgatitesh greva e “Bukës” dhe Mynyr Xhindi (antar i Komitetit Qarkor), më porositi që të mos merrja pjesë në atë grevë, pasi sapo kisha dalë nga burgu. Të nesmërmen, së bashku me shokët e tjerë: Hysni Kapo, Naum Hondro, Mynyr Xhindi, etj., u hodha në ilegalitet në zonën e Mesaplikut. Nuk më pëlqeu shumë ai ilegalitet i shokëve më të mirë, pasi atëherë ne ishim në fillimin e punës sonë. Dy javë më pas me interesimin e disa shokëve të mij nacionalistë dhe me pëlqimin e Hysni Kapos e Mynyr Xhindit, zbrita pësëri në Vlorë për të punuar si ilegal me nacionalistët. Në atë kohë Ministri i Arsimit, Xhevat Korça më thirri në Tiranë dhe unë kërkova tre herë rresht mbledhjen e Komitetit Qarkor, për të vendosur në duhej të shkoja apo jo. Më në fund sekretari organizativ, Sinan Gjoni më njoftoi me një biletë se mund të nisesha për në Tiranë. Kur erdha në Tiranë, kërkova që të transferohesha për në Gjirokastër, ose të jepja dorheqjen, sepse po të rrija lirisht në Vlorë do të bija në duart e fashistëve. Atë çështje i’a referova shokut Shule (Kristo Themelkos) i cili m’u përgjigj se: atë çështje duhej ta zgjidhte Vlora. Në Vlorë gjeta vetëm shokun Manush Myftiu, sepse antarët e tjerë të Qarkorit, ndodheshin jashtë qytetit. Të dy ramë dakort, që unë të shkoja në Gjirokastër. Në prillin e vitit 1942, hyra n’organizatën e Gjirokastrës, në fillim si antar i thjeshtë dhe më pas u zgjodha antar i Komitetit Qarkor, i ngarkuar për punën me nacionalistët. Aty në Gjirokastër kam bërë punë politike sidomos në shkollë, deri në mbylljen e saj në majin e vitit 1942. Jashtë shkollës, sipas udhëzimeve të Partisë, kam mbajtur lidhje me nacionalistët si: Faik Quku, Koço Muka etj. Po kështu në atë kohë kam punuar me shtresa të ndryshme dhe kam sabotuar rekrutimin e ushtarëve milicë. Në atë kohë kam kundërshtuar n’organizatën bazë vendimin e Partisë për një demostratë që më dukej e parakohshme, gjë të cilën më vonë e anulloi vetë Komiteti Qarkor. Më 16 korrik të vitit 1942, për shkak të një dokumenti të organizatës së Vlorës që kishte rënë në duart e armikut, u hodha në ilegalitet, ku qëndrova edhe në ditët më të vështira të reaksionit, duke u strehuar si në familjet e varfëra, ashtu dhe tek ato të agallarëve të pasur. Gjatë asaj kohe unë kam mbajtur një qëndrim të drejtë karshi elementëve nacionalistë dhe më vonë edhe karshi Ballit Kombëtar. Më 6 prill të vitit 1943, Komitetoi Qarkor vendosi që shokët ilegalë të linin qytetin dhe pas një kohe të shkurtër që qëndrova në Libohovë dhe Labovë, shkova në Poliçan që u bë për një kohë të gjatë qëndra e gjithë veprimtarisë sonë”, ka shkruar midis të tjerash Shemsi Totozani, lidhur me aktivitetin e tij në Qarkorin e Vlorës dhe Gjirokastrës.

Konflikti me Miladin Popoviçin

Aty nga viti 1943 kur Shemsi Totozani ndodhej ende në Qarkorin e Gjirokastrës, ku së bashku me Bedri Spahiun ishin dy nga drejtuesit kryesorë të tij, ai pati disa konflikte me emisarin jugosllav Miladin Popoviç, i cili shfrytëzoi autoritetin e tij dhe i anulloi Shemsiut detyrën e antarit të Seksionit Politik në Brigadën e VI-të partizane që sapo i’a kishte ngarkuar. Lidhur me këtë dhe veprimtarinë e tij të mëvonëshme, midis të tjerash në kujtimet e tij Shemsiu ka shkruar: “Pas kapitullimit të Italisë, forcat tona hynë në Gjirokastër dhe në atë kohë që hynë gjermanët, unë ndodhesha në Greqi për t’i lidhur me Partinë Komuniste Greke dhe me E.A.M.-in pranë Regjimentit të 15-të. Kur po formohesh Brigada e VI-të, Dushani më caktoi si antar të Seksionit Politik, por pas operacionit të parë, ky vendim u anullua dhe unë u caktova si përgjegjës i Agjit-propit, (agjitacionit e propagandës) pranë kësaj Brigade. Arsyet që m’u dhanë për këtë ulje, nuk ishin aspak me vënd. Kuptohet se nuk isha i kënaqur dhe rendimenti im për ato dy-tre muaj që qëndrova në Brigadë, s’ka qenë i mirë. Më 2 maj 1944, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shkova pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës, si përgjegjës i Agjit-Propit. Vetëm pas Kongresit të Partisë të Përmetit, kur më sqaroi për çdo gjë shoku Enver, unë i ndryshova kryekëput mendimet që kisha lidhur me arsyet e uljes në atë detyrë që m’u ngarkua në fillim. Më pas në funksionin e përgjegjësit të organizatës së Partisë, mora pjesë në konferencat e kuadrove që u zhvilluan në Helmës, Odriçan, Berat, etj.,”, kujton në shënimet e tij Shemsi Totozani, lidhur me konfliktin që pati me emisarin jugosllav Miladin Popoviç dhe takimin me Enver Hoxhën, por pa i shpjeguar arsyet e vërteta që ata nuk e lanë në detyrën e antarit të Seksionit Politik të Brigadës së VI-të ku e caktuan në fillim. Pas mbarimit të Luftës, Shemsi Totozanin e caktuan me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë Arsimit në Tiranë, ku njëkohësisht ai ishte dhe me detyrën e Sekretarit të Partisë të celulës së atij dikasteri. Që me fillimin e punës në atë Ministri, Shemsiu u ndesh me probleme të shumta dhe padrejtësi që u bëheshin antarëve të thjeshtë të Partisë të cilët nuk e ngrinin dot zërin nga frika se do të kishin konsekuenca.
Duke qenë një komunist idealist, i formuar me idealet e social-demokracisë perendimore që nga koha që kishte studjuar në Francë, Shemsiu nuk i duronte dot ato metoda brutale në të cilët u ndeshën antarët e Partisë asokohe. Nisur nga ajo gjë, Shemsiu ngriti problemin e qëndrimit që u mbajt ndaj deputetëve Riza Dani e Selaudin Toto, gjë e cila në atë kohë përbënte një problem shumë delikat dhe për të cilat ai pati konsekuenca duke u shkarkuar nga detyra e duke shapllur element arnti-parti.

Goditja e parë në 1945-ën

Lidhur me atë periudhë kohe kur dhe filloi goditja e parë ndaj tij, në kujtimet që ka lënë të shkruara, midis të tjerash Shemsiu shprehet: “Pas çlirimit kam qenë Sekretar i Celulës në Ministrinë e Arsimit dhe më 1945 antar i Komiteteve të Digastereve. Në këtë Komitet ku ka qenë Sekretar i Parë shoku Teodor Heba dhe Sekretar i Dytë, shoku Kahreman Ylli, ne të tre kemi ngritur shpesh raporte verbale dhe me shkrim, për çështje që nuk na dukeshin të drejta. Për këtë na është bërë kohë e pa kohë ndonjë këshillim nga ana e Pandi Kristos dhe më në fund, qëllimisht, krerët e Ministrisë së Brendshme, urdhëruan që ne të tre të ndaheshim nga njeri tjetri. Shoku Teodor u transferua në Durrës, si Sekretar i Parë i Partisë dhe shoku Kahreman, shkoi Ministër në Paris. Kam ngritur në një aktiv të ngushtë Partie, mungesën e demokracisë në Parti, mungesën e kritikës dhe autokritikës, çështjen e frikës së antarëve të Partisë për të shtruar drejt problemin, çështjen e deputetëve Riza Dani dhe Selaudin Toto më 1945. Këto i’a kam shtruar direkt edhe Koci Xoxes, i cili s’i ka quajtur të drejta. Kuptohet se pas këtyre kanë ardhur goditjet të njëpasnjëshme për mua. Në tetorin e 1946-ës më çuan në Ministrinë e Drejtësisë si Sekretar i Përgjithshëm dhe në dhjetor 1956 më dërgojnë Drejtor të Shkollës Pedagogjike “17 Nëntori”. Asnjë arsye nuk m’u dha për këtë trajtim, dhe asnjë arsye të fortë nuk munda të gjeja në veten time. Komiteti Qarkor i Tiranës, më hoqi “vërejtje të rëndë me paralajmërim me shënim në biografi”, për arsye se: “kisha folur kundër kooperativave”, “kisha shkuar në kundërshtim me vendimet e Komitetit Qarkor”. Që prej asaj date jam shikuar kudo me sy të keq, emri im përmëndej kudo në organizatat e ndryshme të Partisë, si element armik dhe anti-parti. Shokët e vjetër s’guxonin të më flisnin, shpifjet për mua ishin në rendin e ditës dhe në çdo mbledhje të organizatës bazë të shkollës, do të më vinte ndonjë i deleguar i Komitetit të Rajonit apo qytetit për të më goditur mua, pse isha “element i rrezikshëm”. Edhe Ministria e Arsimit n’anën e saj mundohesh të më goditëte. Këto ndjekje kondra meje kanë vazhduar deri në Pleniumin e XI-të të Komitetit Central”, thuhet në kujtimet e Totozanit, lidhur me vitet 1945-1947, kur ai u godit nga Partia si “armik”. Po kështu për atë periudhë, dëshmonte edhe Selfixhe Broja (Ciu) e cila në mes të tjerash kujtonte: “Në një aktiv Partie, Shemsiu shtroi çështjen e mungesës së demokracisë në Parti, gjë e cila ndillte frikë për të shtruar çështje që dukeshin të gabuara, si p.sh., “Gjyqi i Deputetëve”. Pas kësaj, nisi goditja ndaj tij, duke u bërë shpifje nga më të paskrupulltat. Në ato kohë ai u detyrua dhe i’u drejtua me një promemorie Dikasterit, duke ngritur jo vetëm problemin e tij, por dhe rrugën pa krye ku ishte futur Partia”, kujtonte për Totozanin, ish-publicistja e famëshme e viteve ’30-të, Selfixhe Broja, e cila në vitet e para të pas-Luftës ka punuar bashkë me të në Ministrinë e Arsimit.

