» Basha merret i pandehur nga prokuroria, gjithçka duhet të dini për lobimin rus

Basha merret i pandehur nga prokuroria, gjithçka duhet të dini për lobimin rus

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës për cështjen e kontratës së lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria njofton se ka përfunduar hetimet për kontratën 675 mijë dollarë me kompaninë Biniata Trade. Basha akuzohet për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, ndërkohë që akuza për “pastrim parash” ka rënë. Të njëjtat akuza si për Bashën, Prokuroria e Tiranës i ka ngritur edhe ndaj Arben Ristanit e Ilir Dervishit.

Shkresa zyrtare raportohet se është dërguar në selinë blu. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin zhvillimet më tej me këtë cështje. Thelbësore në këtë proces është dëshmia e lobistit, Nikola Muzin, të cilën nuk dihet ende nëse prokuroria shqiptare do të arrijë ta sigurojë.

Lidhur me kontratën e lobimit në SHBA dhe dyshimet për përfshirje të kompanive pas të cilave qëndronin rusët, Lulzim Basha u thirr në Prokurori për t’u marrë në pyetje në muajin qershor të këtij viti, dy javë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Thirrja e tij në kulmin e krizës politike ngjante të mos ishte krejt e rastësishme. Sidoqoftë sot jemi para një zhvillimi tjetër, zyrtarisht Basha është nën akuzë dhe nëse shpallet fajtor rrezikon dënim me burg.

Por le të kthehemi pas në kohë dhe të shohim se si u zbulua kontrata e lobimit të PD-së në SHBA.

Investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” 

Marrja si i pandehur e Lulzim Basha lidhur me pagesat që PD ka bërë për lobistët amerikanë nuk është një histori e re. Ajo u zbulua fillimisht nga revista e majtë amerikane “Mother Jones” e cila shpërtheu e para skandalin që u ndoq njëkohësisht dhe nga Nev York Times apo Zëri i Amerikës në Shqip. Sipas saj lobisti i PD Nik Muzin, bosi i firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners, ishte paguar 675 mijë euro nga Partia Demokratike. Në bazë të deklarimeve të vetë firmës lobuese pranë autoriteteve të ShBA, ajo i ka marrë pagesat në tre këste gjatë vitit 2017. Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Artikulli i “Mother Jones” ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. “Biniatta Trade LP” ishte një nga pagueset e shumës 675 mijë euroshe që i ishin derdhur për llogari të PD-së, firmmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’.

Sipas deklarimeve të vetë firmës lobuese ajo i ka marrë pagesat në tre këste gjatë vitit 2017. Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Lexo me tej

Pse duhet kjo përrallë me spiunë të Kremlinit?

Pra sikurse shikohet nga këto të dhëna, më problematikja për aferën ruse del pagesa e parë e kryer nga ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas investigimit të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Pikërisht emrat e këtyre dy shtetasve rusë e ka bërë që PS të deklarojë se kundërshtarët e saj poolitikë “po bashkëpunojnë me forca që nuk janë dashamirëse ndaj ëndrës së Shqipërisë Europiane”. Ndërsa vetë PD ka këmbëngulur se “nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”. 

Lexo më tej:

Investigimi i “Mother Jones”/ Sa kanë paguar rusët për Bashën në ShBA?

Lobisti i Bashës, Nick Muzin ish-këshilltari i senatorit Ted Cruz

Nicolas Muzin, njeriu që u pagua për të lobuar dhe mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, është një ish-këshilltar strategjik i senatorit Ted Cruz gjatë fushatës së tij për president dhe një person mjaft aktiv në qarqet hebreje republikane në Shtetet e Bashkuara. Ishte pikërisht kjo arsyeja, përse vitin e kaluar, vendimi i tij për të punuar për Katarin, një shtet jo fort i pëlqyer prej hebrenjve, u prit me habi.

Reagimi i Bashës pasi u thirr në Prokurori

Sas fletë-thirrjes për tu paraqitur në prokurori si i pandehur për çështjen e lobimit, Lulzim Basha iu drejtua me një mesazh të qartë Edi Ramës se nuk trembet nga akuzat politike të sajuara nga prokuroria, e kapur prej tij.

Deklarata

Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike.

Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!

Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun.

Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës.

Shqiptarët tani po shohin fytyrën e vërtetë të prokurorisë politike të Edi Ramës: institucioni që ndihmon dhe mbron Edi Ramën, Olsi Ramën, Linda Ramën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Arben Ahmetajn, Qazim Sejdinin, Jurgis Çyrben, Ilir Ndraxhin, Elvis Roshin, Pjerin Ndreun dhe kriminelët e tjerë, që mbron qeveritarët e korruptuar deri në palcë, punon vetëm për të luftuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër tij.

Sot, shqiptarët e kuptojnë se sa të pambrojtur janë para krimit që është në pushtet: ka një prokurori të mbushur me prokurorë politikë dhe të korruptuar, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që Kuvendi gjytyrym është i mbushur me politikanë të kriminalizuar ose përfaqësues direkt të krimit.

Ky është sistemi i kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni që ne duhet të shembim! Asnjë hap pas nga beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për Shqipërinë si Europa! 

Cfarë rrezikon Basha nëse provohen akuzat

Nëse provohen akuzat për falsifikim dhe fshehje të financimeve, kreu i opozitës rrezikon të dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg./Lapsi.al

 


360grade.al


Pse vuan Rama? Ai ka gjithçka! …

Të tjera