Papa Françesku: “Thikë pas shpinë” nga brenda Kishës, më quajnë komunist - 360 Grade

Papa Françesku: “Thikë pas shpinë” nga brenda Kishës, më quajnë komunist

Papa Françesku ka akuzuar kritikët se kanë “ngulur një thikë në shpinë” dhe se “nuk kanë frikë” nga skizma në Kishë, raporton BBC të mërkurën.

Duke folur pas udhëtimit të tij në Afrikë, Papa kundërshtoi priftërinjtë konservatorë që e kritikonin.

Këta njerëz “nuk ia duan të mirën Kishës”, ata kujdesen vetëm për “ndryshimin e Papëve, ndryshimin e drejtimin, krijimin e skizmave”, tha ai.

Kjo është hera e parë që Papa ka folur kaq hapur për mundësinë e një skizme në Kishë, e cila ka më shumë se një miliard besimtarë në të gjithë botën.

Francesku i bëri komentet e tij në Romë pasi qëndroi në Madagaskar, Mauritani dhe Mozambik.

Një reporter e pyeti për sulmet nga udhëheqësit konservatorë katolikë, kanalet televizive dhe faqet e internetit në SHBA.

Disa udhëheqës katolikë, veçanërisht në SHBA por në vende të tjera, kanë akuzuar Papën për hollimin e fesë dhe madje kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij.

Ata janë të pakënaqur me pikëpamjet e tij për mjedisin dhe imigracionin, dhe veçanërisht kundërshtojnë hapat për të lejuar që katolikët të divorcohen dhe të rimartohen.

“Unë nuk kam frikë nga një ndarje”, tha Papa Françesku, duke shtuar se kjo ka ndodhur shumë herë në historinë e Kishës.

“Unë lutem që të mos ndodhë, për shëndetin shpirtëror të shumë njerëzve që varen prej nesh”, tha ai.

Papa Françesku sugjeroi që pikëpamjet kritike ndaj tij ishin njollosur nga ideologjitë politike. “Gjërat që unë thashë në lidhje me çështjet sociale janë të njëjta me ato që tha Papa Gjon Pali. Unë i kopjova ato dhe ata thonë ‘Papa është shumë komunist’”, u tha ai gazetarëve.

Ai vlerësoi “kritikën konstruktive”, por jo kritikën e atyre që “qeshin ndërsa ju godasin me thikë në shpinë”.

“Kritika vjen jo vetëm nga amerikanët, por nga kudo, përfshirë Curia-n,” tha ai, duke iu referuar organit drejtues të Kishës Katolike.

Në dy mijë vjet histori, Kisha Katolike u nda disa herë, më e mprehta në vitin 1054, kur Kisha Ortodokse Lindore u shkëput nga Roma.


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera