» Videoeditoriali i Zhejit/ Rama skllav i skllevërve që mban me pranga të arta …

Videoeditoriali i Zhejit/ Rama skllav i skllevërve që mban me pranga të arta …

Nga Artur ZHEJI

Pamja politike shqiptare është sot, më shumë se asnjëherë tjetër, një pikturë krejt absurde dhe kjo nuk është vepër e një piktori të vetëm, por është një përbashkësi talentesh dhe mostalentesh, që dhanë maksimumin e tyre për të bërë këtë që kemi parasysh.
Një qeveri që nuk qeveris, por sulmon politikisht, për të marrë dhe nënshtruar pushtetin e fundit, Presidencën kuptohet, pasiqë çdo gjë tjetër është nënshtruar dhe këndon me gëzim hymnin e skllevërve modern, që tundin si byrzylykë të çmuar, prangat e tyre të arta.
Për ta thënë më thjeshtë, një nga përgjegjësit më interesantë të kësaj që përjetojmë sot, është padyshim Ilir Meta politikan, dhe besimi i tij i përsëritur ndaj Ramës, duke i dhënë këtij të fundit superpushtetin, që për hir të së vërtetës e luajti dhe e luan më mirë se të gjithë të tjerët.
Por tani kjo është një histori e shkuar, e stigmatizuar më 1 Prill 2013, pikërisht dhe aspak një rastësi pa kuptim, Ditën e Gënjeshtrave, me mjeshtrin e madh dhe ende të panjohur plotësisht asokohe, të gënjeshtrës politike, Mjeshtrit Rama pra…
Duke bërë kryeministër Ramën, Meta, gënjeu edhe njëherë veten se duke marrë maksimumin, ay, Rama, nuk do të dëshironte më shumë se aq dhe do të ishte më i kontrollueshëm në ambiciet e tij.
Koha tregoi me të tepërt se, ky ishte vetëm fillimi, hyrja e re e Fillimit te Ri të Ambicies së tij te Re, për të qenë një politikan, aksioner i vetëm dhe kontrollues vetmitar, i të gjitha pushteteve, të cilat i mori ose i bleu më shtrenjtë se të gjithë të tjerët.
Mediat, deputetët, opinionistët, biznesmenët blu, bojëkafe apo të kuqërremtë, pa asnjë lloj paragjykimi apo pavarësisht erës së rëndë të këmbëve të tyre, ende të palara që nga e kaluara e afërt… Të gjithë tani punojnë për kryeministrin, për këtë kryeministër domethënë, që duket se do të marrë rregullisht ditë, edhe nga ditët tona.
Kush mendon ndryshe, apo ka një fije personaliteti të pashkelur ende, ose bën valixhet, ose kërcënohet me varfëri, ose përdhoset nga ushtria e madhe e përdhosësve me pagesë, ose dënohet me padëgjueshmëri të përkohshme apo të përjetëshme, derisa të harroet në humbëtirën e kohës dhe të hapësirës shqiptare…
Sepse, si asnjëherë tjetër më parë nuk ka ndodhur që, nëse mbështet këtë kryeministër, ngrysesh i varfër dhe mund të gdhihesh i pasur, apo nëse je diku në punë, shkulesh prej andej me ose pa rrënjë, sepse ay, Rama, e di që idealet politike në këtë vend, kanë vdekur me kohë dhe se gjithkush e ka një çmim, të cilin kryeministri e paguan dyfish, kryesisht te pronarët e pangopur dhe të pagdhendur shqiptarë, që ai i përbuz me të drejtë në brendësi. Por ata, lëpihen dhe orgazmojnë apo masturbojnë me llogaritë e tyre bankare, se tjetër gjë nuk u ka mbetur derëzezve…
Mirëpo ekuacioni ndryshon dita ditës edhe për Ramën, që nuk e njeh mirë historinë njerëzore, por njeh fare qartë vetëm historinë e bejlerizmit anadollak shqiptar, nga Esat Pash Toptani e tëhu, në të vërtetë një histori kafshësh grabiqare, që kanë shqyer rregullisht Shqipërinë (sot edhe Kosovën që e shqyente dikur vetëm serbi…) dhe e kanë shpenzuar mishin dhe gjakun e saj, në bordellot e Parisit, Londrës apo Vienës, për së paku 100 vjet.
Sot bjelerët-biznesmenë shqiptarë, megjithë çkanë marrë, vetëm ankohen e jargaviten dhe madje edhe bëjnë plane për rrëzimin e bamirësit të tyre, për të gjetur një tjetër, kësaj rradhe pa kërbisht fare, mundësisht një kryeministër që përshembull, u bën edhe masazhe në zonat erotike.
Ramë fitmitari pra, ka një hall që nuk zgjidhet, ushtria e mercenarëve që ka ngritur anembanë Shqipërisë së vogël, kërkon ushqim përditë e përnatë, është mirë dhe e pangopur me oreks dhe të gjykon vetëm me madhësinë e mishit që u vendos në pjatë apo direkt mbi tryezë.
Financat publike nuk ja dalin dot këryre shpenzimeve marramendëse. Droga po bie shumë në sy si mall shkëmbimi, se nga mariuana e butë, po tejkalohet sëtepërmi me heroinën e egër dhe me kokainën lluksoze.
Kështuqë, Rama është në mëdyshje dhe herët a vonë do kërkojë të restaurojë marrëveshjet e vjetra dhe të prishura, me Metën dhe me Lul Bashën, mundësisht t’ua hedhi edhe njëherë tjetër, duke ndëshkuar ca meshkuj zara apo ca femra zare, që ka hedhur në politikë si koka të mençura, por që e kanë tepruar me lloqet e tyre publike kundër kundërshtarëve…
A do të rrezistojë Ilir Meta?
A ka një plan Lulëzim Basha?
Vetëm këtë mendon sot kryeministri, që xhelozon hienat e veta që shqyejnë mish dhe nuk humbin kohë të mendojnë e të vrasin mendjet, dhe vetëm ndreqin dhëmballë dhe mprehin dhëmbët e qenit, që të vijojnë e të shqyejnë.
E kështu, Rama mbetet skllav i skllevërve që mban me pranga të arta, që janë gati ta këmbejnë këtë sojli kryeministër, me ndonjë jokërbishtor tjetër, që u ofron ende më shumë mish, derisa të shuhet fare Shqipëria, e të iki për lesh nëpër botë djelmëria.
E vuan sa më s’ka, ay, Rama, e pikturon vijueshmërisht shumë e shumë zorrë e mëlçi të përgjakura, por askush nuk e ndihmon dot, se kanë frikë edhe ti afrohen këto kohë.


360grade.al


Videoeditoriali i Zhejit/ Çfarë e nervozon Ramën? Çfarë e tremb?!

Të tjera