» Covid çon në gropë ekonominë e Shqipërisë, varfëria do arrijë në 48%

Covid çon në gropë ekonominë e Shqipërisë, varfëria do arrijë në 48%

Banka Botërore evidenton se masat e qeverisë në përgjigje të krizës si pasojë e Covid nuk ishin efikase dhe si pasojë varfëria në Shqipëri rrezikon të rritet me 48%. Në raportin dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mbetet një nga vendet më të cënueshme nga pasojat e Covid-19 dhe kjo lidhet me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe informalitetit.

Shqipëria mbetet një nga vendet më të cënueshme nga pasojat e Covid-19, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo sipas këtij institucioni lidhet me karakteristika si niveli i lartë i vetëpunësimit dhe informalitetit.

Të dhënat e Bankës nuk janë inkurajuese po të shohësh që shkalla e papunësisë pritet të arrijë nga 40% që është sot, deri në 48%.

Sipas raportit që vlerëson se si Covid-19 do të ndikojë në varfërinë dhe mirëqënien e familjeve në Ballkanin Perëndimor, më të ekspozuar mbeten personat e vetëpunësuar ata me punësim informal dhe ata me punë të përkohshme ose me kontrata jo shumë të sigurta.

Raporti evidenton se masat e qeverisë nuk janë efikase.

“Masat e qeverisë në përgjigje ndaj krizës, të cilat ndihmojnë firmat në sektorin formal të ruajnë vendet e punës nuk do të mund të arrijnë drejtpërdrejt te punësuarit informalë. Shumë prej këtyre të punësuarve informalë ose të të vetëpunësuarve nuk janë përfitues të të asistencës sociale, mjetit të fundit mbrojtës të rezervuar për më të varfërit, duke i lënë ata të pambrojtur”.

Siç edhe mund të shihni në këtë grafik, 14 deri 33 për qind e të punësuarve në sektorët shumë të prekur nga kriza e Covid-19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë të vetëpunësuar, e për këtë arsye ata janë edhe më të cënueshmit dhe përqindja është veçanërisht e lartë në Shqipëri dhe Kosovë.

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe masat kufizuese pritet të përmbysin arritjet e fundit në drejtim të reduktimit të varfërisë në Shqipëri.

Raporti evidenton se në mars, Shqipëria vendosi të mbyllë hotelet, teatrot dhe aktivitetet e tregtimit të artikujve jo-jetik si dhe kufizoi lëvizjen e njerëzve si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Shumë sektorë të industrisë, përfshirë tekstilet, minierat, qendrat telefonike dhe ndërtimi, u detyruan të zvogëlojnë veprimtarinë për shkak të zbatimit të masave për distancim social por edhe për shkak të rënies së kërkesës si rezultat i kolapsit të porosive për eksport.

Ka gjasa që edhe emigrantët shqiptarë të preken nga kjo krizë globale, e cila çon në reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave.

Sipas skenarit më optimist, varfëria do të arrinte në nivelin e vitit 2012 dhe, sipas skenarit më pesimist, ajo do të ishte e barabartë me nivelin e vitit 2005.

/Ora News.tv/

 

360grade.al

farma
Presioni i ambasadorëve, apo “topi te Luli Basha”…

Të tjera