» “Ti i vdekur se i vdekur je”, Nexhmije Hoxha tregon bisedën e fundit mes Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut

“Ti i vdekur se i vdekur je”, Nexhmije Hoxha tregon bisedën e fundit mes Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut

Vrasje apo vetëvrasje. Se çfarë ndodhi me ish-Kryeministrin më jetëgjatë shqiptar, Mehmet Shehun, ende mbetet e mistershme.

Janë të shumtë ata që japin versione, një ndër ta edhe Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Në librin e saj, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, hedhur në treg së fundmi, Nexhmije Hoxha tregon se si e priti Enver Hoxha fejesën e Skënderit me Silva Turdiun, pse doli kundër saj dhe përpjekjet për ta bindur Mehmetin që ta prishte atë.

Çfarë ndodhi në Kongresin e 8-të të PPSH-së e më pas në mbledhjen e Byrosë, në 17 dhjetor 1981. Pse Mehmet Shehu vrau veten mbrëmjen e 17 dhjetorit. Sipas Nexhmije Hoxhës, ai ishte poliagjent i ngarkuar me detyrën e eliminimit të Enver Hoxhës. Sipas saj, në pamundësi për të realizuar këtë detyrë dhe mes një presioni të dyfishtë, ai u vetëvra.

SHTATOR 1981. LIND KRIZA E FUNDIT NË MARRËDHËNIET MIDIS ENVERIT DHE MEHMETIT

Në shtator 1981, Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit të tij, Skënderit, ngjarje kjo që do të shkaktonte një krizë të re në marrëdhëniet midis Enverit dhe Mehmetit. Për këtë fejesë ne mësuam nga djali ynë, Iliri, kur u kthyem nga Pogradeci. Ai na tha se atë dhe Teutën i kishin ftuar në shtëpinë e Mehmetit dhe ata kishin shkuar për urim. Iliri na tregoi se djali i Mehmetit që fejuar me vajzën e një profesori në Universitetin e Tiranës.hoxha-mehmet

Të nesërmen, Enveri dhe unë shkuam dhe uruam Mehmetin dhe Fiqiretin, si dhe çiftin e ri e më pas dëgjuam se në Tiranë po ziente lajmi i kësaj fejese, se krushqia që kishte bërë familja Shehu kishte habitur opinionin publik dhe është bërë objekt muhabeti e diskutimi, në takime në rrugë, në kafene, etj. Shumëkush çuditej për këtë krushqi, pasi për këdo ishin të njohura qëndrimet e rrepta të Mehmetit në zhvillimin e luftës së klasave, aktet e tij luftarake kundër pushtuesve të vendit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe, më vonë, kundër armiqve të jashtëm.

Kush nuk e njihte sloganin e tij: “Shqipëria në gojë të ujkut”! Prandaj, të gjithë pyesnin: “Si është e mundur ta ketë bërë këtë fejesë Mehmet Shehu?!”. Këto pyetje bëheshin ngaqë vajza, nga ana e nënës, i përkiste familjes së Pipajve të Shkodrës, në mesin e së cilës kishte ehe kriminelë të luftës, të burgosur ose të arratisur.

Ndër ta ishte edhe Arshi Pipa, i cili, nga SHBA, nuk pushoi së përdoruri penën e tij të helmatisur kundër pushtetit popullor dhe socializmit në Shqipëri. Të gjitha këto që dëgjoi, e shqetësuan shumë Enverin. Herë pas here, ai bënte pyetjen “Si e bëri këtë Mehmeti?! Si nuk pyeti njeri?!. As mua nuk më njoftoi drejtpërdrejt. Bëri sikur nuk e dinte rrethin familjar të vajzës dhe nuk më njoftoi. As kur erdhi vetë në Pogradec dhe na takoi, nuk na tha gjë, por na foli mbi një libër që po bënte mbi imperializmin”.

