» Qeveria të mbështesë fort industrinë gjigante të pronave të paluajtshme dhe rolin e agjencive të ndërmjetësimit

Qeveria të mbështesë fort industrinë gjigante të pronave të paluajtshme dhe rolin e agjencive të ndërmjetësimit

Flet sipërmarrësja, Brixhida Kokëdhima: DES Real Estate, zgjerim të shpejtë të rrjetit të zyrave në vend  

Briselda Hoxha  

Pandemia e COVID-19 nuk ka kursyer as industrinë e tregut të pasurive të paluajtshme. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Drejtoresha e DES Real Estate, znj. Brixhida Kokëdhima, tha se tregu i pasurive të paluajtshme u ndikua shumë këto kohë nga situata e krijuar në vend dhe paniku që solli COVID-19, bëri që aktiviteti i agjentëve të DES Real Estate, të bëhej i pamundur. DES Real Estate, është një sipërmarrje premtuese e cila në vetëm dy vite është shtrirë në të gjithë Rajonin e Ballkanit.

Znj. Kokëdhima tha se Qeveria duhet të fokusohet shumë tek industria e pronave, pasi, sipas saj rreth 70-75% e pronave në Shqipëri janë pa certifikatë pronësie dhe praktikisht jashtë qarkullimit ekonomik.

Znj. Kokëdhima, agjentet e shitjeve të pronave të paluajtshme nuk janë përfshirë në paketën e ndihmës financiare të prezantuar nga Qeveria për shkak se janë aktivitet i hapur. Si do ta vlerësonit këtë qëndrim?

Agjentët e pronave u ndihmuan me paketën e dytë nga Qeveria dhe kjo ishte shumë e mirë, jo vetëm financiarisht, por sidomos për motivimin e burimet njerëzore të agjencive të ndërmjetësimit të pronave. Brokerat me të cilët në punojmë, që janë kompani të reja, të krijuara para disa muajsh, nuk u ndihmuan fare. Nuk e kuptojmë përse, sepse kompanitë e reja duhet të ishin mbështetur, madje edhe më tepër.

Si është gjendja aktuale e aktivitetit tuaj  momentalisht? Sa është prekur nga COVID-19?

Agjencitë e ndërmjetësimit të pronave u prekën nga Pandemia COVID-19, sidomos në muajt mars dhe me pak në prill, por edhe në vazhdim.  Stresi,  frika, paniku që krijoi COVID-19 tek të gjithë si dhe kufizimet e mëdha në orare të lëvizjes së njerëzve, e bënë të pamundur aktivitetin normal të agjentëve tanë në DES Real Estate.

U ndërprenë të gjitha vizitat në pronë, u mbyllën për një kohë zyrat, dhe kur u rihapën, nuk mundën të punonin normalisht. Ishin momente që ne mendonim sesi ta përdornim kohën dhe si mund të bënim punët tona në kushtet e reja. Ne në  DES Real Estate, vlerësuam situatën e re dhe avanatazhet që mund të kishim:

  • Menduam që blerësit e motivuar do të kërkonin për okazionet që do të shfaqeshin.
  • “Gjuetarët e pronave – Investitorët”, do të kërkonin në situatën e krijuar, prona me çmime më të lira dhe oferta surprizë.
  • Shitësit që situatën e shikonin si pesimiste dhe tregun e mbushur me oferta për prona në shitje ose qira, ishin më të prirur për të negociuar çmimet e shitjes.

Nga këto dy të parat rezultuan të parashikuara mirë si avantazhe, por e fundit nuk rezultoi e vërtetë. Shitësit e shtëpive dhe qiradhënësit nuk i ulën çmimet dhe kanë qëndruar fort në çmimet që kishin para pandemisë, kurse blerësit kërkojnë pareshtur ulje, për shkak të situatës. Kjo ka çuar në disa negociata pa rezultat dhe transaksione të pa realizuara nga ne.

Ne punuam gjatë kësaj kohe, telefonuam çdo klient të mundshëm dhe rifreskuam të gjitha kërkesat, ofertat, vendosëm takime potenciale me klientët, sapo të ishte e mundur dhe punuam fort me website-n tonë www.desrealestate.al e faqe të tjera webi. Përpunuam të gjithë setin e dokumenteve për të futur shërbimin e ri të Menaxhimit të Pronave dhe po përgatisim gjithçka për ta aplikuar këtë shërbim të munguar totalisht në treg në muajin shtator 2020, në të gjithë zyrat e DES Real Estate në Shqipëri, në Tiranë në fillim nga 1 shtatori dhe më tej.
Pandemia na dëmtoi në zgjerimin e rrjetit tonë DES në tre qytete të reja: Shkodër, Sarandë dhe Durrës.

Si kanë ndryshuar kërkesat nga klientët në lidhje me blerjen e një apartamenti apo qiramarrjen, në krahasim me periudhën e para 2 muajve? A janë ulur shitjet dhe a ka ndryshim të çmimeve të apartamenteve?

Kërkesat çuditërisht janë rritur shumë nga shqiptarët në atdhe, por edhe nga ata që jetojnë jashtë, të cilët kanë kërkuar shtëpi fshati dhe apartamente në bregdetin e Himarës, ku DES Real Estate është e vetmja kompani që ka zyrë në Himarë. Kërkojnë tokë truall në Tiranë, Pogradec, Shkodër, tokë arë sidomos në Lushnjë dhe apartamente në Tiranë, Fier, Lushnjë, Elbasan, Korçë etj. Çmimet nuk janë ulur sepse shitësit mendojnë se kjo do të kalojë shpejt dhe s’kemi pse t’i ulim.

Ajo që ne jemi të kënaqur, është se ka shumë kërkesa për qira dhe për blerje në çdo qytet. DES Real Estate, si kompani, ka 7 zyra në Shqipëri: Tiranë, Fier, Lushnjë, Korçë, Elbasan, Himarë, Vlorë (Lungomare). Kemi rënie të efikasitetit dhe rezultate pozitive të shumë negociatave, për shkak të shitësve që nuk ulin dhe blerësve që i duan patjetër uljet. Megjithatë, agjencitë kishin listime të bëra para pandemisë, pra prona në gjendje që mund të shesin, jo sa normalisht.

Meqënëse të gjithë sektorët kanë pësuar dëme nga goditja e COVID-19, cilat janë kërkesat tuaja ndaj Qeverisë në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë?

Kërkesat tona ndaj Qeverisë kanë të bëjnë me politikat  e zhvillimit për industrinë e pronave të paluajtshme. Të lirohet lëvizja e njerëzve, duke respektuar fort distancimin social të nevojshëm dhe të aplikohen mjetet e tjera ndihmuese për të ruajtur shëndetin e njerëzve, por Shqipëria duhet të lejojë lëvizjen e lirë dhe t’i japë fund këtij ngujimi vetëshkatërrues. Gjithashtu, ne kërkojmë që Qeveria të fokusohet fort tek industria e pronave që është industri gjigande.

Të pajisen me certifikatën e pronës të gjitha pronat dhe të shërbehet me përkushtim dhe në kohë prej drejtorive të Kadastrave që përfshin tashmë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI-n dhe Agjencinë e Inventarizimit të Pronave. Ka shumë zvarritje, burokraci, paaftësi dhe mungesë të aftësive manaxhuese dhe të aftësive profesionale në këto institucione. Njerëzit vuajnë të nxjerrin certifikatën e pronës, madje edhe kur duhet ta rifreskojnë atë. Për shembull, që të shesësh një pronë, kartela e pronës duhet të jetë 72 orë (3 ditë punë) e freskët, po a mund ta marrësh certifikatën e pronës brenda këtij afati? As që bëhet fjalë.

Le të shohim si do te funksionojë sistemi e-albania, që sapo ka filluar. Deri tani kemi shumë rezerva mbi funksionimin e këtij sistemi apo kohëzgjatjen e dhënies së shërbimit, kohë e cila nuk është reduktuar fare. Rreth 70-75% e pronave në Shqipëri janë pa certifikatë pronësie, praktikisht jashtë qarkullimit ekonomik. Miliona e miliona lekë, shteti dhe ekonomia e vendit tonë, nuk i merr, kurse shqiptarët nuk janë të lirë ta shesin apo dhurojnë pronën kur të duan.

Po ashtu, ka shumë zona në vend që janë fare të pamanaxhuara. Gjithashtu nga Qeveria kërkojmë që të bëjë legjislacion të posaçëm për ndërmjetësimin e shitblerjen e pronave, qiramarrjen, manaxhimin e pronës që është tepër i domosdoshëm kur shumë shqiptarë që janë jashtë kufijve kanë prona, të cilat nuk ka kush t’ua manaxhojë, sikurse edhe shqiptarët që janë këtu nuk e kanë të mundur të manaxhojnë pronën vetë.

Tregu i apartamenteve në vendin tonë gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2019  ka shënuar rritje si në drejtim të ofertës ashtu edhe në drejtim të kërkesës, kjo sipas një ankete që Banka e Shqipërisë ka bërë në operatorë kryesore të tregut dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe rritje të çmimeve me rreth 13.8%, por me situatën e krijuar nga COVID-19 çdo gjë ka ndryshuar. A besoni se agjencitë imobilare duhet të ndryshojnë qasjen e sjelljes në treg?

Çmimet pas fillimit të pandemisë nuk janë ulur, sipas të dhënave të kompanisë sonë. Qiradhënësit, as që bëhet fjalë të pranojnë ulje, kurse shitësit vazhdojnë të mbajnë çmimet e para pandemisë dhe rrallë ka ndodhur që të negociojnë, edhe pse qiramarrësit apo blerësit e pronave kërkojnë me këmbëngulje ulje.

Agjencitë e ndërmjetësimit të pronave kanë pak vite që kanë filluar të punojnë. Unë mendoj se janë disa agjenci Real Estate që punojnë mirë. Sigurisht, ajo që ne rrisim e përmirësojmë çdo ditë, është profesionalizmi dhe etika e gjithë komunikimit, shërbimi në kohë të shpejtë dhe me përfitim për  palët.

Ne në DES Rel Estate, vlerësojmë shumë besnikërinë ndaj klientëve, qofshin shitës apo blerës, duke respektuar me kujdes interesat e tyre. Besimi i klientëve tanë është shumë i çmuar për ne dhe ne punojmë çdo ditë për ta fituar besimin e tyre. Një person që bëhet klient i DES i kënaqur, mbetet aty për jetë, sepse agjenti i pronave bëhet si avokati, dentisti apo doktori i familjes.

Si pritet të jetë gjendja e këtij aktiviteti pas përfundimit të kësaj krize?

Unë mendoj se agjencitë e ndërmjetësimit të pronave punojnë e duhet të punojnë edhe gjatë pandemisë për arsyet që thashë më lart. Njerëzit kanë pasur fokusim e mjaft kohë të lundrojnë në internet, të krahasojnë e të studiojnë prona dhe kërkesat nuk reshten e për këtë jemi të kënaqur.

*Brixhida Kokëdhima, CEO (Drejtor), DES Real Estate

360grade.al

farma
E njëjta dorë kundër Kosovës dhe Shqipërisë…



mektrin


mektrin

farma

Tirana Bank


e-albania


e-albania

Të tjera