» “Shembja e Teatrit, porosi e lobit serb”, Meta tregon SMS e diplomatit për Ramën: Nga sot do jem si President danez

“Shembja e Teatrit, porosi e lobit serb”, Meta tregon SMS e diplomatit për Ramën: Nga sot do jem si President danez

Presidenti i vendit, Ilir Meta, e lidhi prishjen e Teatrit Kombëtar me interesa pro serbe në Uashington, që kërkojnë destabilizim jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.

Kreu i shtetit, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ka mohuar që një mesazh i para disa ditëve i ambasadores amerikane të jetë adresuar ndaj tij. “Shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”, shkruante ambasadorja Yuri Kim disa ditë më parë, në një publikim në rrjetet sociale.

Ai tha se nga nesër(sot) do të jetë një president tjetër, institucional dhe që s’do bëjë më përpjekje për të propozuar platforma dialogu dhe zgjidhjesh.

 

sms
Faksimile e SMS-së së diplomatit

Reforma në Drejtësi po kthehet si legjenda e Rozafës. Statusi i ambasadores amerikane ka pasuar edhe nga një status i zyrës së Komisionit Europian. Sipas VOA-s, ky status ju adresohet juve si një person, që përmes platformës suaj po mundoheni ta ktheni pas reformën. Unë besoj që jemi ende në kuadër të revolucionit kulturor të Reformës në Drejtësi, të Ramaformës.

Këtë revolucion e keni votuar ju zoti Meta?

Është tjetër reforma që u votua dhe tjetër revolucioni kulturor që është katandisur. Ka 6 vjet që flitet për reformë dhe është paralizuar gjithë sistemi dhe problemi është që ata që e dështuan, kërkojnë të shpikin fajtor.

A jeni target i ambasadores?

Nuk mund të jem target i askujt, sepse jam Presidenti i vendit. Nuk mund të ketë një ambasadore target mbi një President, se ky është një problem tjetër. Nuk është Ilir Meta target i askujt. Një gjë ta kesh të qartë, ti dhe kushdo. Nuk lejoj më të tallet njeri me atë reformë që e katandisën në atë formë, në Ramaformë. Ambasadorja vetëm për Ilir Metën s’mund ta ketë, ashtu sikurse jam i sigurt që ai burimi për VOA-n është burim i ambasadës amerikane, por jo i ambasadores. Ambasadorja, më datë 23 mars, në një takim që ka bërë në Presidencë, më ka kërkuar idetë e mia si mund të shkohet drejt një normaliteti dhe më 8 prill, drejtori i kabinetit i ka kthyer përgjigje bashkë dhe me një platformë ku i thotë që, ‘edhe pse jemi në situatë karantine, ju lutem lexoni këto propozime të Presidentit dhe presim propozimet tuaja’. Këshilltari ligjor i Presidentit do takohet me këshilltaren e saj. Presidenti i ka çuar një platformë me 14 pika që u bë publike, ku janë dhe pikat për çështjet e drejtësisë, si zhbllokohet KED dhe si bëhen gjithë proceset e tjera. Nëse ambasadorja ka ndonjë shqetësim, le ta shprehë.

Reforma në Drejtësi ka kaluar përmes përplasjesh të forta, ju na i keni shpjeguar dhe në emisionin e kaluar këtu në këtë studio. Ju keni përgjegjësi?

Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë për Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat korrekt dhe ka qenë në atë takim. Ai e ka nisur këtë në emër të ambasadës amerikane dhe ambasadës së BE-së. “Mirëmëngjes Beni thotë. I takova kolegët e mi amerikane dhe të BE-së dhe folëm më Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin dhe këtë nuk ma thanë në darkë. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që të mos i bjerë të fikët Presidentit. Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e Presidentit për nominim për tjetrën. Dhe Rama nuk do përpiqet ta bllokojë këtë”. Pra, është Rama që i bllokon dhe jo KED-i që i infiltron kandidatët. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë. Ky është një qëndrim i turpshëm, antikushtetues. Nuk janë lojërat e Amerikës, por lojërat e ekspertëve.

A i keni komunikuar këto me ambasadoren Kim?