 

Ever-Hoxha-Mehmet-Sheu-familjetEnveri vazhdonte t’i bënte vetes pyetjen: “Pse e bëri këtë fejesë, kur ai kishte qenë për shumë vjet ministër i Brendshëm dhe duhej ta njihte mirë veprimtarinë armiqësore të Arshi Pipës dhe rrethit të tij?”. Ky shqetësim krijohej vetëm dy muaj para Kongresit të 8-të të Partisë, kur Enveri kishte aq probleme, jo vetëm lidhur me përgatitjen e raporteve, që do të paraqiteshin në Kongres, por edhe lidhur me çështjet dhe me vështirësitë që na kishin dalë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Duke menduar se çështja e fejesës duhej sqaruar dhe mbyllur sa më parë, Enveri dha porosi atë natë që Mehmeti të kthehej nga Korça, ku kishte shkuar për Konferencën e Partisë së rrethit, që të bisedonte me të. Të nesërmen, Mehmeti u kthye nga Korça dhe erdhi në takim, në shtëpinë tonë. U takua dhe bisedoi me Enverin tre katër pasdite me radhë. Qenë takime të gjata dhe unë kam qenë e pranishme në to.

Enveri, në fillim, u përpoq shumë ta ndihmonte Mehmetin që t’i thoshte Partisë që çfarë e çoi në këtë vendim, duke i theksuar se akti që ai kishte kryer nuk mund të shpjegohej me sentimentalizmin e një babai. Ai i kërkoi Mehmetit të shpjegonte sesi arriti ta merrte këtë vendim. Në takimin e parë, Mehmeti pranoi, ndonëse me gjysmë zëri, se kishte bërë gabim të madh dhe iku mjaft i mërzitur dhe i shqetësuar. Më pas, ai premtoi se do ta prishte fejesën porsa të kthehej djali nga Stokholmi.

nexhmija-kopertine

Por ai vazhdonte me versionin e tij, duke insistuar se nuk pa tej babait të vajzës, Qazim Turdiut, që ishte pedagog në Universitetin e Tiranës (pavarësisht se edhe ky kishte qenë pranë Ballit Kombëtar) dhe se vajza e tij njihej për sjellje të mira. Mehmeti pas çdo takimi me Enverin ikte i mërzitur. Një herë kur po e përcillja, duke zbritur shkallët, ai më tha: “Ja, edhe Ladi po më lë”.

E kishte fjalën për djalin e madh, Vladimirin, i cili po meremetonte një apartament, diku afër të ashtuquajturit Bllok, pasi do të largohej nga shtëpia e re dhe e madhe e Mehmetit, vila 30, ngaqë gruaja e Ladit, vajza e gjeneral Shytit, donte që prindërit, të afërmit, shoqet e saj t’i vinin lirisht për vizita dhe jo vetëm me raste festash e ditëlindjesh. Ia thashë këtë Enverit dhe ai, të nesërmen në mëngjes, thirri në zyrën e tij Vladimirin dhe i foli me butësi. Duke i kërkuar të mos largohej nga shtëpia, i tha: “Ti, Ladi, si djali i madh i tij, qëndroji afër dhe ndihmoje, se Mehmeti po kalon çaste të vështira…”.

Gjendja e trazuar e Mehmetit u duk edhe në periudhën e përgatitjeve për Kongresin e 8-të të Partisë, ndërkohë që aparati i KQ dhe e gjithë Partia, si dhe institucionet shtetërore dhe shoqërore ishin në një aktivitet intensiv.

Raporti kryesor llogaridhënës i Komitetit Qendror, që do të mbahej në Kongres, ishte përfunduar nga Enveri dhe i qe ndarë Byrosë Politike, por raporti tjetër, ai mbi direktivat e planit 5-vjeçar, që do të mbante Mehmet Shehu, u dorëzua me vonesë në aparatin e KQ për anëtarët e Sekretariatit të KQ dhe të Byrosë Politike. Madje, u vu re se ky raport kishte shumë mangësi dhe pasaktësi të karakterit politik, që duheshin hequr. Enveri bisedoi me shokët kryesorë që këto plotësime dhe përmirësime të bëheshin nga shokët e Aparatit të KQ, me qëllim që të mos rëndohej edhe më tepër Mehmeti, që, sipas tij, nuk ishte në gjendje të mirë shpirtërore.

Po ashtu, për të mos e trazuar edhe më tej gjendjen e Mehmetit, Enveri kundërshtoi mendimin që u dha nga disa shokë, që në Kongres të mos mbahej raport i dytë, i cili tradicionalisht mbahej nga Kryeministri. Ata që e hodhën këtë mendim, niseshin nga fakti se politika ekonomike e Partisë dhe direktivat e planit të ri 5-vjeçar dilnin mirë në Raportin e Komitetit Qendror. Por Enver Hoxha, duke e parë më gjerë problemin, konkludoi se një masë e tillë nuk do të pritej mirë nga Mehmeti, do të ndikonte për keq tek ai dhe mund të keqinterpretohej si masë ndëshkimore ndaj tij. Prandaj, Enveri vendosi të mos ndryshohej praktika e ndjekur nga kongreset e mëparshme, duke u nisur nga qëllimi i mirë që në kongres të vihej në pah edhe figura e Kryeministrit.

Në sajë të këtij qëndrimi dashamirës të Enverit, Mehmet Shehu e mbajti raportin, madje, u zgjodh përsëri anëtar i Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike. Po ashtu, edhe Fiqireti u rizgjodh anëtare e KQ. Megjithatë, gjatë punimeve të Kongresit u duk qartë që Mehmeti ndenji shumë i vrarë në fytyrë, si për t’u thënë delegatëve dhe atyre që e ndiqnin në televizor se “me të diçka kishte ngjarë”.

Është e njohur që në Kongresin e 8-të të Partisë as nuk u zu në gojë gabimi i Mehmet Shehut lidhur me fejesën e të birit dhe as u bë ndonjë ndryshim në funksionet që ai kishte. Ky ishte një sinjal i qartë se mbledhja e Byrosë Politike, që ishte lënë për t’u zhvilluar pas Kongresit për të diskutuar problemin e tij, nuk bëhej për të marrë masa përjashtimi a dënimi tjetër të rëndë ndaj Mehmetit, por vetëm me qëllimin që ai të korrigjonte gabimin dhe karakterin e tij. Edhe në këtë rast, Enver Hoxha përdori metodën e tij të bashkëbisedimit me shokët. Ai e thirri në takim Mehmet Shehun dhe bisedoi me të, me qëllimin për ta ndihmuar që të kuptonte se gabimi që kishte bërë, nisur nga pozita e tij e lartë, ishte politik dhe i dëmshëm, ndaj duhej ndrequr.

Fejesa në vetvete është një ngjarje e zakonshme në çdo familje, por fejesa e djalit të Mehmetit, në fakt, mori përmasa politike. Ajo u bë shkak i një krize të rëndë në marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Me gjithë përpjekjet e Enverit për ta mbyllur mirë këtë çështje, me gjithë dashamirësinë dhe qëllimin e mirë që tregoi ai dhe shokë të tjerë ndaj Mehmetit, për ta ndihmuar dhe për ta shpëtuar, kjo krizë që ndodhi në marrëdhëniet e Enverit me Mehmetin në vitin 1981 pati një përfundim tragjik, krejt ndryshe nga krizat e mëparshme, si ato të vitit 1953 apo në 1974, që, gjithsesi, ishin mbyllur me një përfundim të mirë për Mehmetin.

Diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike, më 17 dhjetor, në fakt, qenë me kritika të rënda, që këtë herë bëheshin haptas dhe nga të gjithë. Ata që e morën fjalën nuk u ndalën vetëm në gabimin e fejesës, por, si asnjëherë tjetër, pa druajtje, i kujtuan Mehmetit edhe gabimet që ai kishte bërë në të kaluarën, i vunë në dukje të metat në punë dhe në keqtrajtimin e kuadrove, në mosrespektimin e punonjësve etj., duke theksuar se të gjitha këto e kanë burimin në karakterin e tij të vrazhdë, në mendjemadhësinë e stimën e lartë që ai kishte për veten e tij etj.

Mund të thuhet se anëtarët e Byrosë kishin reflektuar në atë që kishte thënë Enveri në një mbledhje të mëparshme se, është në interes të partisë dhe të vetë Mehmetit që Byroja Politike dhe Qeveria të punojnë si forume kolektive partie dhe jo si shtab ushtarak. Sipas mendimit tim, kjo porosi flet për shqetësimin që kishte Enveri se ç’mund të ndodhte kur ai vetë nuk do të ishte më.

Ai e kishte mirë parasysh se kur i drejtonte vetë mbledhjet e Byrosë Politike, partinë dhe, në përgjithësi, punën për zbatimin e vijës dhe të strategjisë së saj, Mehmeti sillej korrekt ndaj shokëve, si në Byro dhe në çdo mbledhje ku ishte prezent Enveri. Po kur ky të mos ishte…?! Është fakt që Enveri dhe të gjithë anëtarët e Byrosë në fund të mbledhjes së 17 dhjetorit propozuan për Mehmetin thjesht një masë disiplinore partie, shënim në kartën e regjistrimit, që pas pak kohe, mund të shlyhej.

