» Përfaqësuesi Special për Ballkanin, do të përballet të me 4 sfida thelbësore/ Analiza e Bugajskit për Palmer: A do jetë i mjaftueshëm kur nuk ka ndikim brenda …

Përfaqësuesi Special për Ballkanin, do të përballet të me 4 sfida thelbësore/ Analiza e Bugajskit për Palmer: A do jetë i mjaftueshëm kur nuk ka ndikim brenda …

Nga Janusz Bugajski “Center for European Policy Analysis”

* Emërimi i zv/ndihmëssekretarit të Shtetit, Metju Palmer si Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, është një vendim i rëndësishëm. Ai ripërtërin përkushtimin e Uashingtonit, ndaj zgjidhjes së konflikteve dhe integrimit ndërkombëtar të rajonit.

Gjithsesi, ndërsa rrit pritshmërinë për efektivitetin e Amerikës, ai mund të jetë i pamjaftueshëm në trajtimin e problemeve më delikate rajonale. I dërguari i ri, do të përballet të paktën me 4 sfida thelbësore, duke filluar me çështjen e mbështetjes së Shtëpisë së Bardhë.

Palmer është një diplomat me përvojë, dhe me njohuri të thella mbi rajonin. Por ai do të duhet të bindë udhëheqësit e vendeve të rajonit, se i është dhënë tashmë një mandat i zgjeruar dhe me një autoritet më të madh, se sa gëzonte në postin e tij si zv/ndihmëssekretar i Shtetit, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes greko-maqedonase, e ka nxitur Uashingtonin të përpiqet të kopjojë këtë sukses diplomatik. Megjithatë, ndarjet etno-politike në Bosnje Hercegovinë, dhe mosmarrëveshja Kosovë-Serbi, janë shumë më komplekse, armiqësore dhe ekzistenciale. Palmer mund t’i japë një impuls të ri bisedimeve që kanë ngecur aktualisht, dhe të shtyjë përpara axhendën e normalizimit të raporteve dypalëshe.

Sidoqoftë, rishqyrtimi i konceptit të shkëmbimeve territore, mund të përkeqësojë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkohë, mund të rriten pritshmëritë që Serbia ta njohë shpejt Kosovën, ashtu si Marrëveshja e Prespës, bëri që Athina të njohë Maqedoninë e Veriut.

Një problem i dytë për Palmerin, është rreziku që ngërçi në Bosnje, mund të përshkallëzohet në një konflikt më të rrezikshëm, në një kohë kur ai është i fokusuar tek mosmarrëveshja Serbi-Kosovë. Do të ishte e vështirë të menaxhohen diplomatikisht dy konflikte të njëkohshme, diçka që liderët separatistë në Republikën Srpska të Bosnjës (RS), mezi e presin. Statuskuoja në Bosnje, nuk është e qëndrueshme, dhe aty janë të pranishme të gjithë “përbërësit” për një tjetër shpërthim të dhunshëm të krizës.

Në Bosnje nuk ka sot një qeveri qendrore funksionale, Rrepublika Srpska kërcënon të shkëputet nga federata, nacionalistët kroatë po kërkojnë një entitet të tretë, boshnjakët gjenden midis tyre të irrituar, ndërsa ekonomia është në vend-numëro. Në një skenar të mundshëm, udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, mund të refuzojë reformat kryesore që bashkojnë pjesërisht vendin, siç është formimi i një ushtrie të përbashkët, gjykatave shtetërore dhe agjencisë së policisë.

Ai ka kërcënuar tashmë të tërhiqet nga Marrëveshja e Forcave të Armatosura, dhe të mbajë të ardhurat nga taksat për njësinë e vet federative. Ndërkohë, ai mund të refuzojë funksionimin e gjykatës dhe prokurorisë në nivelin shtetëror në entitetin e Republikës Srpska. Dodik mund të minojë shumë pushtete të tjera, që janë transferuar nga të dyja entitetet në institucione të nivelit shtetëror, që nga Marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995.

Republika Srpska, mund të tërheqë më pas përfaqësuesit e saj nga qeveria qendrore, dhe të shpallë një referendum për pavarësinë. Pavarësisht nëse lëvizje të tilla shkaktojnë akte te reja dhune, ato do të shqetësonin përfaqësuesin special të Uashingtonit, në dëm të vëmendjes ndaj ngërçit Serbi-Kosovë.

Një pengesë e tretë për Palmerin do të jetë Bashkimi Evropian, që ka vendosur të bëjë një pauzë të zgjatur për zgjerimin e tij në Ballkan. Kjo gjë, mund të vinte në lëvizje një seri zhvillimesh negative, në të cilat 6 vendet aspirante përballen me një lënie të gjatë në pritje, që do të dekurajë reformat, do të stimulojë skepticizmin e BE-së, dhe do të forcojë ndjenjat nacionaliste.

Nga ana tjetër, kjo do të sigurojë “municion” për politikanët e BE-së, që të kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të unionit. Bashkimit Evropian ka shtyrë deri në tetor, vendimin nëse

do të hapë apo jo bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh rezistencën e fortë nga disa anëtarë të unionit, sidomos Franca dhe Hollanda.

Qasja “thellim i integrimit, para zgjerimit të radhës” e presidentit francez Emanuel Makron, mund të vonojë zgjerimin për një kohë të pacaktuar. Megjithëse disa udhëheqës rajonalë, pohojnë se Mali i Zi dhe Serbia (që kanë filluar bisedimet e pranimit në BE), mund të anëtarësohen në BE brenda vitit 2025, një synim ky tepër ambicioz.

Samiti i Këshillit Evropian i qershorit të këtij viti, nuk dha ndonjë vit të caktuar edhe për shtetet më të kualifikuara. Mandati i Palmerit, përfshin një “përqëndrim tek integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”. Problemi është se Uashingtoni nuk ka asnjë rol në procesin e zgjerimit të BE.

Edhe nëse përfaqësuesi special, mund të jetë i aftë të inkurajojë reformat e nevojshme në mesin e aspirantëve, veçanërisht në sundimin e ligjit, ai nuk do të ketë ndikim brenda BE-së, në rast se rritet skepticizmi mbi zgjerimin. Edhe integrimi i mëtejshëm në NATO, ka një perspektivë të kufizuar në Ballkanin Perëndimor, pasi vetëm 3 shtete do të mbeten jashtë aleancës, kur të pranohet në aleancë Maqedonia e Veriut në vitin 2020.

Serbia nuk synon anëtarësimin e saj në NATO, Kosova duhet të ndërtojë një sektor të sigurisë dhe forcë ushtarake në mënyrë që të kualifikohet për t’u bërë pjesë e aleancës, dhe anëtarësimi i Bosnjes do të mbetet i bllokuar nga Republika Srpska. Problemi i katërt i vazhdueshëm për Palmer, do të jetë vendosmëria e Moskës për të minuar stabilitetin rajonal, dhe parandaluar integrimin perëndimor.

Diplomatët rusë, agjentët lokalë dhe aktivistët e dezinformatave, do të vazhdojnë të përfshihen në provokime të ndryshme, komplote dhe operacione ndikuese. Ata do të inkurajojnë rezistencën e nacionalistëve në Beograd dhe Banja Luka (kryeqyteti i Republikës Srpska), ndërsa do të kërkojnë mundësi të reja për të krijuar përçarje, testuar vendosmërinë e Uashingtonit, dhe diskreditituar të dërguarin kryesor të Amerikës në Ballkan./Përshtatur nga CNA.al


360grade.al


Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Të tjera