» Xhepa: Njëzet vjet (Tregime Uberi)

Xhepa: Njëzet vjet (Tregime Uberi)

Nga Mustafa Xhepa

Nisemi me natë. Rruga është ngushtuar–automobilë të markave të ndryshme, shumë prej të cilëve të shtrenjtë, janë parkuar përgjatë saj. Udhëtojmë në heshtje. Nga shtëpitë e rindërtuara me arkitekturë bashkëkohore, reflektim i vendeve ku kanë emigruar banorët e lagjes sime, lajmërojnë agimin këndezë të patrazuar. Godina e këshillit të lagjes, dikur ferri tyre, është transformuar në një pallat shumë katësh nga pronarët e vërtetë. Lemë pas metalurgjinë. Rruga e re me dy kalime–autostradë perëndimore, e ka kthyer Elbasanin në lagje të kryeqytetit. Tuneli i Krrabës më krijon ndjesinë e atij në Baltimorë.
– Është vepër arti.- I them Kujtim Bevapit, kur po shkonim në Tiranë pak ditë më parë të interesoheshim për pronat që na kishin grabitur me aprovimin e qeverisë.
– Kaluan dekada që të ndërtohej.- M’u përgjigj thatë. Përshkuam tunelin pa folur.

– Kam biseduar me kryeministrin. Dikush e pengon. Tuneli po të hapet e shkurton distancën shumë.- Më thoshte miku im, inxhinieri i talentuar Engjëll Dakli. Sapo kishin përfunduar zgjedhjet e vitit 92. Me Engjëllin njohja ishte e vjetër. Familje elbasanase. Por, miqësia jonë nisi, kur unë vazhdoja shkollën e mesme të gjuhëve të huaja. Engjëlli mësonte anglisht atëherë dhe shpesh kërkonte ndihmën time, ndërsa unë kontrolloja zgjidhjen e problemave të gjeometrisë. Engjëlli ishte student shumë i mirë i inxhinierisë.
– Nuk po e çajmë dot Krrabën; investitorët janë trembur.- Do t’më thoshte vite më vonë në Uashington. Engjëlli kishte ardhur me një grup pune. Shqipëria digjej. “Fondacioni i Tarshëgimisë” amerikane e quante revoltën–“Revolucion Leninist”, ku kërkesat ekonomike kthehen në kërkesa politike dhe me forcën e armëve rrëmbehet pushteti.

Aeroporti “Nënë Tereza” është zgjuar. Një grup të rinjsh, veshur me uniforma sportive, afrohen me zhurmë pranë pikës së kontrollit–linja Alitalia. Shqipja e bukur u përzihet me gjuhën italiane. Janë të lindur përtej detit, por e kanë mësuar gjuhën e gjakut. Mbaroj formalitetet dhe ulem pranë një çifti të moshuar në pritje të hipi në avion. Shtrënguar, si dy të rinj nën avujt e dashurisë parë, çifti është përqëndruar mbi iPhone. Tinguj trompe arrijnë deri tek unë. Përpiqem të kuptoj fjalët e këngës. Zëri i vokalistes më vjen i njohur. Pas vargjeve të para filloj të shquaj, “Veinte años–Njëzet vjet”.

…unë iluzioni i jetës tënde,
një dite të largët.
Sot, jam veç e shkuara …

Gruaja ka mbështetur kokën, me flokë të prera shkurt, në supin e tij. Lot sentimentalë formohen në sytë e saj ngjyrë ulliri. Burri me flokë argjendi, mbledhur bisht prapa, më drejtohet sapo mbaron kënga.
– Ku jemi parë bashkë? Nga Tirana jeni?
– Jo, nga Elbasani.
– Keni jetuar në Tiranë?
– Po.
Gruaja më vështron e përqëndruar.
– Mos jeni Muçi?- Pohoj me kokë.
– Jam Maria. Kemi qenë bashkë në të mesmen.- Drithërohem, ka ndryshuar shumë–mplakur.
– Maria!- Njëra ndër nxënëset më të mira të shkollës, por që e penguan të vazhdonte studimet e larta. Biografia.
– Kemi ndryshuar.- Buzëqesh. Sytë inteligjentë i ndrisin.
– Emigracioni!- Them i dëshpëruar.
– U larguam me ambasadat. Jetojmë në Spanjë, ishujt Kanari.
– Arkipelagu spanjoll, i magjiktë!- Them unë.
– Sado i magjiktë nuk është …
“Maria ka të drejtë”, mendoj, “nostalgjia për dheun tënd edhe pse të ka shkaktuar dhimbje të ndjek tërë jetën pas”.
– Këngëtaria që më preku, Ollga Cerpa, banon jo shumë larg nesh. Këngën “Njëzet vjet” e ka kënduar në koncertin, ku ishim edhe ne të dy.- Flokargjendi pohon me lëvizje të kokës.
– E famshmia bolero kubaneze!- Them dhe ngrihem të vihem në radhë. Alitalia ka hapur dyert. Ndahemi me mall për të nisur udhën e gjatë të mërgimit.