Ambasador në Francë

Goditja ndaj Shemsiut vazhdoi deri në fundin e vitit 1948, kur u mbajt Pleniumi i XI-të, i cili njihet ndryshe edhe si “Kthesa e Partisë”. Në atë kohë Enver Hoxha sipas udhëzimeve që kishte marrë nga Moska, goditi Koci Xoxen, të cilin e shihte si rival të tij në krye të Partisë dhe i’a ngarkoi atij të gjitha “gabimet” që ishin bërë. Në atë kohë u rehabilituan një numër shumë i madh komunistësh që ishin cilësuar “elemenetë anti-parti e armiq” dhe në atë kuadër, u rehabilitua edhe Shemsi Totozani, i cili si fillim u emërua Drejtor i Arsimit në Ministri. Ai nuk pranoi që të fillonte punë pa sqaruar më parë pozicionin e tij, dhe i kërkoi takim Tuk Jakovës, i cili në atë kohë mbante funksionin e Sekretarit të Dytë të Komitetit Qëndror. Në atë takim me Tukun, përveç çështjeve personale ai ngriti edhe probleme të tjera, që e kompromentonin rëndë demokracinë në Parti, të cilat Tuku jo vetëm që i’a mirëpriti, por dhe e ndihmoi duke e propozuar për ambasador të Shqipërisë në Paris. Kështu në vitin 1953, Shemsi Totozani shkoi në Francë, me detyrën e ambasadorit dhe disa nga ish-kolegët e tij të asaj kohe, dëshmojnë se Totozani ka qenë një nga përfaqësuesit më dinjitozë të Shqipërisë në Paris. Njëri nga kolegët e Totozanit, shprehet se: gjatë dorzimit të letrave kredenciale dhe pas ceremonisë, Presidenti i Francës, Sharl Dë Gol, mbeti krejt i befasuar dhe u mahnit nga gjuha frënge (të cilën Shemsiu i fliste krejt rrjedhshëm, njëlloj si shqipen) dhe kultura e tij e gjerë. Që në momentet e para të atij takimi, Presidenti francez i’u shpreh Totozanit, duke i thënë se: nga të gjithë ambasadorët e akredituar në Francë, që ai kishte pasur mirësinë që t’i priste, nuk kishte rastisur asnjë që ta fliste frengjishten në atë mënyrë. Lidhur me periudhën që Shemsiu shërbeu në ambasadën shqiptare në Paris, Selfixhe Broja, dëshmonte: “Me kulturën, edukatën dhe mprehtësinë që e karakterizonte Shemsiun, ai dijti të përfaqësohej në mënyrën më dinjitoze në të gjitha qarqet diplomatike në Paris. Por në atë kohë ai pati mjaft problem, të cilat erdhën si rezultat i mungesës së rakordimit me kuadrin, i cili kishte vartësi të dyfishta dhe sidomos barrikada që i bëri ai shpërdorimeve financiare dhe shpenzimeve të dyshimta, që bënte Llambi Peçini (Shefi i Zbulimit, pranë asaj ambasade) i cili në atë kohë kishte pavarësi të plotë. Shemsiu u shpreh hapur kundër shpenzimeve financiare të pallogaritshme për subvencionin që u jepej në atë kohë marksitëve, të cilët ai i qunte me nevri: “Horrat e Europës”. Por denoncimi që i’u bëri Shemsiu atyre problemeve në ambasadën shqiptare të Parisit, i krijoi konsekuenca të shumta në Tiranë, duke e atakuar personalisht me Enver Hoxhën, i cili kishte firmosur dhe financimet për grupet marksiste-leniniste, të cilët paguheshin rregullisht dy herë në muaj nga ambasadat shqiptare në Paris e Romë”.

Goditja pas Bedri Spahiut

Ajo krisje që u krijua në mes Totozanit dhe Enver Hoxhës në atë kohë që ai ishte ambasador në Paris, konçidoi edhe me goditjen që Enveri i dha atëhere Bedri Spahiut, baxhanakut të Shemsiut. Pas kësaj Enver Hoxha e hoqi Shemsiun nga Franca dhe fillimisht e dërgoi ambasador në Sofie të Bullgarisë, transferimim i cili nënkuptonte një të ardhme krejt të zymtë për të. Lidhur me këtë, i biri i Shemsiut, Vojo Totozani dëshmon: “Në atë kohë që u godit Bedri Spahiu, Enver Hoxha thirri në Tiranë të gjithë ambasadorët e Shqipërisë, me qëllim që t’u sqaronte arsyet e shkarkimit të tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Në atë kohë babai ndodhej në një mbledhje në Gjenevë dhe kur erdhi në Tiranë, Enveri i komunikoi transferimin nga Parisi për në ambasadën shqiptare të Sofies. Gjatë një feste zyrtare në atë kohë, kur erdhi rradha për të takuar ambasadorët, Enver Hoxha në mënyrë demonstrative, e kaloi Shemsiun pa i’a dha dorën. Arsyeja kryesore e atij transferimi dhe qëndrimi, bëhej për shkak të goditjes së Bedri Spahiut, bashkëshortja e të cilit, ishte motra e nënës sonë dhe ajo lëvizje, ishte dhe zanafilla e goditjes së rëndë që do të pësonte babai më vonë, sepse atë e hoqën edhe nga Bullgaria dhe e sollën në Tiranë. Pasi e lanë afro dy vjet si nëpunës në Ministrinë e Jashtme, aty nga viti 1957, atë e hoqën edhe që andej dhe e caktuan Drejtor të Bibliotekës Kombëtare, ku ai ishte vazhdimisht nën survejimin e organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat i kishin vënë deri dhe përgjues në ambientet e zyrës. Edhe në ato kushte, babai punonte me përkushtimin më të madh, duke e pasuruar fondin e Bibliotëkës me libra nga më të përzgjedhurit, por edhe për atë gjë ai u ndesh në pengesa të mëdha dhe u akuzua nga lart se po fuste në bibliotekë ideollogjinë reaksionare. Tepër i revoltuar nga ajo situatë në të cilën ndodhej, babai herë pas here shfrynte mllefet e akumuluara me miqtë e tij më të ngushtë, si: Profesor Eqerem Çabej, Selfixhe Broja, Zef Mala, Nonda Bulka etj., të cilëve i’u thoshte: ‘Mjer ky popull, që i mohoet edhe ushqimi shpirtëror e mendor’. Po kështu me ata miq të tij, në atë kohë babai diskutonte edhe për shpërdorimet e privilegjet e udhëheqjes së lartë që banonte në “Bllok”. Të gjitha këto ndikuan në përjashtimin e tij nga Partia në vitin 1956 dhe motivacioni që i’u tha atëhere ishte:

  1.  Ke shfaqur pikpamje të huaja për Partinë.
  2. Je shprehur kundër lidhjeve e miqësisë me Kinën.
  3. Në Francë ke pasur lidhje me armiqtë e Kombit.
  4.  Ke propaganduar kulturën perendimore.

Në fund të asaj mbledhje, ku i deleguar ishte Faik Shehu, babai u shpreh: ‘Jam i bindur se një ditë Partia, përsëri do më pranojë në rradhët e saj’. Faik Shehi i tha: ‘Për cilën Parti e ke fjalën, për atë të Enver Hoxhës’? babai i’u përgjigj: ‘Jo, për Partinë e Punës të Shqipërisë’. Qëndrimi i tij në Komitetin Qarkor ishte shumë burrëror dhe ai nga i akuzuar, u kthye në akuzues”. Këtë gjë e pohon edhe Selfixhe Broja e cila midis të tjerave dëshmon: “Pas atyre akuzave, kur i thanë Shemsiut që t’i kërkonte falje Komitetit Qëndror dhe të denonconte shokët e tij, ai u pergjegj: Quhem Shemsi Totozani dhe kam qenë gjithë jetën i ndershëm e do të vdes i tillë”.

10 vite burg dhe internimi në Belsh

Pasi Shemsiu nuk kërkoi falje dhe nuk bëri autokritikë, Enver Hoxhës u shpreh: “Le të shkojë në Elbasan, ta fillojë nga e para”. Lidhur me periudhën që ai jetoi atje ku dhe u arrestua më pas, i biri i tij, Vojua dëshmon: “Në qytetin e Elbasanit, babai punoi disa kohë si mësues dhe në vitin 1967 ai doli në pension si arsimtar. Gjatë asaj periudhe e deri në vitin 1974, kur babanë e arrestuan, ai vazhdimisht shoqërohej kryesisht me Qamil Çelën, (komunisti i parë në Shqipëri), të cilin e kishte mikun më të ngushtë. Po kështu përveç Qamilit, në shtëpinë tonë vinin dhe Ymer Dishnica, Peço Kagjini, Muhamer Spahiu e disa intelektualë të tjerë si, Perikli Sheti, me të cilët ne kishim shoqëri familjare. Nga miqtë e Tiranës ata që nuk e harruan asnjëherë babanë edhe kur e çuan në Elbasan, ishte Dalan Shapllo me vëllezërit e tij. Babai kishte një humor të jashtëzakonshëm dhe me ata miq e shokë ai i rrinte vazhdimisht edhe në kafene, ku midis bisedave të tjera diskutonin edhe për Enver Hoxhën.
Duke perifrazuar Viktor Hygonë në poezinë e tij për Napoleonin e Tretë, babai u thoshte vazhdimisht shokëve të tij: ‘Nëse do të mbeteshin 1000 kundërshtar të tij, një prej tyre do të isha unë, nëse do të mbeteshin 100, përsëri një prej tyre do të isha unë, ndërsa po të mbetej edhe një kundërshtar i tij, ai do të isha unë’. Të gjitha këto u bënë shkak që në vitin 1974, babai të arrestohej dhe pasi u mbajt për gjashtë muaj ne hetuesi, ai u dënua me dhjetë vjet burg politik dhe sekuestrim të pasurisë. Në fillim Shemsiun donin ta dënonin si “agjent të UDB-së”, por pasi nuk gjetën dot dëshmitarë, atë e dënuan për “agjitacion e propaganda”. Gjatë seancave gjyqsore, babai u kthye në një akuzues dhe ajo gjë atëhere pati jehonë të madhe. Ndër ata miq të babait të cilët nuk pranuan të jepnin dëshmi të rreme kundër tij, ishin: Ferik Toto, Faik Çoçoli dhe Leonidha Qirjako, të cilët patën edhe presionte të mëdha dhe konsekuenca të rënda më pas. Po kështu Qamil Çelës që nuk pranoi të dëshmonte kundër babait, i prenë pensionin jetik. Në atë kohë që u dënua babai, nënën tonë Sidon, e cila ishte komuniste e 1941-it, e përjashtuan nga Partia dhe e hoqën nga puna duke i kërkuar llogari, se: pse priste në shtëpi vjehrrën e Bedri Spahiut, që njëkohësisht ishte nëna e saj. Burgun, babai e vuajti kryesisht në kampin e Ballshit dhe prej andej u lirua në vitin 1982, duke përfituar nga amnistia që u dha atëhere për të moshuarit mbi 60 vjeç. Pas lirimit nga burgu, babai më shumë qëndronte në shtëpi ku merrej me hartimin e një Fjalori Frazeologjik frengjisht-shqip, të cilin e kishte filluar që prej 10-vitesh. Atë fjalor i’a sekuestruan hetuesit kur e arrestuan, duke menduar se do kishte materiale kompromentuese dhe i’a dhanë përsëri më pas. Por babai nuk qëndroi shumë kohë i lirë, sepse në 1986-ën, kur ishte 75-vjeç, së bashku me nënën i internuan nga Elbasani për në Belsh. Në qytetzën e Belshit, babai shkoi duke u zvarritur dhe i mbajtur prej krahësh nga nëna, sepse ai ishte shumë i sëmurë. Atje Shemsiu qëndroi i internuar deri në nëntorin e vitit 1990-të, kur dhe u shkri Komisjoni i Internim-Dëbimeve. Gjatë asaj kohe, pikpamjet prej disidenti komunist, e çuan babanë në një metamorfozë të plotë ideo-politike dhe ai e quante Enver Hoxhën “Tradhëtar të idealeve të Luftës”. Në nëntorin e vitit 1990-të, të dy me nënën u kthyen në Elbasan, por nga vuajtjet e shumta të burgut e internimit, ai nuk jetoi më shumë se dy muaj”, e përfundon rrëfimin e tij të dhimbshëm, Vojo Totozani, për babanë e tij, Shemsiun, një nga komunistët e ndershëm dhe idealist, i cili nuk u pajtua kurrë me diktatin e Enver Hoxhës dhe si rezultat i rebelimit të tij, vuajti për 15-vjet në burgje dhe internime./Memorie.al

23

20200601_23084920200601_23062520200601_23071020200601_23074020200601_23081120200601_23092820200601_23095820200601_231028

360grade.al

farma
Presioni i ambasadorëve, apo “topi te Luli Basha”…

Të tjera