Kjo flet për dashamirësinë e treguar gjer në fund nga Enveri ndaj Mehmetit. Këtë e dëshmon edhe ajo që ka shkruar Ramiz Alia në librin e fundit ë tij, ku thotë se Enveri, rrugës duke u kthyer në shtëpi, në mbrëmjen e 17 dhjetorit, pas mbylljes së seancës së parë të Mbledhjes së Byrosë, i kishte thënë Ramizit: “Ja, nesër në mëngjes, do të flas dhe unë. Edhe unë jam për masën që propozuat ju të gjithë dhe ta mbyllim me kaq”. Por, pavarësisht nga të gjitha këto përpjekje të Enverit, Mehmeti e mbylli vetë, me aktin ekstrem të vetëvrasjes.

MEHMET SHEHU U GJEND NË UDHËKRYQ DHE KALOI NË VETËVRASJE

Është fakt se gjatë gjithë historisë së Partisë së Punës dhe të shtetit socialist, asnjë nga anëtarët e udhëheqjes së lartë nuk ka qenë objekt i një presioni të vazhdueshëm të agjenturave të huaja, sa Mehmet Shehu. Duke rënë në kurthin ë një agjenture perëndimore qysh në kampin francez të refugjatëve, ai kreu një mëkat, që do ta kompleksonte gjithë jetën. Sepse, mëkati i këtij lloji të ndjek nga prapa edhe pas shumë kohësh dhe rëndohet edhe më shumë, ngaqë dihet se agjenturat gjithnjë bashkëpunojnë e njëra-tjetrën dhe ekziston rreziku që, në një moment të caktuar, edhe të shesin.

Kësaj i ruhej edhe Mehmeti, sepse, në fakt, në vorbullën ku ishte futur po përdorej nga disa agjentura ruse, jugosllave, apo amerikane. Historia është e tillë që qysh kur bëri mëkatin e parë e në vazhdim, në vitet 1944, 1953, 1960, 1972, 1973 deri në fund, në 1981, shërbimet e huaja të inteligjencës i kanë kërkuar Mehmet Shehut të lidhej në veprim për të krijuar turbullira në Shqipëri nëpërmjet eliminimit të Enver Hoxhës, madje duke i sugjeruar edhe variantet.

Ai është përpjekur në momente të caktuara që të gjejë kohën dhe një mënyrë veprimi që edhe “urdhri” i Qendrës të zbatohej, por edhe me synimin që ai vetë të arrinte ambicien e UNI-t të tij. Sidomos në fillim të viteve ’70, Mehmeti u vu disa herë nën presion nga agjenturat e huaja që të vepronte për eliminimin fizik të Enverit, duke e helmuar atë. Por Mehmetit iu desh ta shtyje e ta shtyjë kryerjen e veprimit derisa të gjente momentin dhe një mënyrë që të mos rrezikonte veten. Vitet kalonin dhe kur Enver Hoxha u sëmur rëndë, Mehmeti mendoi se rasti e solli që eliminimin e tij do ta bënte vetë natyra, dhe, kështu realizohet edhe ëndrra që kishte.

Por Enveri e kaloi sëmundjen dhe vazhdoi të jetonte e të drejtonte vendin. Ndërsa Mehmeti nuk po ndihej, frika se mos zbulohej e bënte nervoz. UDB-ja jugosllave, e shqetësuar nga mosveprimi i agjentit të tyre dhe e alarmuar nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, nxitoi dhe i kërkoi të vepronte sa më parë për likuidimin e Enver Hoxhës. Situata në Kosovë qe tepër e ndezur dhe klika titiste akuzonte Shqipërinë për nxitjen e demonstrative të popullit e rinisë kosovare, prandaj i kërkonte Mehmetit të shkaktonte trazira që të çonin në përmbysjen e regjimit dhe ta eliminonte Enver Hoxhën. Mehmetit kjo i erdhi e papritur dhe u gjend i papërgatitur.

Por edhe u frikësua shumë, se ky akt ishte me tepër risk për vetë atë. Në ato momente të vështira për të, ai nuk guxoi ta vriste Enver Hoxhën, ngaqë, siç pati thënë edhe vetë, “Nuk është e lehtë të eliminosh Enverin, se ai është si Gandi i Shqipërisë”. Nga ana tjetër, atij nuk ia mbajti edhe sepse i druhej zbulimit të anës së errët të personit të tij dhe për më tepër, pasojave që do të binin mbi të dhe mbi familjen e tij. Prandaj, për të shkaktuar të paktën trazira në vend, ai zgjodhi një rrugë tjetër, si pa qeder, fejesën e djalit me vajzën nga një familje, në rrethin e së cilës kishte kriminelë lufte dhe të dënuar politikë, me synimin që të realizonte kërkesën e tutorëve të tij për ta futur vendin në situatë politike anarkie dhe pasigurie. Por shërbimet sekrete të shteteve të interesuara për rrëzimin e Enver Hoxhës nuk mund t’i pranonin më këto “bishtnime” të Mehmet Shehut.

Ndaj, UDB-ja jugosllave ngarkoi ndërlidhësin e saj, Feçor Shehu, që t’i jepte Mehmetit “ultimatumin”, duke i kërkuar në mënyrë të prerë që të kryente një atentat të bujshëm ndaj Enverit, pikërisht në mbledhjen e Byrosë Politike, qoftë duke e vrarë edhe vetë. Për këtë gjë në një gazetë jugosllave u shkrua sikur kishte ngjarë në të vërtetë. Kështu, në gjendjen e brendshme të tronditur thellë, ku kishte rënë Jugosllavia, klika serbomadhe dhe UDB-ja u detyruan “të djegin” agjentin e tyre, Shehu, vetë e vetë që ky të bënte në Shqipëri diçka spektakolare që të trondiste dhe të përmbyste regjimin dhe të likuidohej Enver Hoxha. Por, Mehmet Shehu përsëri nuk e bëri atë që iu kërkua.

Nuk e bëri, jo për të ruajtur Enver Hoxhën, por nga frika, sepse ai, tashmë, e kishte të qartë që padronët e shitën dhe se në këtë ndeshje ishte i sigurt edhe eliminimi i vet, ose duke mbetur i vrarë, ose duke u arrestuar dhe do të përfundonte me dënim kapital. Ai mendoi se kështu jo vetëm nuk do të realizonte ambicien e tij të vjetër për pushtet, por edhe do të humbiste meritat e fituara në luftë e në punë si Kryeministër dhe, njëkohësisht, do të shkatërronte edhe familjen e tij.

Në këto çaste të rënda krize, dileme dhe hezitimi, bashkëpunëtori i ngushtë i tij, Kadri Hazbiu, i dha shtysën fatale, duke i thënë: “Ti je i zbuluar! I vdekur se i vdekur je, s’ke rrugë tjetër! Me vetëvrasjen, i trajtuar si Nako Spiru, ti shpëton të kaluarën tënde dhe të ardhmen e familjes”… Mehmeti e pa veten mes dy zjarresh, në udhëkryq, dhe u ndie krejt i pafuqishëm kur pa se bashkëpunëtori i ngushtë po i sugjeronte vetëvrasjen. Ra në dëshpërim të thellë dhe humbi çdo shpresë.

Prandaj vendosi të vrasë veten, të vetëflijohet fizikisht, duke menduar se kështu nuk do të humbiste emrin e mirë në histori, si dhe të shpëtonte familjen. Mehmet Shehu iku me mendimin se me vetëvrasjen i vuri gurin e varrit aktit të turpshëm që kishte bërë ndaj atdheut e populli të vet dhe me letrën që i shkroi Enverit, mendonte se e bindi këtë që mbeti shok e vëlla i tij, mbi të gjithë më besniku! Pikërisht ky akt ekstrem i dënueshëm dhe ajo letër e çuditshme, provokative dhe plot kontradikta, që Mehmeti i la Enverit, dalja në dritë e anëve të errëta agjenturore të tij, tradhtia që ai bëri edhe ndaj miqësisë dhe dashamirësisë shumëvjeçare të shokut të tij të luftës e bënë Enverin të shpërthente me aq zemërim dhe ta quante armik dhe poliagjent.

Ndërsa Enveri e kishte falur, e kishte ndihmuar, e kishte shpëtuar dhe e kishte mbajtur në krah të vet gjithë jetën Mehmetin, ky ia “shpërbleu” këto me mosmirënjohje dhe më zhgënjim të thellë./panorama


360grade.al


Kohët e palavdishme që po jetojmë …

Të tjera

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!