Jam shumë i shqetësuar për besueshmërinë e SHBA-së edhe sa i takon Reformës në Drejtësi në Shqipëri. I kam dërguar letra ambasadores sa herë që kam qenë i shqetësuar se maxhoranca ka përdorur EURALIUS-in dhe OPDAT-in e s’kam marrë asnjë përgjigje me shkrim për këto çështje. Nuk ka si ta ketë për mua ambasadorja se unë jam kryetar shteti, reforma ka dy palë, Edi Rama dhe SHBA-BE.

Kush e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese?

Ta dinë gjithë shqiptarët meqë jemi pa Gjykatë Kushtetuese, ta marrin faturën ata që e kanë lënë Shqipërinë pa GJK e bëjnë sikur u qan zemra. Këtu ke një letër që i drejtohet Romana Vlahutin, e datës 3 nëntor 2017 dhe shefes së EURALIUS. Kjo thotë që Presidenti është i shqetësuar që të mos na ndodhë prapë me KED-in ajo që na ndodhi, që ngeli vendi pa KED. Hajdeni të flasim, se s’mund ta hedhë shortin për anëtarët e KED-it Presidenti në një situatë me kontestime. Vlahutin erdhi me shefen e EURALIUS-it dhe ramë dakord për ditën kur do bëhej takimi. Një ditë para takimit, shefja e Euraliusit i thotë këshilltarit tim nuk mund të vijmë. Pse? Se është porosi politike, unë jam person teknik, kaq. Kush merrte kurajë për të bojkotuar Presidentin e Republikës në vendin ku punon? EURALIUS dhe OPDAT punojnë me urdhrat e Edi Ramës.

A i keni përmbushur të gjitha përpjekjet për gjetjen e gjuhës së dialogut mes palëve?

Nga nesër do shihni një President tjetër, tepër institucional e të kujdesshëm, edhe danez po deshët ta quajmë, nuk do përfshihet më në dialog. Një President që do zbatojë Kushtetutën e vendit të tij e nuk do përfshihet më shumë me biseda e gjëra që lënë vend për diskutime e alibi, me Kryeministrin meqë është aktor kryesor politik i hapur për takime zyrtare të mirëdokumentuara edhe me dëshmitarë. Me Lulin, me ambasadorin e BE-së dhe me ambasadoren e SHBA-ve. Me të katër, nga nesër, vetëm marrëdhënie dhe takime institucionale, me dëshmitarë dhe të mirëdokumentuara. Katër aktorët t’i zgjidhin problemet në bashkëpunim të ngushtë e unë do t’i inkurajoj. Këtu ka disa duar të zeza që nuk duan stabilitet.

Keni mëri edhe me zotin Basha?

Unë nuk kam mëri me asnjë nga ata, por unë jam serioz, jo karagjoz.

Përse u prish Teatri në atë mënyrë? Cili ishte qëllimi?

Kryeministri ynë nuk kishte kohë për të pritur të dilnim nga pandemia, sepse kemi të bëjmë me një skenar për trazira dhe përplasje në Shqipëri dhe kjo ka në sfond edhe zhvillimet rajonale. Për arsye të brendshme që të provokojë opozitën, të ikë nga çështja e Kodit, të harrojë 15 kushtet e BE-së. Ka marrë një porosi të destabilizojë, të nxehë situatën në Shqipëri dhe po jua them që është në interes të lobit shumë të fuqizuar pro serb në Uashington, siç i interesonte edhe vjet përplasja për zgjedhjet lokale. Edhe vjet aty ishte qëllimi me zgjedhjet vendore, të ketë përplasje dhe gjakderdhje dhe opozita e Lulit dhe Monës të shpallej organizatë terroriste. Kam shumë prova dhe dokumente, që do t’i bëj publike në kohën e duhur. SMS që u bë publike sot do duket pa vlerë në raport me to. Do flas në të ardhmen dhe në kohën e duhur. Mund të ketë ndonjë zhvillim interesant në Kosovë në periudhën në vijim.

360grade.al

farma
Presioni i ambasadorëve, apo “topi te Luli Basha”…

Të tjera