Pranë urës, nga më të gjatat në botë, “Gjiri”, e cila lidh dy brigjet e grykëderdhjes së njëqind e pesëdhjetë lumenjve dhe përrenjve–gjiri Çesapikut, Uberi më dërgon të marr Felipen. Te shkallët e hyrejs perendimore të lokalit romantik “Heminguei” qëndron në këmbë një mesoburrë, rreth të dyzetave; veshur me kostum ngjyrë qumështi, prerë me elegancë, ku i bie në sy këmisha jeshile e thellë me kopsa të arta. Pa u rehatuar mirë në sediljen prapa, Felipe fillon të këndojë në gjuhë latine. Pamja prej artisti, ngjason me Diego El Cigalan, këngëtarin e njohur të muzikës flamenko. Flokët e gjatë me onde, të ndara në mes, i derdhen në mënyrë mbresëlënëse mbi supe. Felipe vazhdon të këndojë.

… me trishtim ndjekim
dashurinë, ajo largohet,
pjesa shpirtërore,
mizorisht coptohet…

– Këndoni shumë bukur.- “Zëri pa vibrato, i thatë; i shton këngës hirin natyror”, them me vete.
– Është profesioni im.
– A mund t’iu pyes, në cilin grup bëni pjesë?
– Këndoj vetëm, me kitarë. Te lokali që më morët ju.
– Po këndonit…?
– E kam në zemër. Sot bëhen njëzet vjet që jam larguar nga Kuba.
– Koha fluturon. Unë kam një çerek shekulli larg vendit tim.
– Koha është e përjetshme. Ne, qeniet, jemi të përkohshëm–brenda saj.- U vrenjt.
– “Koha dhe Qenia”, e Haidegerit.
– Po, e kam studiuar në thellësi, kur ndiqja kolegjin e muzikës “Berkli” në Boston.

Pasdite me shi. Jemi mbledhur te shtëpia e Fik Daiut. Ilir Baholli luan në fizarmonikë këngën “Njëzet vjet” të Maria Teresa Veras. Gishtat i rrëshqasin mbi tasierë, si një instrumentisti virtuoz. Fiku e ka kthyer timpanin në bongo. I bie me duar. Dy talente të lindur, por i ndaluan të vazhdojnë studimet e larta. Biografia. Iliri e përjetoi rëndë, me depresion të thellë. U shtrua edhe në spital.
– “Fake” si të duket?- Pyet Iliri dhe qesh me shpirt. Nofkën “Fake”, shkurtimin e emrit “Fakir”, e përdora unë, kur më penguan edhe mua të ndjek studimet e larta.
– Jemi tre fakirë tani.- I thashë një ditë Fikut dhe Ilirit, kur po pinim kafe te Sahati. Ilirit i pëlqeu shumë dhe që prej asaj dite i drejtoheshim njër-tjetrit me “Fake”.
– Shumë prekëse më duket. Na duhet të gjejmë versionin anglisht dhe ta përkthejmë.- Tha Fiku. Ashtu bëmë. Kënga “Njëzet vjet” u bë shumë e dashur për të tre ne. Vargjet:

… if the things one wants
could be reached,
you would love the same,
as twenty years in the past.

I këndonim në anglisht.


360grade.al


Kryeministri dhe qentë Këçëkë, rreth e rrotull…

Të tjera