» Një “doracak” për të lexuar rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë!

Një “doracak” për të lexuar rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë!

Nga Alfred Peza –
Fitorja e Albin Kurtit të Levizjes Vetëvendsoja (VV) në zgjedhjet e së dielës dhe ftesa e tij drejtuar Vjosa Osmanit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për krijimin sëbashku të koalicionit qeveritar, kanë hapur një epokë të re politike për Kosovën.
Rezultati tregoi qartazi se qytetarët e Kosovës kërkuan që të udhëhiqen pas 20 vjetësh nga përfundimi i luftës, nga një klasë e re liderësh politikë të paprovuar deri më sot, në skenën e madhe politike të Prishtinës.
Qytetarët e Kosovës ndëshkuan me votë tri kandidatët e tjerë për Kryeministra; Kadri Veseli (PDK), Ramush Haradinaj i kolaicionit (AAK-PSP) dhe Fatmir Limajn (Nisma-AKR-PD), që njihen si ish komandatët e luftës. Çlirimtarët e djeshëm duket se janë parë sot nga qytetarët, si penguesit e ëndrrave të tyre të së nesërmes.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, rishikimi i taksës 100% mbi produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva europiane e Kosovës, ishin temat që mbizotëruan fushatën parazgjedhore. Ato pritet të shndërrohen edhe në piketat kryesore të programit të qeverisë së re.
Avantazhi i Albin Kurtit është se ai përfaqëson një lider politik që ia doli të niste nga hiçi, një lëvizje antiestablishment që sfidoi sistemin politik të vendit, të dominuar nga ata që hynë në Prishtinë si çlirimtarë e që më pas, nisën të shihen si zaptuesit jo vetëm të hapësirës dhe prespektivës demokratike të vendit.
Albin Kurtit i duhet që të përfaqësojë me kostumin e ri të fitimtarit Kosovën zyrtare, ndërkohë që mbi xhaketë ka mbajtur çdo ditë, flamurin kuqezi. Ironia është se në çdo zyrë të qeverisë dhe shtetit njerëzit e tij do të duhet që ta mbajnë flamurin bluverdhë, ndërkohë që në selinë e partisë së tyre, nuk gjen dot qoftë edhe një simbol të vetëm të shtetit të Kosovës.
Liderit të Vetëvendosjes i duhet që të ulet për bisedime, përballë atyre që e mbajtën në birucat e burgjeve serbe edhe pas mbarimit të luftës, në mënyrë që të ndahen njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e një historie më shumë se të dhimbshme. E nga ana tjetër, fituesit të ri të zgjedhjeve, i duhet të sqarojë nëse do ti përmbahet edhe pas kësaj, programit të partisë së tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Nga ana tjetër, edhe Vjosa Osmani ia ka dalë që të rikthejë fuqishëm në skenën e madhe të Prishtinës, partinë më të vjetër politike të Kosovës aktuale, duke dhënë mesazhin se projekti i Ibrahim Rugovës në realitetet e reja, nuk mund të çohej dot më përpara nga njerëz me mentalitetet e së shkuarës.
Triumfi i Vetëvendosjes dhe ringjallja fantastike e LDK-së, ka vendosur në fokusin e prozhektorëve Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Kjo i ka trazuar keqas ujërat e politikës së madhe, e cila ishte dominuar në dy dekadat e fundit, nga ata që i zëvendësuan shpejt uniformat e UÇK-së së luftës, me kostumet e “pëllumbave” politik të paqes.
Pas kësaj të diele zgjedhore, Kosova nuk do të jetë më si më parë. Modeli i Albinit dhe Vjosës me siguri që do të dekurajojë modelet e vjetra të ndëshkuara me votë, duke inkurajuar shumë të rinj të tjerë, që të guxojnë për të sjellë modele e një lidershipi ndryshe në jetën politike shqiptare.
Në mesazhin e parë drejtuar qytetarëve të Kosovës, sot Albin Kurti shkruan se “tash ne duhet të punojmë. Ama sërisht bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin, vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita!”
Vetëm e ardhmja do të na dëshmojë, nëse kjo ditë erdhi për Kosovën dhe projektin e shqiptarëve në Ballkan, apo vetëm për fitimtarët e zgjedhjeve të radhës!


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ Çfarë e nervozon Ramën? Çfarë e tremb?!

Të tjera