» Sfida me Dortmundin, Conte largon presionin: E ekzagjeruar ta quajmë finale…

Sfida me Dortmundin, Conte largon presionin: E ekzagjeruar ta quajmë finale…

I freskët nga fitorja e arritur në kampionat, në fushën e Sassuolo, Interi rikthehet të tregojë veten në Champions. Dhe e bën këtë duke e ditur që tashmë po përballet me një udhëkryq të rëndësishëm. Skuadra zikaltër, aktualisht e treta në Grupin F të garës madhore kontinentale për klubet, me vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, do të sfidojë Borussia Dortmund në “San Siro”. Kjo është një përplasje, në të cilën nuk do të pranohen gabimet. Antonio Conte, në konferencën e zakonshme për shtyp, foli për rëndësinë e angazhimit të radhës të të tijve, por nuk mendoi se duhet tepruar: “Duket një ekzagjerim të flasim për finale. Padyshim që është një ndeshje e rëndësishme, kundër një skuadre të fortë, por finalja vjen më vonë”.

Interi kundër Sassuolo tregoi disa vështirësi në mbrojtje, mirëpo trajneri zikaltër nuk e dramatizon: “Ne nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen me Borussia Dortmund, pasi luajtëm të dielën. Kishim vetëm një ditë dhe kemi punuar me video, kemi parë disa situata. Më shumë se gjithçka tjetër duhet të jemi të kujdesshëm për të mos humbur disa topa, sepse kundër Sassuolo kemi pësuar tre gola, duke e humbur topin gjatë ndërtimit të aksioneve. Ne duhet të jemi të kujdesshëm nga ky këndvështrim, sepse Borussia është shumë e fortë në kundërsulm, ka lojtarë që mund të bëjnë shumë dëm në fushë të hapur”.

Kundër Borussia-s, zikaltrit duhet të marrin tri pikët, por Conte nuk dëshiron ta quajë provë pjekurie: “Jo, nuk jam dakord. Duhet të marrim pikë në çdo ndeshje, nuk mund të presim sfida si kjo me Borussia. Ne kemi punuar që nga dita e parë për të grumbulluar gjithmonë pikë. Mund të kishim bërë diçka më shumë kundër Slavias, merituam shumë më tepër kundër Barcelonës, ndërsa tani kemi një ndeshje tjetër, kundër një skuadre shumë të forte. Sidoqoftë, asgjë nuk i ndryshon idetë dhe mentalitetin tonë. Nevoja për të fituar pikë është e njëjta që kemi pasur edhe kundër Sassuolo”.

Skuadrës gjermane do t’i mungojnë disa elementë, por ajo e së mërkurës mbrëma mbetet një sfidë kundër një kundërshtari cilësor. E konfirmon edhe trajneri zikaltër: “Disa lojtarë do t’i mungojnë, por Borussia ka të tjerë. Nuk më pëlqen të flas për mungesat e mia, jo më për ato të të tjerëve. Ne mendojmë për veten, duam të luajmë një ndeshje të mirë. Do të punojmë sot, sepse kishim vetëm një ditë për t’u përgatitur për sfidën. E dimë që do të duhet t’i kushtojmë vëmendje faktit se kundërshtari ka lojtarë shumë të fortë në fushë të hapur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i humbur topat, këto janë situatat që duhen shmangur”.

 

Conte foli për Lukakun dhe mundësinë që ai të ketë presion: “Pas golit me Sassuolo erdhi të më përqafojë, sepse ishte shumë i lumtur. Sot të gjithë po e vlerësojnë çiftin Lukaku-Lautaro, besoj se gjithmonë duhet të kenë ekuilibër të shkëlqyer, pa rënë pre e asnjë presioni. Kjo është ajo që iu mësoj lojtarëve të mi. Mbi të gjitha duhet të vlerësojmë performancën e ekipit. Pastaj, është normale të jemi të lumtur nëse një sulmues shënon. Romelu është integruar shumë mirë, por ky është një grup lojtarësh, ku individi nuk predominon”.

Interi ka pësuar tetë gola në katër ndeshjet e fundit, kështu që ka diçka për t’u përmirësuar në këtë drejtim: “Ne e dimë se duhet të përmirësohemi në disa situata, e thashë këtë edhe para ndeshjes me Sassuolo. Një trajner i ri sjell ide të reja dhe metoda të reja pune. Nëse luani shtatë ndeshje në më pak se një muaj, nuk keni kohën për t’i shqyrtuar ato. Është e pashmangshme që të paguajmë diçka, ka ende gjëra që duhet të rregullohen. Ne e shohim gotën gjysmë plot. Pas Atalanta jemi ekipi që ka shënuar më shumë në Serie A”. Deri më tani, Lazaro ka dhënë përshtypjen se po përpiqet të futet në modulet e trajnerit Conte: “Ai tashmë mund të luajë afër sulmuesve, por jo në 3-4-2-1. Ne e morëm atë nga një ekip i rangut të mesëm, e dinim që mund të haste vështirësi. Duhet të kemi durim dhe besim”.

Në ndeshjet më të fundit kemi parë një Lautaro Martinez gjithnjë e më egoist: “Ai duhet të punojë me kokën ulur, nuk duhet të mendojë se goli është gjithçka për një sulmues. Lautaro duhet të punojë për ekipin, po rritet dhe po bëhet një sulmues i plotë. Më pëlqen kur punon për grupin, kur ndihmon dhe kur shënon, duhet të vazhdojë kështu. Ka një potencial të rëndësishëm, por gjithsesi duhet të rritet dhe ne po punojmë për të. Varet nga ai të dijë se çfarë dëshiron të bëhet: një lojtar i nivelit të lartë apo i nivelit të mesëm”.

Conte u përqëndrua edhe në kushtet fizike të D’Ambrosio dhe Sensi: “Vështirë të thuhet diçka me siguri. D’Ambrosio ka dhimbje, ndaj duhet të presim që të bëhet gati. Për Sensin do të shohim, nesër do t’i bëjmë një kontroll. Presim lajme nga stafi mjekësor dhe ndërkohë monitorojmë situatën”. Trajneri zikaltër foli edhe për përshtatjen e Godin në modulin e tij: “Shumëçka ka ndryshuar për të, po punon në mënyrë taktike dhe teknike. Nuk është çështje forme, por ideje, e të mbrojturit duke sulmuar me 50 metra fushë pas. Ai është serioz dhe dëshiron të mësojë. Ne kemi një ide futbolli dhe po e ndjekim nga afër, duke u munduar ta vendosim në kushtet më të mira”.


360grade.al


Pse vuan Rama? Ai ka gjithçka! …

Të tjera