Nuk rrezikohen vetëm ata me sëmundje mendore/ Ja pesë mitet e gabuara mbi vetëvrasjen - 360 Grade

Nuk rrezikohen vetëm ata me sëmundje mendore/ Ja pesë mitet e gabuara mbi vetëvrasjen

Vetëvrasja është një plagë sociale, që mund të prekë çdo njeri. Në vitin 2017, rreth 41 mijë njerëz vdiqën duke u vetëvrarë, 1.3 milionë të rritur tentuan të vetëvriten, 2.7 milionë të rritur patën në plan të kryenin vetëvrasje, dhe 9.3 milionë të rritur, kanë pasur mendime vetëvrasjeje.

Fatkeqësisht, shoqëritë sot e pikturojnë vetëvrasjen në të njëjtën mënyrë që jepet edhe një dënim më burg:si një situatë të përhershme që prek një individ në kushte të caktuara.

Sidoqoftë, ideja e vetëvrasjes nuk është një markë apo etiketë, por një shenjë se një individ po vuan shumë dhe ka nevojë për trajtim. Dhe janë gënjeshtra si këto, ato që mund t’i parandalojnë njerëzit e rrezikuar të marrin ndihmën e nevojshme, për t’u bërë më mirë dhe shmangur një fund fatal. Rrëzimi i disa miteve, që lidhen me vetëvrasjet, mund ta ndihmojë një shoqëri të kuptojë rëndësinë që ka ndihma ndaj të tjerëve. Ja cilat janë disa nga mitet, dhe faktet më të zakonshme në lidhje me vetëvrasjen.

Miti nr.1:Vetëvrasja prek vetëm individët, që vuajnë nga një sëmundje mendore

Fakt: Shumë individë me sëmundje mendore, nuk preken aspak nga mendimet për vetëvrasje, dhe jo të gjithë personat që tentojnë ose vdesin të vetëvrarë, kanë sëmundje mendore. Problemet

në marrëdhëniet e ngushta, dhe faktorët e tjerë stresues që ka jeta, siç janë çështjet penale, persekutimi, humbja e shtëpisë, vdekja e një njeriu të dashur, një sëmundje shkatërruese, traumat, abuzimi seksual, refuzimi etj, janë gjithashtu të lidhura me mendimet apo tentativat për vetëvrasje.

Miti nr.2: Kur një njeri ka tentuar të vrasë veten, ai do të mbetet përherë i rrezikuar ta bëjë këtë

Fakt:Ideja aktive e vetëvrasjes, është shpesh e shkurtër në kohë, dhe e lidhur me situata specifike. Studimet kanë treguar që gati 54 për qind e individëve, që kanë gjetur vdekjen nga vetëvrasja, nuk kanë pasur një çrregullim të shëndetit mendor. Dhe për ata që vuajnë nga sëmundjet mendore, trajtimi i duhur mund të ndihmojë në uljen e simptomave.

Akti i vetëvrasjes, është shpesh i lidhur me një përpjekje për të kontrolluar emocione dhe mendime shumë të dhimbshme. Sapo këto mendime zhduken, po kështu ndodh edhe me idenë e vetëvrasjes. Ndërsa mendimet mbi vetëvrasjen mund të rikthehen, ato nuk janë të përhershme. Një individ me mendime dhe tentativa për vetëvrasje, mund të jetojë një jetë të gjatë dhe të suksesshme.

Miti nr.3: Shumica e vetëvrasjeve ndodhin befas, pa asnjë paralajmërim

Fakt: Shenjat paralajmëruese– verbalisht apo përmes sjelljes – i paraprijnë shumicës së vetëvrasjeve. Prandaj, është e rëndësishme të mësoni dhe kuptoni shenjat paralajmëruese, që  lidhen me vetëvrasjen. Shumë individë me prirje suicidale, mund të tregojnë shenja paralajmëruese, vetëm për ata që janë më afër tyre. Këta të fundit, mund të mos e kuptojnë atë që po ndodh, ndaj mund t’u duket se vetëvrasja ishte e papritur ose pa ndonjë paralajmërim.

Miti nr.4: Njerëzit që vetëvriten janë egoistë, dhe zgjedhin rrugën më të thjeshtë për t’i ikur problemeve

Fakt: Njerëzit nuk vetëvriten për shkak se nuk duan të jetojnë, por sepse duan t’i japin fund vuajtjeve të tyre. Këta individë vuajnë aq shumë, sa ndihen të pafuqishëm dhe të pashpresë. Individët që përjetojnë ide vetëvrasëse, nuk e bëjnë këtë me dëshirë. Ata nuk janë thjesht “duke menduar për veten”. Përkundrazi po përjetojnë një simptomë shumë të rëndë të shëndetit mendor, për shkak të ndonjë sëmundjeje mendore, apo një situate të vështirë të jetës.

Miti nr.5: Bisedat mbi vetëvrasjen, çojnë drejt vetëvrasjes apo e inkurajojnë atë

Fakti: Ekziston një frikë e përhapur që lidhet me vetëvrasjen, dhe për pasojë shumë njerëz kanë frikë të flasin për të. Por të flasësh për vetëvrasjen jo vetëm që e zvogëlon stigmën, por i lejon gjithashtu individit të rrezikuar të kërkojë ndihmë, të rimendojë edhe njëherë atë që po tjerr në kokë, dhe ta ndajnë historinë e tij me të tjerët. Të gjithë duhet të flasim më shumë rreth vetëvrasjes. Zhdukja e stigmës fillon që nga kuptimi pse ndodh vetëvrasja, si dhe mbështetja e ndërgjegjësimit publik mbi shëndetin mendor brenda komuniteteve tona./Përshtatur nga CNA.al


360grade.al


Bajatllëk, mjerim dhe një Gjithollog për KM!…

Të tjera