8 dhjetori 2019 ose “Aparteidi” kriminal ndaj rinisë shqiptare! - 360 Grade

8 dhjetori 2019 ose “Aparteidi” kriminal ndaj rinisë shqiptare!

Nga Akil Kraja

– 0 – 0 – 0 –

Ndër më të rëndat kriza që po kalon sot vendi ynë, është ajo që prek rininë. Një krizë që do ta përkufizoja si një aparteid social e kriminal, një shtypje financiare, morale e politike, që po merr jetë të rinjsh të pafajshëm.

Rrëfimi prekës i para disa javëve, i boksierit kampion, 30 vjeçarit nga Vlora, Klevis Çelaj, për vështirësitë e hasura në të përditshmen e tij si sportist dhe si individ, është dëshmia e disatë në muajt e fundit të një realiteti tragjik me të cilin përballen të rinjtë shqiptarë. Një realitet që merr trajtat e një aparteidi dhe që i ka rrënjët në kriminalizimin e thellë të shoqërisë shqiptare.

Në çdo nivel e në çdo hallkë të shoqërisë, rinia shqiptare është e dyzuar mes dy botësh që janë qartazi në konflikt me njëra tjetrën. Në një krah shoqëria e krimit, dhe në tjetrin, shoqëria e punës. Në një krah dhuna, arroganca, fuqia e supremacia e të paprekshmëve, dhe në krahun tjetër vuajtja, shtypja, pamundësia që çon deri tek vrasja në seri e të rinjve shqiptarë.

Indriti ishte 25 vjeç. U vra në Myslym Shyri teksa kërkonte të fitonte ndershmërisht bukën e gojës si montues kondicionerësh. Nga hetimet, autorët rezultojnë të jenë vrasës e kriminelë të rinj në moshë që jetonin në gjendje të lirë e të kamur në mes të Tiranës. Një zinxhir i tërë i përbërë nga policë, gjyqtarë, tatimorë, shtetarë kanë dalë garantë që pavarësisht krimeve të tyre të mëparshme, ata të jetonin të lirë duke evituar dënimet respektive, ende sot e kësaj dite.

Ergysi 31 vjeçar dhe Orjani 36 vjeç u vranë po kështu teksa punonin në një rikonstruksion tek pallati i Zv.Kryeministrit. Ata kërkonin të fitonin ndershmërisht bukën e gojës duke punuar në ndërtim. Firma përgjegjëse për vrasjen e tyre ishte e njohur për shkeljet e shumta e të njëpasnjëshme. Por kjo nuk kishte ndikuar që firma të fitonte një tender nga Bashkia Tiranë dhe punimet të bëheshin serish në shkelje të ligjit. Kjo sepse një zinxhir i tërë i shtetit ka dalë garant që firma të vazhdonte të fitonte në paligjshmërinë e saj.

Ardit Gjoklaj 17 vjeç, u vra teksa ishte punësuar në një territor administruar nga Bashkia Tiranë. Arditi kërkonte të fitonte pak para për të blerë librat e shkollës. Kompania përgjegjëse rezultoi me shkelje ligjore të shumta, por sërisht, një zinxhir i tërë, duke filluar nga Kryetari i Bashkisë, ka dalur garant që gjithçka të dukej brenda “normalitetit” të paligjshmërisë.

Me herët, Elanda, 23 vjeçe, u vra në një tjetër aksident, këtë rradhë në Gjermani, teksa po tentonte si dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë të ndiqnin një tjetër rrugëtim. Ajo kërkonte të mos kishte fatin e Indritit, Ergysit, Orjanit e Arditit. Ajo kërkonte që të punësohej më një pagë që të mjaftonte për të mbyllur muajin normalisht, një mjedis shoqëror ku i plotfuqishmi të mos ishte “i forti i lagjes”, por një qytetar i drejtë Europian.

Po kështu dhe Adela, një studente 23 vjeçare nga Rrësheni, e cila u vetëvra para disa javësh për shkak të barrës së rëndë të papunësisë e të varfërisë së familjes së saj. Pavarësisht një diplome si inxhiniere, pavarësisht investimit të moralshëm të familjes së saj, ajo u përball si dhjetëra vajza të reja shqiptare me kërkesa abuzive nga të plotfuqishmit e zonës, nga të korruptuarit, nga pushtetarët e pronarët matrapazë.

Që një i ri shqiptar të gjejë sot një vend pune, në pamundësi për ta blerë atë, duhet nxjerrë ose teserën e partisë, ose numrin e telefonit të mikut me pushtet, për të mos thënë më shumë…

A janë këto shembuj të mjaftueshëm për të folur për një aparteid? Mosha mesatare në vendin tonë ka arritur aktualisht 36.7 vjeç për shkak të eksodit masiv të të rinjve. Studim pas studimi, mbi 80% e të rinjve shprehin ambicien për t’u larguar nga vendi. Qartazi arsyeja është diskriminimi, si burim i varfërisë dhe humbjes së shpresës. Të rinjtë ndihen të diskriminuar nga mungesa e meritokracisë, nga mungesa e konkurrencës së lirë, e ligjshmërisë, e moralit ekonomik dhe demokratik. Dhe kjo prek çdo hallkë të shoqërisë, çdo të ri, në çdo nivel.

Dijon, New York, Strasbourg, Paris, Prishtinë, Milano, Bruksel…

Kam jetuar personalisht në secilin prej këtyre qyteteve por nuk ndërrova emrin, nuk u dënova, e nuk u morra me punë të pista. Të mos ishte programi “BrainGain” (dhe pse nuk mora asnjë përfitim material nga ky program përpos vlerësimit moral) mbase nuk do te kisha mundur të integroja administratën publike e për pasojë mund të mos isha kthyer kurrë në Shqipëri…

Por në fund, pas 7 vitesh nga kthimi, faktet flasin vetë.

Ata që kanë ndërruar emrat, që janë dënuar për krimet e tyre në “rini”, sot ata drejtojnë 61 bashkitë e vendit, janë në parlament e në qeveri, në media e në show-biz. Ata janë anti-heronjtë e Shqipërisë moderne, e një Shqipërie të marrë peng nga debatet se kush ishin heronjtë e 45ës, apo të 90ës, ndërkohë që për ata të sotmit, askush nuk flet.

Pavarësisht se dje ishin Roshat apo Frrokët, anti-heronjtë e sotëm, shembulli i suksesit për të rinjtë shqiptarë mbeten Valdrinat e Jorgot, sepse ata vazhdojnë të mbeten në pushtet. Këta anti-heronj ndihen të fortë, të mbrojtur e të paprekshëm. Ata promovohen nga një shoqëri thellësisht e kriminalizuar që artin e realizmit socialist e ka zëvendësuar me artin e realizmit kriminal.

A i keni dëgjuar ndonjëherë këngët që përcillen sot nga radiot shqiptare? A keni pyetur ndonjëherë sesi dhe kush e financon artin shqiptar sot? Dhe nuk e kam fjalën vetëm për artin e rrugëve, por dhe për skenat dhe këngëtaret më prestigjioze që shiten si shembuj suksesi e talenti.

Të kthyerit braingain, të rinjtë që besonin tek puna, tek konkurrenca e lirë dhe e ndershme, tek edukimi profesional e jo tek mësimet e rrugës, tek forca e kontratës ligjore e jo tek kontrata e plumbit, tek fitimi nga sipërmarrja dhe jo tek paraja e shpejtë e drogës… ata, ne, së bashku jemi opozitë, dhe opozita në fund të ditës nënkupton një pakicë.

Ndaj sot unë shkruaj për Indritin, Ergysin, Arditin, Elandën e Adelën, për këta të rinj për të cilët, sot më 8 dhjetor askush nuk flet, pasi ata nuk jetojnë më.

E ritheksoj se nëse me “aparteid” nënkuptojmë një lloj shtresëzimi të dhunshëm shoqëror kundra një grupimi për shkak të një trajtje përbashkuese, etnike, fetare, gjeografike, politike apo ngjyre të lëkurës, atëherë realisht mund të themi se në Shqipëri aparteidi ndaj të rinjve po bëhet mbi bazën e vlerave.

Indriti, Ergysi, Arditi, Elanda e Adela kërkonin meritokraci, konkurrencë të lirë e shance të barabarta. Ata kërkonin një ekonomi mundësishë, një shtet ligjor, një shoqëri që t’u jepte hapësirë rritjeje, zhvillimi e lartësimi. Por në vend të këtyre, Shqipëria i dha vdekjen. Ky është aparteidi kriminal ndaj rinisë shqiptare !


360grade.al


Zheji/Videoeditoriali: Kamerat Pas-bythore, duhet të ndjekin vetëm KM-në …

Të tjera