Bisedat e përgjuara telefonike/ Analistët: Putini më i dobët se udhëheqësit sovjetikë - 360 Grade

Bisedat e përgjuara telefonike/ Analistët: Putini më i dobët se udhëheqësit sovjetikë

Biseda e përgjuara telefonike që u publikuan javën e shkuar nga një grup hetuesish të udhëhequr nga Holanda dhe që tregojnë udhëheqësit seperatisë në Ukrainë që kërkojnë udhëzime dhe mbështetje praktike nga Moska në javët para goditjes dhe rrëzimit të avionit malajzian me pasagjerë, janë një tjetër provë e lidhjeve mes zyrtarëve të lartë rusë në rajonin Donbas të Ukrainës dhe grupeve paraushtarake rebele pro-Moskës, thonë zyrtarët holandez.

Por, sipas disa ish-këshilltarëve të Presidentit Vladimir Putin dhe analistëve, bisedat telefonike të përgjuara po ashtu demostrojnë se si Kremlini u përpoq për të imponuar një komandë të bashkuar në Donbasin e kontrolluar nga seperatisitët, ndërkohë që grupet rebele, oportunistët politikë dhe agjencitë ruse të sigurimit konkurronin me njëra-tjetrën për të marrë kontrollin e situatës, duke shtuar konfuzion në strategji dhe taktika.

Ata thonë se kjo përputhet me zhvillimin e ngjarjeve. Kremlini nuk i përngjet një makinerie që funksionon mirë dhe Presidenti Vladimir Putin nuk është i informuar për gjithshka dhe në kontroll të plotë, siç mendon Perëndimi. Pavarësisht përpjekjeve për të përcjellë një imazh force dhe vëndosmërie, autoriteti i tij në disa raste është i kufizuar dhe procesi i vendimmarrjes brenda Kremlinit është shumë më kaotik nga sa e mendojnë shumë njerëz. Zyrtarët e lartë shpesh marrin vendime në kokën e vet, me shpresën se do t’i bëhet qefi udhëheqësit rus. Kur gjërat shkojnë keq, ai mund të mohojë se ka miratuar veprimet, thotë Glev Pavlovsky, një ish-ndihmës.

Përshtypja në Perëndim se gjithçka urdhërohet dhe drejtohet nga Vladimir Putini është e gabuar, thotë ai. Një i ashtuquajtur “teknolog politik” për Presidentin Putin para se të ndahej me udhëheqësin rus në vitin 2012 lidhur me vendimin për të kërkuar një mandat të tretë për president, zoti Pavlovsky ofron një pamje të një Kremlini të pasigurtë që shpesh improvizon dhe bën blof.

“Idea e ‘pushtetit vertikal’ që krijova 20 vite më parë, është propagandë dhe nuk ishte e vërtetë atëherë dhe as nuk është e vërtetë tani,” tha ai për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se manovrimet e brendshme politike të Kremlinit janë shumë të komplikuara, me fraksione që ndryshojnë ndërsa konkurrojnë për favore dhe me autoritet të kufizuar në përcjelljen e interesave të tyre lart e poshtë. Putini mund të marrë vendime, por ai nuk mund të sigurohet gjithmonë se ato po zbatohen. Procesi i vendimarrjes është ‘shumë jozyrtar’ shton zoti Pavlovsky.

Thesari i bisedave telefonike të përgjuara mes udhëheqësve seperatistë pro-Moskës dhe zyrtarëve të Kremlinit në javët para goditjes dhe rrëzimit të avionit malajzian me pasagjerë MH17, që la të vdekur të 298 personat në bord, po cilësohet nga disa analistë si dëshmi se sa kontroll ka ushtruar Moska mbi rebelët e armatosur në Donbas.

Mes zyrtarëve të lartë të përgjuar janë edhe Vladislav Surkov, një ndihmës i lartë i Putinit, të cilin udhëheqësit seperatistë e quajnë ‘njeriu ynë në Kremlin’. Mes zyrtarëve të tjerë të lartë të sigurisë që përmenden në regjistrime janë edhe ministri i mbrojtjes Sergey Shoigu dhe drejtori i agjencisë ruse të zbulimit (FSB) Alexander Bortnikov. Në bisedat mes udhëheqësve seperatistë diskutohet për dërgesën e ndihmës ushtarake, përfshirë municione dhe pajisje që mundësojnë shikim natën. Në bisedat me zyrtarët rusë ata mësojnë për planet e Moskës për të dërguar përforcime të ‘gatshme për luftë’.

Regjistrimet do të ofrojnë prova se Moska transferoi në Donbas raketa anti-ajrore të tipit BUK, një prej të cilave goditi dhe rrëzoi avionin malajzian të pasagjerëve. Regjistrimet ilustrojnë “hierarkinë ushtarake dhe administrative” e cila mundësoi rrëzimin e avionit MH17 në pjesën lindore të Ukrainës”, thotë grupi hetues i udhëhequr nga Hollanda.

Ndërsa demostrojnë lidhjet e forta mes Moskës dhe rebelëve në Donbas, regjistrimet gjithashtu çojnë në përfundimin se kontrolli rus mbi situatën në Donbas minohej nga nga linjat paralele të komandës dhe fraksionet rivale komanduese, thotë Mark Galeotti, analist britanik me “Royal United Services Institute”.

“Regjistrimet nxjerrin në pah për një situatë të çorientuar dhe kontradiktore ku fraksione dhe udhëheqës të ndryshëm po konkurojnë me njëri-tjetrin për të siguruar favore nga Moska si dhe për të çuar përpara interesat e tyre vetjake në të njëjtën kohë”, shprehet analisti përmes një komenti në variantin anglisht të gazetës “Moscow Times” .

Zoti Galeotti nënvizon problemet disiplinore dhe të komandës duke sjellë si shembull një bisedë telefonike mes seperatistëve të cilët reagojnë pasi u jepen urdhëra nga dy agjenci të ndryshme ruse të zbulimit që konkurojnë me njëra tjetërn, FSB dhe GRU.

Pjesa më e madhe e vendimmarrjes si në Donbas ashtu edhe në Rusi mbizotërohet nga linja të ngatërruara komande, thotë zoti Pavlovsky. Ai thotë se një shembull tipik për këtë kanë qënë taktikat në ndryshim se si të trajtoheshin protestat kundër Kremlinit që filluan në korrik lidhur me zgjedhjet e manipuluara për këshillin bashkiak të qytetit të Moskës. Reagimi fillestar ishte i qetë por pastaj “njerëz të sigurimit u përfshinë”, thotë ai. “Putini nuk e dha këtë urdhër”, shton ai. “Moskovitët u rrahën nga Garda Kombëtare dhe pati arrestime. Nga jashtë mund të duket si planifikim nga Shtabi i Përgjithshëm. Por nuk ishte e tillë!”

“Shteti ynë është i dobët. Duhet ta kuptojmë qartë. Është i fuqishëm kur konfrontohet me një pakicë të vogël ose kur ka operacione speciale diku, por si shtet, si një sistem i pushtetit ekzekutiv, është shumë i dobët, shumë më i dobët se qeveria sovjetike”, thotë zoti Pavlovsky.

/VOA/


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera