» Aksident apo atentat? Përplasja tek rrethrrotullimi “Shqiponja”

Aksident apo atentat? Përplasja tek rrethrrotullimi “Shqiponja”

Policia e Tiranës dyshon se përmbysja e makinës luksoze me targa ruse, mbrëmjen e 11 shtatorit tek rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” ka ndodhur si pasojë e një atentati të dështuar. Kjo është pista e dytë që po hetohet bashkë me atë të aksidentit rrugor.

Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se automjeti tip G – class është përplasur nga një tjetër makinë nga pas. Ky fakt ka ngritur dyshimet tek blutë se pas ngjarjes fshihet tentativa për atentat ndaj drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor ka siguruar dëshminë e shoferit 34-vjeçar, Eldin Dergjinit, i cili ka deklaruar se ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi dhe është goditur nga një makinë nga pas dhe është përplasur me bordurën e rrugës, nga ku ka humbur kontrollin e automjetit.

Më pas ai është shprehur se është larguar me këmbë dhe me një taksi ka mbërritur në një spital privat, pasi kishte marrë plagë të lehta.

Dyshimet e paprovuara ende janë ngritur dhe mbi faktin që në automjet së bashku me Dergjinin ndodhej dhe një tjetër person. Dergjini para grupit hetimor ka pretenduar që e ka sjellë makinën nga jashtë dhe priste ta pajiste me dokumentat shqiptare.

Dyshimet

Hetuesit gjithashtu janë duke hetuar paralelisht dhe pistën e vjedhjes së automjetit, pasi me të njëjtën targë rezulton dhe një tjetër automjet në Rusi.

Makina e blinduar me targa ruse është dërguar në Drejtorinë e Tiranës dhe i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm por nuk janë gjetur sende të paligjshme në të.

Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedent të mëparshme penale, pasi në 2014-ën është arrestuar në Tiranë dhe më pas gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Ndërsa gushtin e kësaj vere Dergjini është arrestuar në Himarë për shkak se ishte kapur me armë mbajtje pa leje, por edhe në këtë rast ai është lënë i lirë në rrethana të dyshimta. 34-vjeçari gjithashtu rezulton i dënuar më parë në Trieste të Italisë për trafik droge.

Eldin Dergjini gjithashtu rezulton të jetë vëllai i deputetes së listave të LSI-së, Amra Barova, por ka ndërruar mbiemrin për shkak të precedentëve të mëparshëm.

Automjeti është dërguar në Drejtorinë e policisë Tirane ku i është nënshtruar kontrolleve./oranews


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera