» Ekzekutoi 550 kriminelë dhe vrasës serial/ Kush ishte xhelati më i “frytshëm” anglez, i marrë hua për ekzekutimin e nazistëve … ja sa paguhej

Ekzekutoi 550 kriminelë dhe vrasës serial/ Kush ishte xhelati më i “frytshëm” anglez, i marrë hua për ekzekutimin e nazistëve … ja sa paguhej

Më 15 korrik 1953, vrasësi serial britanik, Xhon Kristi, ishte gati të ekzekutohej në burgun Pentonvil në Londër. Pak para se të varej në litar, Kristi me duart e lidhura pas shpinës, u ankua se i hante hunda dhe nuk mund ta kruante dot. Xhelati që ndodhej aty pranë u përkul dhe i tha:”Nuk do të shqetësojë edhe për shumë kohë!”.

Ky ishte Albert Pierpoint, që midis viteve 1932-1956, ekzekutoi një numër rekord njerëzish, në përputhje me ligjin britanik. Numri i saktë i njerëzve të ekzekutuar me vdekje prej tij mbetet i panjohur, por vlerësimet e zakonshme flasin për 435 të dënuar, ndërsa vetë Pierpiont pretendonte autorësinë e 550 ekzekutimeve.

Sido që të jetë numri i saktë, Pierpoint mbetet një nga xhelatët më të “frytshëm” të historisë moderne. Ai lindi më 30 mars 1905 në Jorkshajër, dhe gjatë gjithë jetës do të ishte gjithmonë një xhelat. Kur ishte vetëm 11 vjeç, Pierpoint shkruajti në një ese:“Kur të mbaroj shkollën, do të doja të isha xhelati zyrtar i vendit”. Por dëshira e pazakontë e Pierpoint, nuk ishte e rastësishme. Babai dhe xhaxhai i tij, ishin që të dy ekzekutues, dhe Alberti donte të vazhdonte traditën familjare.

                              Albert Pierrepoint dhe xhaxhai i tij Thomas Pierrepoint, 1947

I ati vdiq në vitin 1922, por Pierpoint trashëgoi shënimet e imtësishme, që ai kishte mbajtur mbi çdo ekzekutim me varje. Pasi studioi shënimet e babait të tij, Pierpoint u përpoq të bëhej një ekzekutues më efektiv se shumë të tjerë. Por kërkesa e tij në Komisionin e Burgjeve u refuzua, pasi iu tha se nuk kishte vende të lira pune.

Nisi punë përkohësisht si furnitor në një dyqan ushqimor në Mançester. Ndërkohë në vitin 1932, ia doli të realizojë ëndrrën e tij, kur një ndihmës i xhelatit dha dorëheqjen. Ai ndoqi ekzekutimin e tij të parë në Dublin në fund të vitit 1932, që u krye nga xhaxhai i tij, Tomas Pierpoint.

Ekzekutimin e parë e kreu vetë në tetorin e vitit 1941, kur ekzekutoi gangsterin dhe vrasësin Antonio Mançini në Londër. Një vit më pas, ai ekzekutoi vrasësin Gordon Kamins, që besohet se vrau dhe gjymtoi 4 gra brenda 6 ditëve në shkurtin e vitit 1942.

Por pas Luftës së Dytë Botërore, ngarkesa e punës së Pierpoint u rrit shumë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ekzekutori më i famshëm i Britanisë, fitoi një famë ndërkombëtare duke varur afro 200 kriminelë lufte, shumica prej tyre nazistë. Midis viteve 1945-1949, Pierpoint shkoi më shumë se 20 herë në Gjermani dhe Austri, për të ekzekutuar disa nga nazistët që kishin krye shumë mizori gjatë luftës.

Njëri prej tyre ishte Jozef Kramer, komandanti i kampit të Aushvicit, dhe më pas i Bergen-Belsenit, ku të burgosurit i kishin vënë nofkën “Bisha e Belsenit”. Një tjetër e ekzekutuar prej tij ishte nazistja gjermane Irma Grese, “Hijena e Aushvicit”, e cila ishte roje në kamp kur ishte ende adoleshente.

 

                                                                Irma Grese 

Pasi ekzekutoi kaq shumë nazistë të urryer, Pierpoint u bë aq i famshëm, dhe fitoi aq shumë para sa bleu një bar që i vuri emrin “The Poor Struggler” (Xhelati i Ngratë) në periferi të Mançesterit, në një kohë që kryente ende ekzekutime kur kishin nevojë për të. Bari frekuentohej enkas nga shumë njerëz, që donin t’u shërbente pikërisht ekzekutori i nazistëve.

Image result for Albert Pierrepoint

Por në vitin 1950, jeta e Pierpoint si xhelat mori një kthesë të errët. Njëri nga klientët e tij të rregullt, Xhejms Korbit, u dënua me vdekje për vrasjen brutale të së dashurës së tij gjatë një skene xhelozie. Korbit kishte pirë në barin e Pierpoint, madje kishte kënduar bashkë me këtë të fundit, përpara se të shkonte në shtëpi dhe të kryente krimin.

Image result for The Poor Struggler

Pasi Korbit u dënua me vdekje, ishte pikërisht Albert Pierpoint ai që e kreu ekzekutimin. Dëshmi të ndryshme pretendojnë se ai ishte moment, kur Albert nisi të mendojë tërheqjen nga profesioni i xhelatit. Gjithsesi, ai vazhdoi të punojë si xhelat edhe për 5 vite të tjera, gjatë të cilave ekzekutoi kriminelë të profilit të lartë si vrasësin serial Xhon Kristi, dhe Timoti Evansin, njeriu që u var gabimisht për një nga krimet e Kristit, përpara se të gjendeshin prova të reja, që e gozhduan këtë të fundit.

Më 13 korrik 1955, Pierpoint ekzekutoi Rut Elis, një modele dhe një balerinë e klubeve të natës, e cila qëlloi për vdekje të dashurin e saj abuziv. Për shkak se ishte një grua, dhe të rrethanave të krimit, dënimi me vdekje i Elis ishte tejet i diskutueshëm në publikun britanik, deri në pikën që qeveria nisi ta rimendojë çështjen e dënimit më vdekje.

Albert Pierpoint dha dorëheqjen nga detyra në janarin e vitit 1956, pas një mosmarrëveshje mbi pagën e tij (rreth 450 dollarë për çdo ekzekutim). Fama e Albert Pierpoint, i detyrohet shpejtësisë, qetësisë dhe efikasitetit të ekzekutimeve të tij. Një intervistë nga vitet 1960, Albert shprehej se ishte jetike që gjatë një ekzekutimi të lihen mënjanë emocionet.

“Nuk duhet të përfshiheni asnjëherë në çfarëdolloj krimi që kanë kryer të dënuarit. I dënuari duhet të vdesë. Ju duhet ta trajtoni atë me sa më shumë respekt dhe dinjitet. Të dënuarit me vdekje, janë duke shkuar drejt së panjohurës. Dhe kushdo që e bën këtë, ka respektin tim të plotë”- tha ai.

Në vitin 1974, ai shkroi një libër me kujtime, në të cilin veç të tjerash deklaronte se dënimi me burg nuk i frenon kriminelët:“Thuhet se dënimi me vdekje, është një pengesë për ta. Unë nuk jam dakord. Ka pasur vrasje që nga fillimi i botës, dhe do të ketë ​​deri në fund të saj. Kam arritur në përfundimin se ekzekutimet nuk zgjidhin asgjë. Dhe janë vetëm një relike e vjetëruar, e një dëshire primitive për hakmarrje”.

Por vetëm 2 vjet më vonë pas botimit të librit, Pierpoint, duket se kishte ndryshuar mendje. Në një intervistë për radion BBC, ai tha se krimi i vrasjes në Britani ishte rritur, ndaj vendi kishte nevojë të rikthente dënimin me vdekje. Sigurisht, Britania nuk e bëri këtë. Albert Pierpoint vdiq më 10 korrik 1992, në moshën 87-vjeçare në Sauthport./ Përshtatur nga CNA.al.


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera