A e vrau KGB-ja shkrimtarin nobelist francez Albert Kamy? Në xhep ju gjet një biletë e papërdorur ... - 360 Grade

A e vrau KGB-ja shkrimtarin nobelist francez Albert Kamy? Në xhep ju gjet një biletë e papërdorur …

Kur shkrimtari dhe filozofi francez, Albert Kamy, vdiq në një aksident automobilistik më 7 nëntor 1960 në moshën 46 vjeçare, u duk asgjë më tepër sesa një aksident i çuditshëm tragjik. Edhe pse fansat e Nobelistit, do të kishin vlerësuar si ironik faktin që Kamysë iu gjet në xhepin e xhaketës një biletë treni e papërdorur nga Provansa në Paris, nuk kishte ndonjë arsye të besohej se vendimi i tij fatal në minutën e fundit, për të udhëtuar me makinën e një miku, ishte ndonjë gjë më tepër sesa një shaka e fatit.

Dhe kjo deri në vitin 2011. Një akademik italian, ngriti në të përditshmen italiane “Corriere della Sera” pikëpyetje mbi vdekjen e shkrimtarit të famshëm. Xhovani Kateli, pretendoi se aksidenti ishte inskenuar nga agjentët sekretë sovjetikë të KGB- së. Ai e mbështeste këtë teori, te një pasazh në ditarin e poetit të njohur çek, Jan Zabrana.

Ndër të tjera ai shkruan:”Kam dëgjuar diçka shumë të çuditshme nga goja e një njeriu që dinte shumë gjëra, dhe që kishte shumë burime të informuara. Sipas tij, aksidenti që i mori jetën Albert Kamysë në vitin 1960, u organizua nga agjentët sovjetikë. Ata dëmtuan njërën nga gomat e makinës, përmes një pajisjeje të sofistikuar.

Urdhri për vrasjen e shkrimtarit, u dha personalisht nga ministri i Jashtëm sovjetik, Dimitri Trofimoviç Shepilov, si një kundërpërgjigje ndaj një artikulli të botuar në revistën franceze ”Franc-tireur “ në marsin e vitit 1957, në të cilin Kamy sulmonte hapur Shepilov, për shtypjen brutale të revoltës popullore në Hungari një vit më parë.

Një vit më vonë, Kamy i zemëroi akoma më shumë autoritetet sovjetike, kur mbështeti publikisht shkrimtarin rus Boris Pasternak, fitues i Çmimit Nobel, dhe autor i librit “Doktor Zhivago”, një vepër e ndaluar nga diktatori sovjetik Josif Stalini. Artikulli i Katelit, shkaktoi reagime në mbarë botën, të ndara në pro dhe kundra kësaj hipoteze.

“Unë mendoj se nuk është e vërtetë. KGB kishte mënyra të tjera për të eleminuar Albert  Kamynë”- deklaroi për AFP filozofi dhe biografi i shkirmtarit, Mishel Onfre. Ditaret personalë të të Jan Zabrana “Cely zivot” (Një jetë e tërë), përfshirë edhe pasazhin në fjalë, u botuan për herë të parë në Republikën Çeke në vitin 1992.

Një ekspert vendas, i njohur me historinë, është regjisori Ales Kisil, që në vitin 2007 realizoi një dokumentar mbi jetën e Zabrana. Kisil tha se nuk kishte asnjë koment, në lidhje me vërtetësinë e pretendimit të poetit, por theksoi se shkrimtari çek “u kujdes shumë që të ishte i saktë”.

“Kur realizova dokumentarin mbi jetën dhe veprën e tij, kuptova që ai ishte njeri shumë i përpiktë, në të 1.100 faqet e ditarit të tij. Mund të ketë pasur ndonjë pasaktësi të vogël, por jo gabime të mëdha”- thekson ai.

Kisil mendon se Zabrana ka dashur ta ruajë me çdo kusht të fshehtë burimin e historisë mbi vdekjen e Kamy, dhe kishte ndërkohë frikë se ditari i tij mund të binte në duar të gabuara.

Ka gjasa që ai e shkroi ditarin me vetëdijen e plotë se një ditë mund të përdoret si testament i kohës së tij. Por ai ishte i vetëdijshëm se mund të keqpërdorej, nëse zbulohej nga regjimi komunist.

Kjo është arsyeja pse në një numër rastesh ai përdor vetëm iniciale, ose lë të kuptohet se për kë mund ta ketë fjalën. Në rastin konkret, ai po fliste për një burim që kishte pasur kontakte me njerëzit më të pushtetshëm në Bashkimin Sovjetik, edhe pse nuk na ka lënë detaje të sakta, se kush ishte ky burim”- shprehet Kisil.

Megjithëse fragmenti për Kamynë ishte shkruar në ditarët e Jan Zabrana në vitet 1971-1984, Kisil beson se ai me siguri kishte dëgjuar mbi këtë ngjarje, gjatë vizitës që zhvilloi në Rusi në vitet 1960. Kisil mendon se ka shumë gjasa që shkrimtari çek, të ketë pasur disa kontakte me rëndësi në Bashkimin Sovjetik, edhe pse nuk besohej shumë nga autoritetet komuniste, për shkak të prejardhjes së tij jo-komuniste.

Prindërit e tij ishin dënuar me burgime të gjata, pasi u ngjitën komunistët në pushtet në Çekosllovaki. Ndonëse u zhgënjye nga regjimi, Zabrana u bë një “përkthyes i dyshimtë i rusishtes dhe anglishtes”. Për shkak se ishte kryesisht i interesuar për shkrimtarët sovjetikë të përndjekur, si Isak Babel, Osip Mandelshtam, Ivan Bunin dhe Aleksandër Solzhenicin, ai e kishte shumë problem kur i duhej të merrte informacione mbi ta, që “shpesh nuk ishin të disponueshme, si ekzekutimet e Babelit dhe Mandelshtamit”.

Për këtë arsye, Kisil pohon se Zabrana bëri të pamundurën për të gjetur ‘burime të besueshme dhe objektive” të informacionit në Bashkimin Sovjetik. “Ka mundësi që ai të jetë takuar me dikë nga ky rreth njerëzish, që i tregoi më pas edhe për vrasjen e Kamysë, dhe të cilën ata e kishin dëgjuar nga dikush që ka qenë pranë zyrtarëve të lartë të Partisë Komuniste” -tha ai.

Megjithatë, Kisil beson se është e pamundur të verifikohet e vërteta e pretendimeve të Zabranas, pa pasur qasje në arkivat e KGB-së. Duke marrë parasysh delikatesën e çështjes, Kremlini vazhdon t’i mbajë ende sekret dosjet e shërbimit sekret komunist. Ndoshta mund të kalojnë edhe disa dekada, para se të mësohet ndonjë gjë më shumë rreth kësaj historie./ RFE-Përshtatur nga CNA.al

 


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera