Mos gënjeni në CV! Mund ta pësoni - 360 Grade

Mos gënjeni në CV! Mund ta pësoni

Një grua që gënjeu në CV dhe falsifikoi referenca të shkëlqyera për të fituar një vend pune me pagë të lartë në administratën australiane është dënuar me të paktën një vit heqje lirie.

Veronica Hilda Theriault, 46 vjeçe, u shpall fajtore në akuzat e mashtrimit, pandershmërisë dhe abuzimit të zyrës publike. CV e saj e pavërtetë i fitoi vendin e punës si drejtoreshë e informacionit, që paguhej 270 mijë dollarë australianë në vit (rreth 20 milionë lekë në vit).

Theriault e mbajti postin për një muaj dhe fitoi rreth 33 mijë dollarë australianë (2.5 milionë lekë) para se të pushohej nga puna.

Ajo u shpall fajtore dhe u dënua me 25 muaj burg, pa të drejtë lirimi me kusht për të paktën një vit.

Në gjykatë u tha se e pandehura dorëzoi një CV të pasaktë në departamentin qeveritar ku kishte gënjyer për arsimin dhe përvojat e mëparshme profesionale. Pasi iu dha shansi për një intervistë, ajo u shtir si një ish-kolege dhe dha referenca të shkëlqyera për veten.

Por gënjeshtrat nuk morën fund me kaq. Në provat e dorëzuara më herët, u zbulua se Theriault përdorte një foto të supermodeles Kate Upton si foto profili në LinkedIn.

Pasi filloi punë në administratë, ajo punësoi vëllain e saj, edhe pse s’ishte i kualifikuar për pozicionin.

Mashtrimi u ra në sy kolegëve pasi Theriault filloi të kishte probleme me shëndetin mendor.

Gjatë dhënies së dënimit, Gjykatësi Michael Boylan tha se e mori në konsideratë shëndetin mendor të të pandehurës, por shtoi se akuzat ishin “serioze” dhe se krimet e saj ishin mirëplanifikuar.

Avokati i 46-vjeçares tha se ajo “ndihet e turpëruar nga veprimet e saj.” Ai shtoi se krimet ndodhën në rrethana që zor të përsëriten më.

Edhe në vitin 2012 dhe 2014, gruaja kishte gënjyer në CV për t’u punësuar në dy kompani private.


360grade.al


Zheji/Videoeditoriali: Kamerat Pas-bythore, duhet të ndjekin vetëm KM-në …

Të tjera